Home / Kryeartikull / Shqipëria e vetëmbytur nga teoria zero

Shqipëria e vetëmbytur nga teoria zero

AGO NEZHA

Ago NezhaNë këta 24 vjet të ashtuquajtur nga politikanët tanë me himnin solemn “demokraci”, Shqipëria ka përjetuar tragjeditë, fatkeqësitë dhe marrëzitë më monstruoze, që nuk i ka përjetuar komb tjetër në historinë e tij shekullore. E kujtojmë Shqipërinë e para 24 vjetëve me varfërinë e saj ekonomike, me izolimin e saj politik, me barazinë e saj sociale, që shpresuam se pluralizmi politik do sillte një mirëqenie të lartë ekonomike dhe një drejtësi të pastër sociale. Por gjithë këto ëndërrime u plagosën dhe u kthyen në zhgënjime, qëkur ndryshoi sistemi, me parakalimin e ideve dhe filozofisë mesjetare të pseudodemokratëve: të shkatërrojmë çdo gjë që është ndërtuar në 50 vjet monizëm, me argumentin grotesk se ideologjia ka penetruar edhe në ekonomi. Kjo filozofi, që u kthye në strategji, e konvertuar nëpërmjet teorisë zero, nuk ishte një mentalitet i trashëguar, por një veprimtari e organizuar dhe implementuar nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm që kanë investuar për ta kthyer Shqipërinë në shkretëtirë mjedisore, ekologjike, ekonomike dhe shpirtërore. Kujtojmë Shqipërinë e para ’90, nga Jugu në Veri, ishte e mbuluar nga pyje, kullota, agrumishte e pemëtore të mobiluara e sistemuara me tarraca, kanale kulluese e vaditëse të veshura me pllaka guri, brezare dhe argjinatura që pengonin erozionin natyror. Ndonjë pusht- “demokrat”, mund të më quajë nostalgjik të së kaluarës. Por le ta kujtojmë realitetin që lamë pas me të metat dhe të mirat e tij. Demokrat, do të thotë që ta shikosh realitetin në sy dhe jo të hedhësh baltë dhe të shash me libër shtëpie. Po të hedhësh një vështrim panoramik se çfarë është bërë me pasurinë pyjore në këta 24 vjet, nga Lura, Puka, Tropoja, Frashri, e gjithë Shqipëria, apo me plantacionet e agrumeve e të ullirit në gjigantin e Lukovës, Ksamilit të Sarandës, Jonufrës së Vlorës, që befasonte çdo të huaj kur vizitonte këto perla të bregdetit, si dhe vreshtat e Shtoit në Shkodër dhe bllokun e fiqve në Berat, më i madhi në rajonin e Ballkanit, që me keqardhje sheh se ato sot janë kthyer në shkretëtirë nga masakra e teorisë zero të papagajve “demokratë”. Në këta 24 vjet Shqipëria në njërën anë është sulmuar nga qytetarët e vetë për të shkatërruar çdo pasuri të trashëguar, për të lypur dyerve të Europës për ndihma që janë përvetësuar nga kalorësit e pushtetit dhe nga ana tjetër janë akorduar fonde galopante për të rehabilituar veprat e shkatërruara, që dhe këto fonde janë futur në xhepat e pushtetarëve paradë të demokracisë. Të gjithë ata që kanë shkatërruar uzina, fabrika (falë zotit s’kanë mundur të shkatërrojnë hidrocentralet se do ishim në errësirë të plotë), plantacione frutore e pyjore dhe gjithë ekonominë e vendit e kanë një emër dhe identitet, por nuk janë ndëshkuar, por shpërblyer me poste dhe pasuri të pamat. Janë ata që sot qajnë me lotët e krokodilit për përmbytjet e qytetarëve të Jugut e të Veriut,që ende nuk kanë marrë dëmshpërblimin e harruar nga vitet që kanë kaluar. Shtrohet pyetja pse sot përmbytet vendi pas çdo inondatë shiu, kur në të kaluarën nuk bëhej fjalë për rreziqe kaq kërcënuese?!. Përgjigjja është fare e thjeshtë. Janë