Home / Intervista / Kisha Katolike kundër Zhitit: Jo ambasador mysliman në Vatikan

Kisha Katolike kundër Zhitit: Jo ambasador mysliman në Vatikan

Nga: Fatmira Nikolli*

Kisha Katolike del kundër kandidaturës së Visar Zhitit si ambasador i Shqipërisë në Vatikan. Lajmi bëhet publik nga imzot George Frendo, ipeshkv ndihmës i dioqezës Tiranë-Durrës dhe sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike.

52992Në një intervistë për “GAZETA SHQIPTARE”, ai jep qëndrimin zyrtar të Kishës Katolike dhe arsyet pse kundërshtohet emri i Zhitit. Arsyeja në fakt, është një dhe e vetme: Besimi fetar i Zhitit. Kisha është kundër një ambasadori mysliman në Vatikan, kur Shqipëria është një vend ku 12-15% e popullsisë është katolike. Për ta, mundësitë e gjetjes së një emri katolik janë të shumta, madje imzot George Frendo, shprehet se qeveria duhet të ishte konsultuar me ipeshkvinjtë, dhe se kisha i ka shprehura ankesën e saj për “emrin Zhiti” presidentit Nishani dhe kryeministrit Rama.

Kryeministri i vendit, Z.Edi Rama, ka propozuar si kandidat për ambasador të Shqipërisë në Vatikan, z.Visar Zhiti. Si e ka pritur Kisha Katolike këtë propozim?

Së pari, dua të theksoj se Kisha Katolike nuk ka asgjë kundër personit Visar Zhiti. Absolutisht asgjë. Është një person me integritet. Megjithatë, duhet të kemi parasysh që selia e shenjtë është një shtet shumë i veçantë, sepse edhe në kremtimet e veçanta për të cilat zakonisht ftohen ambasadorët, ka shumë kremtime liturgjike, fetare e prandaj, edhe për raste të tilla është shumë e përshtatshme që ambasadori kur është e mundshme, dhe këtu në Shqipëri sigurisht që është e mundshme, të caktohet një person katolik.

Këtu është mundshme, sepse katolikët përfaqësojnë, 12-15% të popullsisë. Persona katolikë të aftë për këtë detyrë kemi shumë.

Cilët mund të jenë emrat?

Më mirë jo me emra.

Mbase i ngarkuari me punë tani në Ambasadën e Vatikanit, z.Ardian Ndreca?

Ardian Ndreca është paraqitur si propozim i kryeministrit për ambasador në Vatikan. Ai nuk është pranuar nga presidenti. Por, kemi shumë intelektualë të tjerë që mund të merren me diplomaci e veçanërisht me diplomacinë e selisë së shenjtë. Edhe si ambasador në selinë e shenjtë, kur është dikush që është familjar me kishën, me personelin e Kishës Katolike, atëherë kjo është sigurisht një avantazh, pasi është ambasador në një shtet të veçantë. Më duhet të theksoj se përveç kësaj, vitin e ardhshëm, ne do të përkujtojmë përvjetorin e 25-të të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Vatikanit, që nga rënia e regjimit komunist. Deri tani, qeveria gjithmonë para se të caktonte ambasadorin është konsultuar me hierarkinë dhe me ipeshkvinjtë në Shqipëri. Dhe ka qenë gjithmonë ambasador një katolik.

Në këtë rast, qeveria nuk është konsultuar me Kishën Katolike?

Me ipeshkvijtë jo. Për këto arsye do të dëshironim që të jetë një katolik dhe do donim që qeveria të konsultohej me ipeshkvijtë për emrin.

Pse nuk mund ta bëjë detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan, një mysliman si Zhiti, i cili nuk është radikal, është i moderuar, një shkrimtar, poet, përkthyes i poezive të Papa Vojtilës, dhe që ka marrëdhënie të mira e bashkëpunim me komunitetin katolik në Shqipëri?

Nuk dyshoj për të, nuk kemi asgjë kundër tij, siç ju thashë më lart. Por, kur është një person që është familjar me Kishën Katolike dhe vetë është katolik, atëherë kjo është për të mirën e tij. Është një cilësi plus, një avantazh për personin që e kryen këtë detyrë.

Si ia bën Vatikani me ambasadorët e atyre shteteve që janë myslimane?

Kjo është situatë tjetër. Shqipëria nuk është një vend mysliman, është një vend laik. Duke respektuar laicitetin e shtetit, dhe për faktin se kemi këtë përqindje të katolikëve në këtë vend, atëherë besoj se është shumë më e përshtatshme dhe logjike që të caktohet një katolik.

