Home / Kryeartikull / Rrethimet e Kryeministrit

Rrethimet e Kryeministrit

ALEKSANDËR ÇIPA

Aleksander CipaQeveritë e sotme në Europë nuk kanë fatmbarësi në kohët e mandatit të tyre qeverisës. Asnjë prej tyre nuk ka më kohën e mbrame të periudhës së viteve 2000. Qeveritë e rajonit tonë pra, Ballkanit, janë edhe më fatmbrapshta, pas krizës së shpallur të vitit 2009 sidomos në Itali dhe Greqi. Koha që rrodhi paskësaj, për shtetet ballkanike, është edhe me më tepër vështirësi. Të dyja vendet anëtare të BE-së ishin të parat që dhanë alarmin e rënies në kthetrat e kapitullimit financiar pak muaj pas shembjes së bankave amerikane të Wall Street-it, të cilat u bënë preja e parë e krizës komplekse financiare dhe ekonomike që kaploi për kohë të gjatë, sistemin bankar dhe ekonominë globale.

Greqia është shteti i vetëm i rajonit tonë që u gjend e para në humnerën e falimentit dhe që e përmbysi marrëdhënien dhe historinë e lidhjes së saj me Europën. Nga e përkëdhelura dhe e favorizuara e saj në gati 40 vjetët e fundit, u shpall si borxhlesha më e madhe e kontinentit. Kriza që u shpall, zhvleftësoi qëndresat dhe mandatet e plota kohore të qeverive. Nga 2009 gjer më sot Athina ka ndryshuar pesë kryeministra dhe ka pasur numrin më të madh të ministrave përgjatë 50 vjetëve të fundit. Më të përkohshëm se përkohësia janë ndier ata dhe kabinetet në të cilat kanë marrë pjesë. Në epiqendër të krizës nuk ka qenë qeverisja, por populli dhe shoqëria greke, duke e marrë këta të fundit rolin e protagonistit dhe të vepruesit në raport me Europën, sistemin dhe zhvillimet komplekse në relacionet politike, ekonomike dhe financiare me institucionet e BE-së. Kryeministrat e këtyre gjashtë vjetëve në Athinë kanë pasur rolin e papërballueshëm të përballjes me krizën nga pozitat e të qenët në fund të humnerës dhe të të detyruarve për të luajtur si toreadori me “duart bosh” në arenën ku del bisha e egër-krizë. Ky spektakël krize në Greqinë fqinje nuk është mbyllur ende dhe nuk dihet se sa të papritura mbart. Mbërritja te besimi grek me votë, te majtisti radikal, Cipras, nuk është zgjidhja, por teka e një besimi utopik dhe pse jo, heroik. Nuk dihet dhe nuk po parashikohet ende se cili do të jetë fundi dhe se si do të shkojë fati i “bijës Athina” në raport me “nënën Europë”, e cila (kjo e fundit-Europa), me çdo kusht do borxhet e mëdha prej mbi treqind e ca miliardë euro.(!)

Kjo Greqi e rënë, po ndëshkon keq e mos më keq edhe të parënët shtete, afër dhe rreth saj, në gadishull e në kontinent, pra shumëfish edhe fqinjën Shqipëri që e përdori gjatë gjithë tranzicionit, si të “kapurën e saj”.

Po disi më ndryshe është fati shqiptar i qeverive të këtij 10 vjetëshi në Shqipëri. Ish-kryeministri Sali Berisha i mbylli dy mandate kalendarike qeverisëse, duke ia lëshuar vendin Kryeministrit aktual, Edi Rama.