prerë gjithë masivet pyjore, që janë rezervuari më i madh i reshjeve që thithin 70% të sasisë që bie në tokë. Brezat pyjorë që ishin mbjellë në masivet malore për t’i bërë pritë erozionit, janë prerë dhe shkatërruar në mënyrë të përbindshme. Argjinaturat dhe kanalet e dyta dhe të treta të kullimit janë shkatërruar. Lumenjtë kanë devijuar nga shtretërit e tyre natyral si rezultat i ndërtimeve dhe marrjes së inerteve në rrugë abuzive. Vajtuesit e përmbytjeve të veshur me çizme e veladon profetik, që ju qajnë hallin të dëmtuarve gjatë qeverisjes së tyre shkatërruan institucionet shkencore si Institutin dhe stacionet hidrometeorologjike, të cilat paralajmëronin prurjet e reshjeve dhe situatat kritike duke i ndjekur në dinamikën e tyre. Në këto vite që po “lulëzon demokracia” e hajdutëve dhe shkatërrimtarëve, janë prishur hidrovorët, kolektorët dhe kaskadat e lumenjve. Investimet që janë destinuar për mbrojtjen e tokave nga erozioni në këta 24 vjet janë të mëdha, por ato janë shpërdoruar dhe përvetësuar nga menaxhuesit e tyre. Po të bëhet një bilanc vjetor dhe të verifikohen se ku kanë shkuar gjithë ato fonde të akorduara për pastrimin e lumenjve, ndërtimin e digave dhe mbjelljen e brezave pyjorë, do rezultojë se përvetësimi i tyre është i përmasave galopante dhe përdoruesit e tyre duhet të venë para drejtësisë, që për fat të keq drejtësia ekziston vetëm si nocion juridik. Dëmi që ka shkaktuar përmbytja është e përmasave të mëdha jo vetëm te orenditë shtëpiake, bagëtitë, por edhe te toka dhe bimësia e saj. Tokat e përmbytura kanë humbur pjellorinë e tyre natyrale dhe duhet kohë dhe investim nëpërmjet plehrave kimike dhe organike, që ato të riaftësohen për të prodhuar përsëri në standardet e mëparshme. Humbjet janë të mëdha, por të rikuperueshme kur ka frymë mirëkuptimi midis gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë. Por duke parë teatrin komik parlamentar, duke u grindur e duke u sharë, për të treguar se po u dhimbset populli, në vend që të bashkojnë forcat dhe kontributet e përbashkëta për të kapërcyer këtë katastrofë natyrore, ndihesh i fyer dhe i deziluzionuar nga kjo klasë politike e papërgjegjshme. Solidariteti në fatkeqësi është shprehje e traditës së popullit tonë. Fatkeqësisht, opozita fatkeqësinë natyrore do ta kthejë në kapital politik duke bërë shou çizmaxhinjsh dhe korin e korbave deputetë, arave të përmbytura. Dihet që i mbyturi të mbyt. Kjo fatkeqësi natyrore bën që të gëzojnë dhe të festojnë brenda vendit opozita dhe jashtë vendit fqinjët tanë shpirtëror të opozitës. Balerina Basha që ka shërbyer strukturave që e duan Shqipërinë të përmbytur, bashkë me atin e tij shpirtëror, mos mendon vallë se populli është ende një turmë që manipulohet me spektaklin e tij fantazmagorik?!. Mendoj se gabohet. Populli i di bëmat dhe shërbesat e tij në Kosovë dhe gjatë qeverisjes së tij në pushtet në detyrat e tij ministrore, që ende s’ka dhënë përgjigje e llogari për shumë ngjarje tragjike që flenë në dosjet e drejtësisë së munguar. Giovanni Sartori thotë se ka tre lloje të përgjithshme njerëzish: “Ata që angazhohen dhe japin ndihmesën e tyre; ata…që japin pak ose aspak ndihmesë; dhe ata që me një ndjenjë që i shtyn përherë të bëjnë atë që s’duhet…i hapin pjesës tjetër