Bota

The Economist 2015/Kush mund ta ndalë fuqinë e Kinës?

Gjithnjë e më i fuqishëm, presidenti Xi Jinping vazhdon ta fuqizojë vendin e tij në skenën ndërkombëtare dhe të konsolidojë kontrollin e Partisë.

eco_0Çdo vit revista e mirënjohur botërore “The Economist” boton një numër special me atë që pritet të ndodhin në botë në vitin në vijim. Këtë e ka bërë edhe për 2015-ën. Pikërisht shkrimet më të mira të kësaj përmbledhjeje ju do t’i gjeni, duke filluar që tani tek “Lapsi.al”: “Si do të sillet Obama gjatë këtij viti (shkrimi i parë i botuar pak dite me pare shiko poshte)? Si po bëhet Gjermania një superfuqi (shkrimi i dytë)? Shkrimi i tretë i The Economist i takoj Rusisë së Putinit dhe dilemës se si duhet të sillet Europa me të.  Mësimet që duhen nxjerrë nga epidemia e Ebolas, shpikjet e reja të smartfonëve dhe Luvri që zbarkon në Abu Dabi këto janë disa nga temat e « The Economist » që do ti sjellë në shqip, Lapsi.al. Ne do të postojmë nga një artikull të ri, për të krijuar një ide më të qartë se si do të jetë bota në ditët që do të vijne. Shkrimi i katërt i takon Kinës dhe rolit të saj të ri në botë. The Economist bën një parashikim për presidentin Xi Jinping që vazhdon ta fuqizojë vendin e tij në skenën ndërkombëtare dhe të konsolidojë kontrollin e Partisë.

Presidenti kinez Xi Jinping me sa duket ka fituar edhe më shumë pushtet se çdo lider tjetër që prej Mao Tse-toung (Mao Ce Dunit) dhe sapo ka korrur një sukses të ri. Kina do ta nisë vitin 2015 duke zënë vendin e parë në ekonominë botërore në aspektin e fuqisë blerëse. Xi Jinping nuk do ta trumbetojë këtë arritje. Përfaqësuesit kinezë janë plotësisht të vetëdijshëm se rritja e vendit të tyre shqetëson Perëndimin. Megjithatë ankthi që nxit Kina do të vazhdojë të rritet edhe përgjatë këtij viti. Që kur erdhi në pushtet Xi Jinping, vendi tenton të rrisë pretendimet detare në zonën e Paqësorit perëndimor, duke ushqyer në këtë mënyrë tensionet me fqinjët dhe Shtetet e Bashkuara. Në 2015 këto fërkime nuk do të qetësohen.

Kina ka deklaruar se 2015 do të jetë viti i “Bashkëpunimit detar” me vendet e Azisë jug-lindore. Megjithatë nuk duket sikur do të heqë dorë së kërkuari tokat që i konsideron të vetat në detet e Kinës orientale dhe meridionale. Ajo po ndërton gjithashtu struktura mbi ishuj dhe gumat (vargmale nënujore) e diskutueshme, dërgon roje bregdetare për t’i mbikëqyrur dhe kryen kërkime në ujërat e kontestuara për të zbuluar naftë dhe gaz natyror.

Disa vende druajnë se Kina mund të deklarojë krijimin e një “zone identifikimi të mbrojtjes ajrore” në jug të detit të Kinës meridionale, sikurse e ka bërë edhe në 2013 në detin e Kinës orientale, duke zemëruar Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara. Një zonë e tillë kërkon që për të gjithë avionët që e përshkojnë –edhe në zonën ajrore ndërkombëtare- të vihen në dijeni autoritetet kineze. Kjo masë do të kishte sigurisht pak ndikim në trafikun ajror, por vendet e tjera të rajonit do ta shihnin si provokim. Që tani e deri në fillim të vitit 2016, ka mundësi që një gjykatë e OKB-së të marrë një vendim mbi një padi të ngritur nga Filipinet për të kundërshtuar pretendimet kineze. Kina ka paralajmëruar se ajo nuk do ta pranojë verdiktin.

