Politika

Të zhgënjyerit në bazë, PS nis zëvendësimin e tyre me të rinj

Vendoret

Analiza e socialistëve, pakënaqësi për punësimet edhe te LSI-ja

Nga Bledi Gilaj

takim ne ps_1Partia Socialiste, ndryshe nga fushatat e tjera në tetë vitet e fundit, sivjet duhet të përballet edhe me të zhgënjyerit brenda radhëve të saj, të cilët flitet se nuk janë të paktë në numër dhe kanë mbajtur role kyçe në bazën socialiste. Madje, ende pa nisur zyrtarisht fushata elektorale ka nisur zëvendësimi i tyre, sidomos në funksione në bazë që lidhen drejtpërdrejt me zgjedhjet. Kjo situatë paraqitet problematike, pothuajse në të gjitha rrethet, ku për analizimin e saj janë angazhuar jo vetëm strukturat drejtuese në degët e Partisë Socialiste, por edhe në qendër.

Të zhgënjyerit

Nga informacione pranë bazës socialiste mësohet se 16 muaj qeverisje të kësaj mazhorance kanë sjellë pakënaqësi të shumta tek anëtarët dhe mbështetësit e PS, saqë me të drejtë është ngritur dyshimi nëse ata do ta mbështesin mazhorancën në këto zgjedhje. Pakënaqësitë dhe zhgënjimi i tyre mësohet se ka nisur që në muajt e parë të qeverisjes së majtë, kryesisht për vendet e punës. Të parët janë militantët, të cilët çdo të hënë shkonin para selisë së Partisë Socialiste dhe prisnin të takonin ndonjë deputet apo ministër socialist para se të hynin në mbledhjen e grupit apo dhe në përfundim të tij, me qëllim për t’u interesuar për ndonjë vend pune. Por, pavarësisht mundimit të tyre, shpeshherë ata kanë dalë të zhgënjyer nga pritja, madje kanë pasur edhe përplasje e replika të ashpra me punonjësit e selisë rozë. Kështu kanë vepruar me muaj me radhë, por rrallëkush ka mundur të gjejë zgjidhje. Megjithatë, ata nuk janë të vetmit e zhgënjyer, të cilët i druhet Partia Socialiste, pasi ka shumë të pakënaqur, të cilët kanë qenë në punë dhe janë larguar nga kjo qeverisje. Pavarësisht se ata janë deklaruar si mbështetës të PS dhe kanë kontribuar për këtë forcë politike, në fund janë “shpërblyer” me largim nga puna. Gjithashtu, një masë e madhe zhgënjimesh mësohet se ka ardhur edhe nga operacionet e famshme të policisë, ku abuzuesit nuk kanë qenë mbështetës vetëm të qeverisjes së kaluar, por edhe të mazhorancës së sotme. Sidomos operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje, por jo vetëm, pasi edhe ai për vjedhjen e energjisë elektrike, mendohet se kanë shkaktuar pakënaqësi të shumta në popull. Madje, sa i përket operacionit të energjisë elektrike, zhgënjimi është pritur që herët nga vetë Kryeministri Rama, i cili kur mbështeti nisjen e tij, deklaroi se ishte i vetëdijshëm që do të kishte një kosto të lartë politike.

Analizimi

Një analizë për të zhgënjyerit socialistë mësohet se është bërë nga strukturat qendrore të PS-së, por detyrimisht është kërkuar një informacion më i detajuar në shifra, të dhëna që mund të sigurohen në degët e kësaj force politike. Nga burime të besueshme pranë degëve të Partisë Socialiste mësohet se deputetë të zonave të ndryshme kanë zbritur në bazë, duke mbledhur shifrat e personave, të cilët mund të mos mbështesin socialistët në zgjedhjet vendore dhe duke analizuar riskun potencial të tyre, pasi shumë veta kanë qenë aktivë në fushatat e kaluara zgjedhore. Nga kjo analizë mësohet se është kërkuar një zgjidhje sa më e shpejtë, duke pasur parasysh se kanë mbetur vetëm pesë muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve vendore. Një prej zgjidhjeve, e cila nën drejtimin dhe angazhimin e përfaqësuesve qendrorë të Partisë Socialiste po zbatohet në bazë, është ajo e zëvendësimit të të zhgënjyerve me përfaqësues potencialë, sidomos në zona të vështira elektorale. Zgjidhja tjetër lidhet me punën sensibilizuese të strukturave të PS-së me rikthimin e besimit te personat e pakënaqur, megjithëse për momentin, duket mision i pamundur.

LSI-ja

Sa u përket të zhgënjyerve mësohet se në një situatë të tillë është edhe aleatja kryesore e PS-së, Lëvizja Socialiste për Integrim, me të cilën bashkëqeveris në këtë mandat, si forca e vetme në koalicion, e cila arriti të përfaqësohet me deputetë në këtë legjislaturë. Gjatë zgjedhjeve të fundit, veç përfitimit që LSI pati për shkak të formulës së përzgjedhjes së deputetëve, asaj iu shtuan në numër edhe votuesit në të gjitha rrethet e Shqipërisë, ashtu siç kanë nisur të shtohen të pakënaqurit për këtë forcë politike, për shkak të pragmatizmit të mbështetësve të saj. Nga burimet e sigurta në bazën e LSI mësohet se pakënaqësitë e elektoratit të kësaj force politike kanë ardhur kryesisht për mospunësimin e tyre, e tashmë, ashtu si PS, duhet të përballet me ta në zgjedhjet vendore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button