Libri

Memoaret e merimangës së zezë, ose brengat e Princit Charles

Libri

Jeta personale e Princit Charles, letrat, me të cilat trashëgimtari i fronit mbretëror kërkon të përfitojë ndikim në politikë, të gjitha këto e shumë më tepër, tashmë gjenden në një libër të sapopublikuar. Dhe një biografi rrëfen mbi obsesione të çuditshme të tij. Por publikimi ka hasur edhe në kritika

Bëhet fjalë për 27 mesazhe personale të Charles, i cili në pozicionin e tij si Princ i Uellsit dhe trashëgimtar i fronit, ua ka dërguar ato ministrave dhe nëpunësve të ndryshëm ministrorë. “Black spider memos” quhen këto kujtime në gjuhën popullore atje, thënë ndryshe “memoaret e merimangës së zezë”, të cilësuara kështu, pasi janë shkruar me stilografin e zi të Princit, një detaj i pandashëm i personalitetit të tij.

E përditshmja angleze “The Guardian” prej tre vjetësh ka hapur një proces për publikimin e këtyre dokumenteve, me arsyetimin se publiku ka të drejtën t’i njohë ato përmbajtje. Princi le të shkojë, thuhet në të, me pretendimet e tij përtej neutralitetit që ia kushtëzon roli i tij si trashëgimtar i fronit, dhe si pasojë duhet të dijë edhe se ku gjendet Charles-i në kuadër të debateve politike.

Qeveria, deri më tani, e ka refuzuar publikimin e tyre. Kjo shkel një të drejtë të paprekshme, atë të diskrecionit, duke e dëmtuar Princin, e cili e humbet pozicionin e tij si përfaqësues i të gjithë britanikëve.

Gazeta, përkundrazi, argumenton se në rastin e “black spider memos”, bëhet fjalë për mendime e kontribute politike, çka e bëjnë publikimin e tyre thuajse të detyrueshëm, në mënyrë që publiku të dijë se çfarë ndodh me mbretin e tyre të ardhshëm.

Kjo gjë dihet tashmë në shumë aspekte të aktualitetit që jetojmë. Princi Charles është i njohur për atë se ai me mendimin e tij “nuk fshihet pas malit”, nëse bëhet fjalë për probleme bashkëkohore, të cilat i ka shumë për zemër të merret. Për shembull, mjekësia alternative, bujqësia ekologjike apo dhe arkitektura dinjitoze humane.

Por “black spider memos” janë të një kualiteti tjetër. Në to diskutohen aspekte të politikave aktuale të qeverisjes, në të cilat letërshkruesi përzihet (aty ku gjen mundësi) me mendimet e ndryshme.

Kjo është shumë delikate. Për shembull, çfarë thotë Charles për krizën në Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë (NHS), çfarë thotë për debatin mbi ndalimin e gjuetisë së dhelprave, çfarë për legjislacionin europian mbi të drejtat e njeriut, në të cilin ka aderuar edhe qeveria britanike, pa dëshirën e Princit, çështje që kanë të bëjnë me nderin e sovranitetin e Parlamentit britanik?

Kontradiktat – pasi në të bëhet fjalë edhe për to – çojnë thuajse në një problem të personalitetit të Princit dhe përtej tyre shtrojnë në tavolinë çështje mbi të ardhmen e monarkisë britanike. Këto çështje formojnë edhe sfondin e një libri të ri të sapodalë në treg këtë javë mbi Princin e Uellsit, me titull “Charles – The Heart of a King”, (Charlsi – Zemra e Mbretit) shkruar nga dora e Catherine Mayer, reporterja kryesore e revistës amerikane “Time”.

Zonja Mayer arrin të ketë një akses të rrallë në rrethin e brendshëm të nëpunësve të lartë pranë Charles-it, edhe bisedat personale me të janë konservuar e janë publikuar po ashtu; libri, megjithatë, nuk është i autorizuar zyrtarisht.

Në një shikim të përgjithshëm, libri paraqet një portret miqësor, nga i cili “Times” hedh vështrime mbi personalitetin e personazhit në qendër të tij, të cilat jo domosdoshmërisht janë mikluese e të miratuara prej tij.

Ndër ta, edhe kaosi i përkohshëm me të cilin përballet Charles-i si pasojë e mungesës së menaxhimit të mirëkuptimit, rivalitetet, të cilat lindin ashtu papritur e në mënyrë të panevojshme, si dhe disa vendime të gabuara me pasoja të kushtueshme.

Që ai ka të bëjë me shumë “yes”-menë, e këtë e thekson edhe autorja e librit, i atribuohet edhe “pasigurisë së lindur” të tij: ai nuk u beson shpesh lëvdatave, “ndërsa kritika mund ta çojë në dëshpërim”.

Brengat e tij rreth së ardhmes së globit ai i shkroi në fundvitin 2010 në një “opus” të rëndë në tavolinë, nën titullin “Harmony”. Në të, Charles shpërthen kundër “shkencës moderne mekanike” në terren, kundër “pikëpamjes sonë fragmentare të gjërave”, që i kanë shpëtuar tashmë mendimit perëndimor, dhe ankohet se “ne nuk duhet ta vëmë në pikëpyetje iluminizmin si ideologji”. Prirja e tij drejt religjioneve holistike të Lindjes, është e pagabueshme.

Atëherë shtrohet pyetja, pse pra ky kontribut publik për të mirën dhe të drejtën, del kështu në formën e “black spider memos”? Princ Charles është një natyrë thellësisht e dyjëzuar dhe, edhe sot e kësaj dite, vuan nga neglizhenca e kushtëzuar nga sjellja e së ëmës qysh në fëmijëri. Elizabeth II., e shqetësuar me detyrat shtetërore, ia la mirërritjen e djalit të saj më të madh, bashkëshortit shumë strikt, Princit Philip. Ai, për shembull, ishte njeriu që këmbëngulte kundër dëshirës së djaloshit për shkollim të rreptë në “Gordonstoun”-in skocez dhe kontribuoi shumë pak për të ngritur vetëvlerësimin tek Charles.

Catherine Mayer në fund vjen në një përfundim disi të palumtur, ndërsa shkruan se: “Charles III premton të bëhet një mbret po aq i paharrueshëm sa edhe Charles I”. Ai qeverisi deri në 1649 – dhe iu pre koka më pas në agimet e erës së lëvizjeve antimonarksite e republikane nga Oliver Cromwell.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button