Home / Arte / Jeta e Gerhard Richter në Galerinë e Arteve

Jeta e Gerhard Richter në Galerinë e Arteve

Filmi i regjisores Corina Belz tregon jetën e një prej artistëve më të mëdhenj gjermanë

Ai konsiderohet si një nga artistët më të shtrenjtë në botë. Një pikturë abstrakte e tij ka thyer rekordin e shitjes në një ankand, duke u blerë për 34,2 milionë dollarë.

Gerhard-Richter-Zwei-Liebespaare_1Të shohësh jetën e një artisti në studio kupton më mirë punët e tij. Corinna Belz e dinte se nuk mund të realizonte dot një film për jetën e Gerhard Richter nëse nuk e vizitonte në studio. Në telajot e lëna përgjysmë, ngjyra e kuqe dukej se do të shndërrohej në një tablo të madhe. Gerhard i pëlqenin hapësirat. Kur ngjyrat pushtonin ato atëherë idetë merrnin formën që kishte lindur më parë në mendjen e tij. Gerhard di ta tregojë të vërtetën e jetës edhe pa të shokuar. Pikturat e tij ngjajnë si fotografi. Teknika e Richter-it, si për kuadrot abstrakte, ashtu dhe për ato figurative, është gjithmonë e njëjta. Si imazhi, ashtu edhe abstraksioni janë ndërtuar mbi telajo me mjaft pika ngjyrash, mbi të cilat artisti kalon lehtësisht më pas penelata të mëdha, duke e sfumuar sipërfaqen me ngjyrë ende të freskët e duke krijuar kryevepra të vërteta. Kuadrot e Richter-it janë ashtu si jeta e tij, një vijimësi ngjarjesh që ky piktor i ka përshkuar si të ishin një penelatë që kalon mbi telajo pa ngecur gjëkundi. I lindur në Gjermaninë Lindore, kur komunistët i fusnin hundët dhe spiunonin gjithçka, ndërsa kishte arritur me tren pranë kufirit të Gjermanisë së lirë, asaj Perëndimore, vendosi të mos zbriste, siç duhej të bënte sipas rregullave të hekurta të vendosura nga regjimi. Duke rrezikuar burgun, madje edhe dënimin me vdekje, kaloi kufirin pa u dalluar nga asnjë rojë, sikur të ishte një nga penelat e tij duke rrëshqitur mbi sipërfaqe … Gjatë gjithë jetës do të bëjë gjëra thelbësore dhe tepër të rëndësishme për historinë e artit bashkëkohor, pa arritur që ndokush ta vërë re talentin e tij. Krejt pa u ndier, pa zhurmë e bujë, ai kaloi nga anonimati te të qenët emër i njohur dhe te fama … të gjithë këtë jetë regjisorja Belz e tregon në filmin që do të shfaqet më 11 shkurt në Galerinë Kombëtare të Arteve. Gerhard Richter vlerësohet si një nga artistët më të rëndësishëm bashkëkohorë. Ekspozitat e tij janë të njohura në mbarë botën, si dhe ka marrë çmime të shumta ndërkombëtare. Filmi do të shoqërojë ekspozitën “Muzikë me origjinë të panjohur” të Sigmar Polke, e cila mund të vizitohet deri më datë 22 shkurt 2015 në Galerinë Kombëtare të Arteve. Gerhard Richter i përket të njëjtit brez të Polke-s, të dy studiuan dhe punuan në vitet ’60 në Dyseldorf dhe themeluan së bashku të ashtuquajturin “realizëm kapitalist”. Ai konsiderohet si një nga artistët më të shtrenjtë në botë. Një pikturë abstrakte e tij ka thyer rekordin e shitjes në një ankand, duke u blerë për 34,2 milionë dollarë.

I lindur në vitin 1932 në Dresden, Richter u largua nga Gjermania Lindore në vitin 1961 drejt Gjermanisë Perëndimore vetëm pak muaj para se të niste ndërtimi i murit të Berlinit. Ai fillimisht u vendos në qytetin perëndimor të Dyseldorfit dhe më vonë u shpërngul drejt Këlnit, ku jeton edhe sot. Në vitin 2007, një punim i tij në xham u zbulua në Katedralen e Këlnit, një nga atraksionet turistike më të vizituara në Gjermani. Piktura e tij ikonike “Dy qirinjtë” e vitit 1982, u shit për 9.7 milionë euro në një ankand në Nju Jork, çmim të cilin ai e quajti “të pamundur për t’u kuptuar duke parë krizën globale”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.