Home / Arte / Film / Shqipëria, vetëm me stendë në Berlinale

Shqipëria, vetëm me stendë në Berlinale

Nisi dje në Berlin, edicioni i 65 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit / Filmi “Burrneshat” hyn në konkurrencën zyrtare për “Luanin e Artë”. Më 12 shkurt, premiera ndërkombëtare

banner_burrneshat_1“Nobody wants the night”, i regjisores spanjolle Isabel Coixet, ka hapur dje edicionin e 65 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Historia e dy femrave që presin gjatë njeriun që dashurojnë, duke dashur të dyja të njëjtin person, por në mënyra të ndryshme, ishte dhe fabula që u shfaq e para në ekranin e madh të Berlinales. Personazhi kryesor i këtij filmi është aktorja e famshme Juliette Binoche. Qindra regjisorë, aktorë, producentë filmash, skenaristë apo gazetarë, kanë zbritur dje në Berlin, për të ndjekur eventin ndër më prestigjiozët në Europë. Qendra Kinematografike Shqiptare njoftoi se do të jetë e pranishme me një stendë në Berlinale, përkatësisht në “Europian Film Market” në stendën 118. Për në festival është përgatitur dhe një katalog, i cili tregon historinë e kinemasë shqiptare, si dhe filmat e prodhuar vitet e fundit. Shqipëria është ende larg prezantimit të saj në këtë ekran me një prodhim të saj kinematografik. Fondet e vogla që kanë marrë filmat shqiptarë këto vite, e bëjnë kinemanë të vazhdojë të jetojë një krizë të gjatë. Pothuajse të gjitha filmat e prodhuar vitet e fundit nuk kanë mundur të jenë për një ekran që i kalon kufijtë e Shqipërisë. Vetëm disa muaj më parë, QKK-ja i tha jo dhe prezantimit të Shqipërisë në garën e çmimeve “Oskar”. Kjo, pasi asnjë nga filmat konkurrues për t’u pranuar në Academy of Motion Picture, Arts and Sciences 2015 apo njohur ndryshe si Akademia e Oskarit, nuk ishte në lartësinë e duhur. Filmat që u hodhën poshtë nga juria e QKK-ishin “Ada” me regji të Spartak Pecanit dhe “Amsterdam Express” me regji të Fatmir Koçit.

Por, përtej këtij debati të gjatë këto vite, mbi arsyet pse mungon një film i mirë shqip, në Berlinale, do të jetë konkurrojë zyrtarisht për “Ariun e Artë” filmi “Burrneshat” i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Nën skenarin e autorëve italianë, Laura Bispuri dhe Françeska Manieri, me regji të Laura Bispurit dhe me aktorët: Alba Rohrwacher, Lars Eidinger, Flonja Kodheli, Luan Jaha, Emily Ferratello e Ilire Vinca Çelaj do të ketë premierën botërore më 12 shkurt. “Burrneshat” është filmi i parë i mbështetur nga QKK-Kosovë, që hyn në konkurrencë zyrtare në Berlinale. Berlinalja shpalli listën e 23 filmave që do të marrin pjesë në këtë festival të 65 ndërkombëtar filmi, 19 nga të cilët do të garojnë për “Ariun e Artë” dhe “Ariun e Argjendtë”. Filmi me skenar të italianes Laura Bispuri mbështetet në romanin “Hana” të autores shqiptare Elvira Dones. Filmi flet për Hana Dodën, e cila ende një vajzë e vogël, braktis fatin e saj për të qenë thjesht një bashkëshorte dhe shërbëtore, e ardhme e detyruar kjo për gratë në malet e ashpra të Shqipërisë. Duke ndjekur udhëzimet e ungjit të saj, i bindet ligjit të vjetër të Kanunit, i cili u jep grave mundësinë për të jetuar të lirë si burrat dhe pasur një pushkë, duke marrë në këmbim betimin e virgjërisë së përjetshme. Për të gjithë Hana – Marku, bëhet një “virgjëreshë e betuar”. “Burrneshat” është bashkëprodhim i Italisë (“Vivo Film”, “Colorado Film Production”), Kosovës (“Era Film”), Shqipërisë (“Era Film”), Zvicrës (“Bord Cadre Film”), Gjermanisë (“Match Factory”). Është i financuar nga Ministria e Kulturës në Itali, Qendra Kinematografike e Kosovës, Euroimages dhe nga Media Programme (Komuniteti Europian). I mbështetur nga televizionet RSI (Radio Televizioni Zviceran) dhe RAI CINEMA (Radio Televizioni Italian). Stendës së Shqipërisë në Berlinale do t’i bashkohet edhe Kosova ku do të prezantohen disa projekte filmike në zhvillim, që kanë marrë mbështetjen nga QKK-ja e Kosovës dhe e Shqipërisë. Rreth 400 filma nga 95 shtete do të shfaqen përgjatë 10 ditëve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Në seksionin “Retrospektivë”, ky vit do të kujtojë klasikët.

Leave a Reply

Your email address will not be published.