Rajoni

Tsipras nuk guxon ende të vizitojë Berlinin

Kryeministri grek Alexis Tsipras po kërkon gjatë turneut të tij evropian faljen e borxheve. Por ai ende nuk po guxon të vijë në Berlin.

Çdo fjalë që thotë Aleksis Tsipras gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë vendit regjistrohet me saktësi në Berlin. Që kryeministri i ri grek u shpreh gjatë fushatës zgjedhore për një largim nga politikat e qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga Antonis Samaras, ishte një gjë. Sa radikal do të jetë tani ky largim në praktikë është një tjetër – dhe mjaft interesante jo vetëm për Komisionin Evropian, por edhe për qeverinë gjermane, sepse Gjermania është nga kreditorët më të mëdhenj të Greqisë.

“Një mysafir i mirëpritur”

Megjithatë vizitat e para pas marrjes së detyrës kryeministri Tsipras nuk i bëri në Berlin, por në Qipro, Romë, Bruksel dhe Paris.

Alexis Tsipras dhe Renzi
Alexis Tsipras dhe Renzi

Shefi 40-vjeçar i aleancës së majtë “SYRIZA” nuk e ka fshehur kurrë qëndrimin e tij që qeveria gjermane, të cilën shumë grekë e bëjnë përgjegjëse për gjendjen e tyre ekonomike, nuk është partnerja e tij të parë në Evropë. Berlini ka kërkuar gjithmonë nga Athina masa të rrepta kursimi në këmbim të kredive miliardëshe.

Qeveria gjermane tha se Tsipras është “një mysafir i mirëpritur” në Berlin. Kancelarja Angela Merkel nuk shqetësohet që Tsipras nuk ka ardhur ende në Berlin, sepse e di se ai nuk mund ta anashkalojë gjatë këtë vizitë. Merkel tha në Berlin “Ne jemi duke pritur për propozime nga pala greke, dhe pastaj do të hyjmë në bisedime.”

Me sa duket Tsipras po shqyrton fillimisht në vendet e tjera, se sa e madhe është gatishmëria për kompromis në radhët e BE-së për kërkesat e Greqisë, para se t’i drejtohet “kockës së fortë” Gjermanisë, e cila e hedh poshtë idenë e faljes së borxhit.

Merkel dhe Tsipras do të takohen personalisht më së voni në samitin e BE-së në Bruksel më 12 shkurt, tema e të cilit është situata në Greqi.

Dëbimi i trojkës?

Gjatë vizitës së tij të parë si kryeministër në Qipro, e cila pas kolapsit të sistemit të fryrë bankar është si dhe Greqia e varur nga ndihmat financiare ndërkombëtare, Tsipras përsëriti se nuk do të bashkëpunojnë më gjatë me “inspektorët e kursimeve” të trojkës.

Një ndërprerje e njëanshme e bashkëpunimit me troijkën shihet në Gjermani, me skepticizëm. “Nga pikëpamja e qeverisë gjermane nuk ka arsye për të hequr dorë prej këtij mekanizmi të sprovuar – vlerësim nga ana e trojkës dhe pastaj vendimet përkatëse në nivel politik” – njoftoi Zyra e Kancelares.

Të mërkurën (4.02) ministri grek i Financave Janis Varufakis do të takohet me presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi. Të enjten ai do të takohet në Berlin me homologun e tij gjerman Wolfgang Schäuble. Qëllimi i deklaruar i Varufakis është për ta çliruar Greqinë nga “robëria e borxheve”. Greqia ka borxhe në vlerë prej rreth 320 miliardë euro dhe koha nuk pret, sepse më 28 shkurt programi i mbështetjes për Greqinë merr fund.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button