Europa

Berlini: Alexis Tsipras është i mirëpritur

Kryeministri i ri grek, Alexis Tsipras është një mik i mirëpritur në Berlin, theksoi zëdhënësja e kancelares gjermane, Angela Merkel, ndërkohë që drejtuesi i ri grek, dalë nga partia kundër masave shtrënguese SYRIZA nuk ka parashikuar një vizitë në Gjermani në kuadër të turneut të parë në Evropë.

Greqi-berlin“Po, ai është një mik i mirëpritur në Berlin”, theksoi Christine Wirtz gjatë një konference shtypi në përgjigje të një pyetjeje lidhur me këtë çështje.

“Nuk ka plan konkret takimi në këtë moment”, nënvizoi ajo duke shtuar se nuk ka pasur deri tani ndonjë kërkesë nga ana e kryeministrit grek për të zhvilluar një vizitë në kryeqytetin gjerman.

“Berlini ka interes për të pasur një kontakt të mirë dhe miqësor me qeverinë greke”, sipas zëdhënëses, e cila nuk përjashtoi diskutime delikate përsa i përket problemit të borxhit grek.

Ajo theksoi gjithashtu se samiti i ardhshëm evropian që do të zhvillohet më 12 shkurt në Bruksel do të krijojë mundësinë për një takim mes dy krerëve të qeverive.

“Qëndrimi i qeverisë gjermane është të presë për të parë se cilat janë idetë e qeverisë së re greke”, shtoi Wirtz.

Një javë pas emërimit si kryeministër, Alexis Tsipras zhvilloi sot vizitën e parë jashtë vendit, në Qipro. Ai do të vijojë turneun në Romë, Bruksel dhe Paris, në kërkim të mbështetjes, ndërkohë që Athina i ka kërkuar Evropës kohë për të propozuar një pakt të ri mbi borxhin.

Angela Merkel, kampionia e politikave shtrënguese në Evropë, përjashtoi disa ditë më parë një fshirje të borxhit publik grek.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button