Tetë vjet të qeverisjes “Berisha” po na krijojnë perceptimin se kanë qenë më pak të lodhshme se gati dy vitet e para të qeverisjes së Kryeministrit Rama.(!) Pse ky perceptim dhe kush po e shumëfishon negativisht atë?  Kryeministri Rama po rrethohet këto ditë edhe nga një faktor tjetër –anti. Është fatkeqësia e përmbytjeve dhe vërshimeve të lumenjve që ka rënë së pari, në jug dhe në ultësirën e Shqipërisë së Mesme, këto ditë. Përbindëshi i ujtë po vërshon, sipas gjasave edhe prej hapjes së portave të HEC-ve në Drin apo zonën veriore të vendit. Përmbytjet në Ultësirën e Shkodrës duket se po e përmasojnë fatkeqësinë dhe krizën humane dhe atë të shembjes së ekonomive dhe bizneseve private. Kjo do të bëhet prezent më shumë ndoshta pas një apo dy ditësh. Një krizë në përmasa të një katastrofe, për të cilën opozita e djathtë, kërkon e mbështetur edhe nga Presidenti, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa Kryeministri dhe qeveria po ndjekin linjën e emergjencës dhe të kontributit të drejtpërdrejtë me ndihma dhe masa evakuese. Ky është rrethimi i fundit që i bëhet Kryeministrit Rama. Disa të tjerë dhe më të rafinuar dhe po aq të pamëshirshëm i janë bërë me kohë, para se të niste ditët zyrtare të qeverisjes. Rrethimet e para kanë emër dhe përmbajtje politike. Nisën që me koalicionin dhe me të shkuarën e partnerit të vet në qeverisje, kryeparlamentarin që është kryetar i LSI-së, zotin Ilir Meta dhe sidomos me mospasjen e lirisë për të krijuar sintoni me drejtuesit e lartë të institucioneve të cilët u zgjodhën e u vendosën për një “ditë matanë qeverisjes së vet” nga ish-kryeministri Berisha. Koha e pasqeverisjes “Berisha” është kohë e një energjie të konsumuar e të shpenzuar si për lodhje të shpejtë, për Kryeministrin Rama. Ky qëllim është lehtësisht i lexueshëm prej strategjisë së kundërshtarëve dhe pse jo edhe te një masë e aleatëve të tij. Propagandisht opozita dhe i palarguari Berisha vijojnë të mbajnë në punë një stuhi dhe makineri që punon me të gjithë fuqinë e motorëve. “Heshtje s’ka”, do të thoshte Xhevahir Spahiu. Nuk ka heshtje për asgjë dhe për çdo orë. Nën këtë stuhi dhe vrull të pashembullt kaotikësh, qeveria e zotit Rama me gjithë problemet dhe paqetësinë  e vet të brendshme, po madhon një tjetër rrethim. Është një rrethanë dhe situatë me “disa përbindësha”, të cilët nuk kanë rrethuar vetëm Kryeministrin, por edhe terrenin, skenën politike, jetën institucionale dhe mbi të gjitha, “zemrën” e ekonomisë dhe atë të thesarit. Kryeparlamentari Ilir Meta paraqiti dje para publikut guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë, duke na kumtuar, në një lloj mënyre, se roli dhe forca e tij në këtë zgjedhje është përcaktuese. Misteret e qeverisjeve të Shqipërisë  së tranzicionit shpesh ose fshihen, ose shpërthejnë dhe kanë lidhje me thellësitë e Bankës së Shqipërisë. Këtë “rrethim” ekzistencial të qeverive Kryeministri Rama e “shijoi apo përjetoi” qysh në muajt e parë të qeverisë së vet, kur plasi skandali i vjedhjes së thesarit dhe u mbishkoi ditëve dhe muajit të paplotë të prangosjes, ish-guvernatori Fullani.

Por rrethimi më aktiv dhe lehtësisht më i fryrë, është ai që lidhet me shpirtin dhe nevojën sociale të shoqërisë, në të cilën gjeratori më i fortë antiqeveri është gjendja dhe lodhja psikologjike. Këtë zymtësi të 2015 nuk e kishin shqiptarët e vitit 2013. Kohë për sqarim e për analiza, Kryeministri dhe partia e tij nuk kanë. Orët janë më të gjata se ditët në kësi kushtesh. Dhe durimi për çdo sekondë është edhe më i paktë. Aq më tepër shfajësimi “Dhe fajin e ka Berisha”, nuk dëmton apo akuzon të shkuarin, por rëndon e bën me faj vetëm qeverisësin!

Betejat antivjedhje, antiligj dhe antiabuzuesve në këtë kohë dhe në kësi rrethimesh, po shndërrohen një tjetër rrethim për vetë Kryeministrin. Fjala e tij e djeshme në takimin me drejtuesit e sistemit bankar të vendit dhe mbështetja e letrës publike të ministrit të Bujqësisë për favorizimin e fermerëve e bujqve me shtyrjen e afateve të kësteve të kredive, për shkak të fatkeqësisë së shkaktuar prej përmbytjeve, apo ideja për një amnisti, janë gjithashtu lëvizje që mbartin edhe logjikën e një “rrethimi tjetër shtesë”.

Por rrethimet e Kryeministrit nuk mjaftojnë vetëm me kaq. Rrethanat rajonale dhe ato globale janë të tilla që ia kanë hequr ose së paku në dukje ka triumfuar ky perceptim, sikur Shqipëria është në fatalitetin e lënies në mëshirë të Zotit. Po t’u rikthehesh situatave në tri shtetet fqinje, dilemat janë më të mëdha se kurrë dhe efektet prej një statusi të paparashikueshëm në këto vende, mund të jenë nga më të paimagjinueshmet. Greqia “fildispanjën” e krizës së ekonomisë dhe sidomos të sistemit të vet bankar e ka të lidhur edhe në “qafën” e sistemit tonë.

Maqedonia është futur në një kapitull të ri krize të brendshme dhe me qasje të rrezikshme për sistemin funksional të demokracisë dhe bashkëjetesës etnike, sikundër erërat e trazimit fetar brenda saj, janë më të vrullshme se kurrë më parë. Kosova, shteti tjetër i hapësirës sonë, është në orët e një krize që buron prej vetes dhe nuk mbaron prej vetes. Arratia masive e banorëve të saj, mbulon në mos një skenar apo disa, së paku shumë fije që lëvrijnë dhe lidhen me interesa dhe intriga gjeopolitike. Ky horizont i zymtë, mbushur me re rrebeshesh e acaresh në rajonin dhe kontinentin tonë, shton më shumë se të gjitha rrethimet e ngushta, një frikë dhe horizont për rrethimesh krizash, shtesë. Në këtë skenë të vogël dhe të madhe rrethimesh, Kryeministri Rama  mund të ketë pretendimin e heroit-zgalem, por i nevojiten mbi gjithçka, anija, vetitë dhe cilësitë e “kapitenit që zotëron anijen”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.