Vetë Kisha Katolike shqiptare, është konsultuar me Vatikanin? A i merr mendim Vatikani Kishës Katolike Shqiptare, për emrin e ambasadorit të Shqipërisë atje?

Jo. Për sa e di unë jo. Di që Vatikani ka pyetur pse ende nuk është caktuar një ambasador sepse ka më shumë se një vit jemi pa ambasador për selinë e shenjtë.

Ia keni shprehur shqetësimin tuaj për emrin e Zhitit shtetit shqiptar?

Po, ia kemi shprehur autoriteteve shtetërore. Konkretisht presidentit dhe kryeministrit.

Ata janë në dijeni të kundërshtimit tuaj?

Po janë.

Për këtë arsye e ka kundërshtuar presidenti Nishani emrin e Zhitit?

Ne ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare për letrën që kemi dërguar.

Kur është dërguar letra?

Pardje (të enjten). Menjëherë, pasi mësuam nga media se ishte propozuar nga kryeministri emri i zotit Zhiti.

A duhet të jetë patjetër ambasadori i Shqipërisë në Vatikan përfaqësues i katolikëve Shqiptarë?

Jo, vetëm se është më e përshtatshme. Dhe nuk do të ketë asnjë problem, për shtetin dhe qeverinë që të caktojë një katolik. Deri tani, gjithmonë është respektuar ky fakt.

Cilët kanë qenë ambasadorët e Shqipërisë në Vatikan?

Por, për shembull, Villi Kamsi ishte i pari, Pjetër Pepa, Zef Bushati, Rrok Loku, Jub Bushati. Këto mund të përmend që i kujtoj, por të gjithë janë katolikë.

A mund të ndodhë që qëndrimi juaj të keqkuptohet? Ju doni një katolik nga veriu?

Jo, nuk ka rëndësi që është nga veriu apo nga jugu. Mund të jetë edhe nga jugu. S’ka rëndësi, rëndësi ka të jetë katolik që të mund të zhvillojë më mirë detyrën e tij si ambasador për selinë e shenjtë.

Janë ritet fetare që nuk i njeh një mysliman, është mënyra se si e shpreh besimin, ku është problemi?

Jo vetëm këtë. Sigurisht që një ambasador i cili nuk është katolik, nuk e ka të detyrueshme, të shkojë për çdo kremtim liturgjik, në të cilët zakonisht ftohen ambasadorët, megjithatë, kur është një rast i veçantë, për shembull, kur shpallet një i shenjt i ri, kur emërohen kardinalë të rinj, ftohen ambasadorët. Një që nuk është katolik, në këto raste, ose nuk shkon fare, nuk është i detyruar, ose ndihet si një ‘peshk në zall’.

Por, ai mund të shkojë siç shkon për shembull ambasadori i Kuvajtit, në një rast të tillë?

Mund të shkojë, por dihet që ndihet jashtë vendit. ‘Peshk në zall, peshk pa ujë’.

Papa Françesku, kur erdhi në Shqipëri, vlerësoi Shqipërinë e shqiptarët, harmoninë fetare, foli për të përndjekurit. Parë nga ky këndvështrim, fakti që zoti Zhiti është një ish-i përndjekur politik, por nga ana tjetër, sjell edhe shembullin e harmonisë fetare, a duhet të jetë një arsye më shumë pse ai duhet të shkojë?

Kemi shumë mënyra se si të tregojmë bashkëjetesën paqësore dhe harmoninë ndërfetare. Kemi shumë raste për ta treguar. Shteti i Vatikanit është një shtet i veçantë. Për të dërguar një person si ambasador në një vend, presupozohet, që ai duhet të ketë pak idenë e diplomacisë dhe të jetë familjar me atë vend ku dërgohet si ambasador.

Por z.Zhiti ka qenë pjesë e ambasadës tonë në Romë dhe është familjar, nuk vlen kjo?

Po, ka qenë. Por, shteti i Vatikanit, dallon shumë, shumë nga çdo vend tjetër. Ambasadori i Vatikanit është ambasador, i një shteti që është njëkohësisht edhe një besim. Që të jetë ambasador për këtë shtet, pra për Vatikanin, nuk them një kusht, por është një përparësi që ti përkasë atij besimi.

Megjithatë, kemi një të ngarkuar me punë atje, që është Ardian Ndreca. Ju a do ishit dakord për emrin e tij si ambasador?

Përveç faktit se ai nuk është miratuar nga presidenti, ka edhe një problem tjetër me Ndrecën. Ai punon në një organizëm kishtar atje në Romë. Ka një klauzolë në diplomacinë e Vatikanit, që ambasadori mos të jetë një person i cili është i punësuar me organet kishtare.

Leave a Reply

%d bloggers like this: