Opinion

Eksodi i Kosovës si eksodet tona të postkomunizmit

ARBEN MANAJ

Arben ManajParadoksi i eksodeve të sotme të shqiptarëve të Kosovës drejt Perëndimit, bëhet më therës kur mendon se janë një pjesë e ish-banorëve të Europës Lindore që kanë lëvizur shumë më lirshëm drejt Europës Perëndimore dhe Lindore në kohën e komunizmit të Titos sesa sot, kur Europa ka hequr ato barriera edhe për ata që kanë qenë më të izoluarit e kontinentit në atë botë, që ishin ironikisht gjysma tjetër e të njëjtit komb.

Si pjesë e ish-Jugosllavisë edhe shqiptarët e Kosovës kanë pasur pas Luftës së Dyte Botërore gjithnjë e më shumë se të tjerët lindorë socialistë të drejtë të qarkullonin me pasaporta jugosllave në çdo vend të Europës kapitaliste dhe asaj socialiste.

Kosovarët shkonin me pasaporta jugosllave pa asnjë vështirësi deri në Britani e që kur e mendon sot shokohesh se si u përmbys ky realitet, jo për faj të tyre, por për faj, fillimisht edhe të politikave të “Satrapit të Ballkanit”, që i çoi pranë Epokës së Gurit ata që mbeten pa u shkëputur nga ish-Jugosllavia, e që fituan me shumë gjak e mund lirinë dhe pavarësinë me ndihmën e atyre që nuk i lejojnë sot të shkojnë lirshëm në vendet e tyre.

E ky është një paradoks tjetër; ai i sakrifikimit dhe ndëshkimit të atyre në emër të të cilëve NATO ndërhyri për herë të parë dhe të fundit ushtarakisht në kontinentin e vet.

Thënë kjo, nuk mund të mos thuhet edhe papërgjegjshmëria e tejskajshme e atyre që drejtojnë sot Kosovën, e atyre që luftuan në krah të NATO-s, apo edhe atyre që në atë kohë, një pjesë e madhe syresh, pinin më shumë kafe e çaj, nëpër kaficat e qebaptoret e Prishtinës, kur bombardohej Kosova nga ajri dhe këtë e shisnin si pacifizëm.

Braktisja masive e vënë re së fundmi në Kosovë dhe ikjet drejt Perëndimit, nisur nga gjendja e rëndë ekonomike dhe parametrat ekonomikë dhe socialë të shtetit më të ri të Europës, që po paradoksalisht ka euron si monedhë, kur vendet zyrtarë të BE-së nuk e kanë, po shkojnë drejt dhe përmes këtyre vendeve e më pas drejt simboleve të begatisë ekonomike europiane për një arsye dhe nevojë madhore.

Ajo është në shumicën dërmuese varfëria dhe gjakimi më se njerëzor për një jetë më të mirë, të cilën do ta bëja po të isha në këpucët e tyre, pa hezitimin dhe kokëçarjen më të vogël ndaj pallavrave të të qenët politikisht korrekt.

Nëse do të isha në mesin e atyre të rinjve të Kosovës, që rezultojnë në shifrën e 50 për qind të papunëve, s’do lija gur pa lëvizur për të pasur një shans më të mirë jashtë vendit. Ndërkohë që ata që e drejtojnë sot e dje Prishtinën i kanë zgjidhur me kohë hallet e tyre ekonomike, sa me krim të organizuar e sa me biznese për veten e sorollopin e tyre deri në shtatë breza.

Këta shqiptarë të Kosovës të varfër e aspirantë për një jetë më të mirë, nuk do duhen viktimizuar e as paragjykuar, madje do duhen vlerësuar se me gjestet e tyre, ligjërisht të papranueshme, por jo moralisht të atilla, po arrijnë, me shpresë, të ndërgjegjësojnë dhe sensibilizojnë, sa nuk është vonë, udhëheqësit e tyre, por edhe ata të vendeve që u mbesin në prehër, se do duhet një qasje ndryshe dhe më racionale.

Është e frikshme kur mendon se nga tërë shtetet e kontinentit, Kosova dhe banorët e saj janë të vetmit që nuk gëzojnë lëvizjen e lirë në regjimin Shengen pa viza. Ndonjë kritizer i paguar nga Eulex-i, mund edhe të argumentojë se qeveria e Kosovës do të duhet të përmbushë kriteret e shumta të vendosura nga Brukseli apo kërkesat për sigurinë e pasaportave e dreqi me të birin. Po padyshim që duhet, dhe qeveria e Kosovës ka mëkate të mëdha në këtë pikë.