Tregtia e lirë

Xi Jinping shpreson se pushteti ekomomik i vendit të tij do t’u kthejë mendjen vendeve të tjera që të reagojnë ndaj guximit të tij ndryshe dhe jo duke shprehur verbalisht indinjatën e tyre. Në 2015 Kina do të çojë përpara shumë marrëveshje në tregtinë e lirë. Bëhet fjalë për negociatat me Korenë e Jugut dhe Japoninë, sikurse edhe me (partneriteti ekonomik rajonal global, RCEP) 10 anëtarë nga Azia deri te Australia, India, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut. Megjithëse rritja ekonomike kineze do të ngadalësohet disi në 2015, vendi do të ngelet mjaft tërheqës për shtetet e rajonit dhe për sa i përket kërkesës për investimet që krijon. Në 2015 investimet kineze në vendet e huaja do të kalojnë për herë të parë shumën që ndërmarrjet e huaja investojnë në Kinë.

Ngadalësimi i ekonomisë nuk do t’i zvogëlojë ambiciet ekstraterritoriale të Kinës, që kanë si objektiv të ndërtojnë një stacion hapësinor dhe brenda 10 vjetëve të çojnë një astronaut në Hënë. Përgatitjet kanë nisur tashmë. Në 2016 Kina do të inaugurojë Tiangong-2, një laborator hapësinor që do të testojë teknologjitë e hartuara për stacionin hapësinor.

Vitin e ardhshëm një anije kozmike do të kthehet në Tokë pasi të ketë mbledhur mostra hënore. Kina sapo ka përfunduar ndërtimin e baze të lëshimit të raketave kozmike, mbi ishullin e Hainan. Përfaqësuesit politike besojnë se kjo bazë do të jetë një atraksion turistik mjaft popullor në vitet që do të pasojnë, duke tërhequr miliona vizitorë në çdo lëshim rakete kozmike.

Autoritet individual i fortë

Afishimi i pushtetit në rritje në Kinë, do të kontribuojë në rritjen e prestigjit të Xi Jinping në gjirin e popullit. Në 2015 gjithnjë e më shumë do të bëhet më e kuptueshme se presidenti e ka braktisur nocionin “Lidership kolektiv” dikur i pranuar nga Partia Komuniste për përfitimet e një autoriteti individual të fuqishëm. Pushteti i tij nuk e lejonte kurrsesi të ndihej i qetë. Në 2015 numri i përdoruesve të internetit në Kinë do të shkojnë 750 milion, që do të thotë dyfishi i atyre të Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë të marra së bashku. Një numër i madh përdorin rrjetet sociale për të marrë pjesë në bashkëbisedime që shajnë realitetin- disa tregohen kritikë ndaj partisë dhe drejtuesve të saj. Një ushtri e tërë censuruesish do të dyfishojë përpjekjet për t’i nënshtruar. Duhet të presim kufizime të reja tek WeChat, një rrjet social jashtë mase popullor, më i lirë se shërbimi microblog Weibo, që është tërësisht i përgjuar.

Përdoruesit kinezë të internetit do kenë material për të diskutuar në 2015. Me siguri do të denden me detajet dyshuese që do të dalin në shesh nga hetimi i Zhou Yongkang, një ish-drejtues i sigurimit, që është politikani më i lartë që është akuzuar për korrupsion që prej 1949-s. Vendimi për të hapur ose jo një proces kundër Zhou Yongkang do të shërbejë si sprovë për pushtetin e Xi Jinping- që sipas gjasave nuk do të tërhiqet. Nëse do të rezistojë, ky proces do të jetë një shembull i jashtëzakonshëm ndaj gabimeve të kryera në sferat më të larta të Partisë.

James Miles, korrespondenti i Kinës në The Economist

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button