të shoqërisë shumë telashe dhe i shkaktojnë shumë shpenzime e hidhërime”. Gjuha tradicionale mohuese dhe e pistë e opozitës në median e shkruar dhe vizive, kanë lënë një shije të keqe te publiku i gjerë, gjë që s’pajtohet me etikën qytetare të këtyre liderëve. Kujtojmë se kur kanë ndodhur fatkeqësi natyrore si ato të përmbytjes së Shkodrës dhe të Lezhës, apo shkakësore në rrethana të turbullta si tragjedia e Gërdecit, mazhoranca e sotme që atëherë ishte në opozitë ka shprehur solidaritet dhe është ndodhur përkrah Partisë Demokratike. Në vështrimin tim, në rast fatkeqësish, duhet të ndodhet i madh e i vogël në një front që të shmanget sa të jetë e mundur influenca e të keqes së përbashkët. Shqipëria nuk mund të bëhet duke i rënë njëri gozhdës dhe tjetri patkoit. Kjo mazhorancë ka të metat e saj që po të ketë një opozitë konstruktive mund t’i korrigjojë. Ajo po tregon prirje se do të bëjë shtet nëpërmjet zbatimit të ligjit. Por kur opozita mohon çdo veprim në bllok pa bërë dallimin se kush është e mirë dhe kush është e keqe, atëherë ajo bëhet jo vetëm e pabesueshme, por dhe e dëmshme, se frenon zhvillimin. Opozitës i duhet të tregojë një arsye më racionale duke hequr lakminë për pushtet, sepse një demokraci liberale nuk mund të funksionojë pa rotacion politik. Revanshi i shpifjeve, akuzave, fyerjeve, urrejtjes dhe shantazheve, nuk janë mjete demokratike, por relikte të vendeve totalitare në perëndim. Gjuha e Ezopit i falet ndonjë shpellari anakronik, por jo një të riu që është shkolluar në Perëndim dhe pretendon që të shëndoshë demokracinë politike. Shqipëria ka potenciale njerëzore intelektuale dhe pasuri natyrore, nëntokësore dhe mbitokësore, që po të menaxhohen me ekspert të shquar të fushave përkatëse, pa mëdyshje ajo mund të krijojë një standard të lartë ekonomik e barazuar me vendet e zhvilluara europiane. Por këto 24 vjet është qeverisur nga banda hajdutësh që kanë ndërruar karriget me një marrëveshje të heshtur për ta bërë Shqipërinë plaçkë të tyre. Kjo qeveri është para një prove të fuqishme dhe kritike për të ndërtuar shtetin e munguar në këto vite, që duam ta quajmë “demokraci”. Ky kaos që mbretëron në shoqërinë shqiptare, kërkon një përkushtim privues të pushtetarëve, një profesionalizëm shkencor në qeverisje, një ndershmëri fanatike biblike te çdo nëpunës, një drejtësi që për bibël ka ligjin dhe jo ryshfetin si deri më sot. Vetëm kështu do mund të kapërcejë gardhin e varfërisë, të rrisim besimin e qytetarisë dhe të ngjallë shpresën për të ardhmen e Shqipërisë. Qysh në kohën e Firdusit të lashtësisë thuhet se një shtet i mirë duhet të ketë njerëz të mirë, ligje të mira dhe infrastrukturë të mirë. Kur i ka të tria këto segmente mund të quhet shtet i kompletuar. Premtimet e qeverisë kanë startin e tyre të realizimit. Pritshmëria ka caqet e veta. Por në rast se nuk do ketë ndëshkueshmëri për ata shtetarë qendrorë apo lokalë, që kanë abuzuar me pushtetin dhe që tashmë janë të afishuar në sytë e publikut; në rast se nuk do vendoset në vend drejtësia e deformuar e derisotme dhe në rast se nuk do qeveriset me mendim shkencor, kjo qeveri është e dështuar si ato të radhës. Me të drejtë populli do shtrojë pyetjen: deri kur do presim, deri kur?!…

Leave a Reply

%d bloggers like this: