Opinion

Pas festës fillojnë negociatat

Euforia pas fitores zgjedhore kaloi. Syriza zgjohet në realitetin e fakteve financiare. Greqisë i nevojitet tani ndihmë, mendon Bernd Riegert.

flamur

Një gjë nuk duhet t’ia mohosh qeverisë së re në Greqi. Ajo është në gjendje të mësojë dhe shumë shpejt. Jo më shumë se para një jave fituesit vunë në dukje forcën e tyre dhe provokuan partnerët në Evropë me kërkesat e tepruara për heqjen e borxhit, të kontrolleve buxhetore nga ana e trojkës dhe për pavarësi për grekët gjoja të skllavëruar. Pasi kryeministri radikal i majtë dhe ministri i tij i financave u përkulën mbi libra, panë numrat e vërtetë dhe sidomos pasi zhvilluan bisedimet me huadhënësit e tyre në Romë, Paris, Londër, Bruksel dhe Frankfurt, po i afrohen tani më në fund realitetit politik. Tani mund të bisedohet dhe duhet të bisedohet. Një kompromis duhet të ishte i mundshëm në interes të Greqisë dhe të gjithë eurozonës. Alexis Tsipras pëshpërit diçka mbi marrëveshjet me mirëkuptim reciprok. Kancelarja gjermane Angela Merkel e pret me gëzim madje takimin me tmerrin e eurozonës javën e ardhshme në samitin e BE-së në Bruksel. Ministri i Financave Yanis Varouvakis sugjeron madje një “plan Merkel “për rindërtimin. Një kthesë e mahnitshme.

Bernd Riegert

Klima është përmirësuar. Tani duhet të vihen mbi tryezë faktet dhe propozimet konkrete. Heqja e borxhit, këtë e pranon edhe vetë ministri i Financace Varoufakis, nuk shtrohet më për diskutim. Kjo nuk është urgjente në moment, sepse borxhet me norma të ulëta interesi kanë një skadencë prej mesatarisht 32 vjetësh. Një ristrukturim i borxhit mund të kishte sjellë lehtësim në një periudhë afatgjatë. Por kjo do të kërkonte që Greqia ta shlyente para kohe kredinë relativisht të shtrenjtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Këtë grekët do të mund ta bënin me para të freskëta, duke i marrë ato me kushte më të mira nga paketat evropiane të shpëtimit. Por ky do të ishte një program i tretë ndihme, të cilin qeveria gjermane e ka refuzuar deri tani. Ideja e çuditshme e ministrit të Financave, për t’i këmbyer borxhet e vjetra të Greqisë në obligacione me afat të pafund, është e pamundur nga ana ligjore dhe shumë e rrezikshme për donatorët. Greqia mund t’i blinte përsëri këto borxhe të vjetra, por përsëri me një kredi të leverdishme nga ombrella e shpëtimit.

Për një afat të shkurtër bankat greke dhe në këtë mënyrë edhe shteti grek, të cilit i përket pjesa më e madhe e bankave, mbahen mbi ujë nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) me kredi emergjente. BQE do ta vazhdojë ta bëjë këtë, vetëm nëse Greqia i nënshtrohet edhe më tutje një programi shpëtimi. Sido që ta marrësh: Qeveria e re greke ka nevojë për institucionet evropiane dhe ndërkombëtare, përndryshe ajo do të ishte brenda disa javësh, më së shumti disa muajsh e falimentuar. Këtë e ka kuptuar Alexis Tsipras dhe ekipi i tij dhe shpresa ekziston që të veprojnë në përputhje me këtë.

Nevojitet një politikë realiste

Deklarata për të reformuar vetë në Greqi dhe për ta bërë sistemin tatimor më eficient dhe më të drejtë është në rregull. Tani duhet të pasojnë vepra. Koha nuk pret. Deri më 28 shkurt duhet të paraqitet një plan i besueshëm, përndryshe BQE mund t’ia mbyllë rubinetin e parave Greqisë më parë se ç’mund ta priste ministri i Financave Varoufakis. Në Greqi që para fitores së Syrizës ka nisur largimi masiv i kapitalit. Njerëzit kanë votuar për një ndryshim radikal, por për të qenë të sigurtë ata tërheqin paratë nga xhirollogaritë. Për të ruajtuar likuiditetin dy banka në Greqi vetëm dhjetë ditë pas zgjedhjeve kanë nevojë për asistencë urgjente nga BQE. Ky duhej të ishte një paralajmërim serioz për qeverinë në Athinë. Edhe Eurogrupit do t’i duhet të lëvizë, për të shmangur falimentimin në Greqi. Ai nuk ka shumë hapësirë levizjeje, jo sepse do që të zemërojë grekët, por sepse nëse bën lëshime, atëherë edhe Portugalia, Irlanda dhe Qiproja, që janë gjithashtu vendet e programit, do të kërkojnë kushte më të mira.

Çështja interesante tani është se si kryeministri Tsipras do t’ia shpjegojë votuesve grekë kthimin në një politikë më realiste. Shpresat e grekëve të rraskapitur janë të mëdha. Duhen shënuar suksese, sidomos kur koalicioni i çuditshëm i Syrizës së majtë radikale dhe i partisë së djathtë ekstreme Anel po tregon të çarën e parë. Të djathtët nuk duan të votojnë një ligj të të majtëve për shtetësinë. Nëse Tsipras nuk mund të mbajë të paktën një pjesë të premtimeve sociale, ekipi i tij qeveritar do të ketë së shpejti vështirësi serioze.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button