Por ajo që them është se edhe eurokratët e Brukselit, nuk ka përse të jenë kaq rixhidë dhe moskokëçarës me një popull që turpëronte europianët me skenat e gjenocidit dhe eksodeve masive të kohës së bombardimeve të NATO-s, që shpërnguleshin e dëboheshin si bagëtitë në mes të Europës ku të mundnin.

Edhe teknokratët e Brukselit, ashtu siç mbyllën një sy e një vesh për qarkullimin e lirë të shqiptarëve, maqedonasve, malazezëve, e aq më tepër të serbëve, (më shumë si agresorë të shqiptarëve të Kosovës), shumë mirë mund të tregohen më tolerantë dhe të ofrojnë një mundësi më të madhe për Kosovën se nuk mbytet as Gjermania e as ndonjë shtet tjetër nga dyndjet e shqiptarëve të Kosovës.

Nuk u përmbyt as nga dyndjet e bullgarëve e rumunëve që sot po ua thajnë shërbimet sociale e buxhetet e pushteteve lokale në vendet e tjera anëtare të BE-së me benefitet që përfitojnë dhe me të cilat abuzojnë.

Ky tolerim për shqiptarët e Kosovës do të ishte një leverdi më e madhe ekonomike dhe burokratike për këto shtete ku shkojnë e përfundojnë eventualisht shqiptarët e Kosovës, ku kërkojnë azil, apo edhe qëndrojnë në të zezë.

Ashtu si edhe nga ato vende që sot udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, edhe shqiptarët e Kosovës do të mund të lehtësonin, paçka se në të zezë, gjendjen e tyre ekonomike, që nuk është krimi dhe fatkeqësia më e madhe e banorëve të kontinentit.

Në kushtet kur Europa dhe shtetet më të fuqishme nuk është se po investojnë masivisht në Kosovë e po krijojnë vende të reja pune, e në kushtet kur po kjo Europë i gjen fondet dhe miliardat kur do ose kur ia zënë kokën me derë, siç ndodh për çështjen e borxheve greke, spanjolle, portugeze, irlandeze e kështu me radhë, edhe në këto kushte dhe privacione oportunitetesh, nuk mund të demonizosh, jo më shumë se një milionë gjithsej të rinj të Kosovës, aq sa janë vetëm polakë të rinj nëpër qytetet britanike, se me ardhjen dhe lëvizjet e tyre eksodike janë kërcënimi më i madh për kontinentin.

Deri më sot emigracioni i shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, si dhe remitancat e tyre kanë mbyllur shumë plagë sociale dhe ekonomike apo edhe trauma politike, që në mungesë të tyre, do t’i kishin kushtuar ekonomikisht BE-së shumë më tepër sesa kaq.

Europa dhe Perëndimi shqetësohet se në Greqi papunësia është 25 për qind dhe në mesin e të rinjve grekë është 50 për qind, sipas statistikave më të fundit në faqen online të BBC.

Nuk kam frikë, por bindje se në Kosovë këto shifra janë më të larta se kaq.

E nëse do kundër-reagohet se një palë janë shtetas të BE-së dhe të tjerët nuk janë, paçka se nuk i ndajnë gjeografikisht as 500 km distancë nga ku jetojnë respektivisht, ky do të ishte cinizëm i pastër, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër.

Edhe shqiptarët dinë të vënë zjarr dhe të thyejnë xhama qeverish, si edhe grekët nëpër rrugët e Athinës e qyteteve të tjera, dhe skenat e fundit në Prishtinë kanë edhe elemente të pakënaqësisë që vlon në mesin e atyre që nuk kanë asnjë shpresë në atë vend, e që kanë mbi kokë qeveritarë që mbushin brekët kur plebeut i shkon thika në kockë, apo duan t’u marrin edhe atë pasuri që u ka mbetur, si Trepça.

Për aq kohë sa qeveritë e Kosovës nuk do bëjnë ato detyra shtëpie me urgjencë që kanë vënë burokratët e Brukselit për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, si qytetarët e fundit të izoluar të kontinentit, dhe për aq kohë sa burokracia e Perëndimit europian nuk ndërgjegjësohet se një popull me këtë të lëvizje u kushton më pak sesa pa të, eksodi jo vetëm që do vazhdojë, por edhe nëse tentohet të frenohet do shpërthejë diku tjetër, duke krijuar një vatër zjarri ekstra nga të paprivilegjuarit dhe të viktimizuarit, që do kërkojë vëmendje të kushtueshme financiarisht për ta shuar, në kushtet kur kanë boll andralla të tjera me kanakarët e tyre të llastuar diku gjetkë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button