Home / Kryeartikull / Mos ik Kosovë !

Mos ik Kosovë !

MONIKA SHOSHORI STAFA 

Monika Shoshori StafaMediat perëndimore kanë raportuar se deri në 20.000 njerëz po largohen çdo muaj nga vendi i vogël me rreth dy milionë njerëz në një përpjekje për t’i shpëtuar korrupsionit, varfërisë dhe papunësisë së lartë. Ministria e Arsimit në Kosovë ka lëshuar alarmin javën që lamë se po regjistrohen “statistika të frikshme” mbi numrin e fëmijëve që kanë braktisur shkollën. Rreth 5.200 të tillë në muajt e fundit ikin nga vendi duke ndjekur prindërit e tyre jashtë vendit. Ndërsa Bashkimi Europian është duke inkurajuar një rritje të madhe të ikjes së qytetarëve të Kosovës pavarësisht se blloku kësaj radhe është vetë “korridori kontrabandues”. 10.000 njerëz janë paraqitur për azil në Hungari muajin që lamë pas, në krahasim me 6000 të tjerë përgjatë gjithë vitit 2013.

Brukseli që nxit

Ikja pasoi me një lehtësim të rregullave të udhëtimit që i lejon kosovarët të arrijnë kufijtë e BE-së nëpërmjet Serbisë. Kjo ikje masive e tyre përkon pikërisht me trazirat politike në rrugët e Prishtinës nxitur nga varfëria, papunësia e lartë dhe efekte e mëdha negative të korrupsionit. Eksodi duket se është përkrahur nga një lehtësim i çuditshëm lëvizjeje i inkurajuar nga Brukseli, por burimet tregojnë se Gjermania është vendi kryesor pritës i tyre, pavarësisht se ka një heshtje të madhe në gjithë këtë qark që duket të jetë një qark i mbyllur. Duhet të kujtojmë se që nga viti 2012 kosovarët mund të lëvizin lirisht në Serbi me dokumentin e tyre të identifikimit lëshuar nga qeveria e Kosovës. Dhe atëherë kur njohja u ndërmor si akt, u shënua si një sukses i Beogradit ndër kriteret që ai duhet të përmbushte për t’u shpallur vend kandidat për në BE. Më parë vetë Beogradi e kishte refuzuar lëvizjen me këtë dokument, duke qenë se ai nuk e njihte ish-krahinën e vet jugore si të pavarur.

Brukseli dhe Beogradi, cili është qëllimi i tyre?

Të gjitha aplikimet për azil të deritanishme të kosovarëve janë refuzuar në mënyrë kategorike nga blloku si emigrantë të ikur nga gjendja e luftës apo persekutimi i huaj ndaj dhe ky dëbim i tyre i dytë që prej fillimit të 1999, i menjëhershëm dhe me një intensitet kaq të lartë, është duke u përpunuar ende për t’u gjetur një arsye ligjore nga qarqet e fshehta të Brukselit, që t’i njohë qytetarët e varfër të shtetit të vogël si emigrantë të ligjshëm. Shumica shpresojnë të gjejnë punë në ekonominë e zezë të Europës së pasur perëndimore, duke iu mbështjellë krahëve të të afërmve të tyre apo dhe miqve, derisa ata të mund të legalizojnë qëndrimin. Rreth 700,000 apo 800,000 kosovarë tashmë jetojnë dhe punojnë në Europën Perëndimore, kryesisht në Zvicër dhe Gjermani. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni, u takua me ambasadorët e BE-së javën e shkuar për të diskutuar gollën e madhe të ikjes së qindra mijëra qytetarëve të tij, duke i bërë thirrje bllokut të përshpejtojnë procedurat për përpunimin e kërkesave për azil. Ai guxoi kësaj radhe të shenjonte fajin e korridorit të gjatë të kontrabandistëve nga Brukseli, duke i quajtur kriminelë, që po përfitojnë mbi fatkeqësinë e qytetarëve të Kosovës. Por sigurisht, kjo deklaratë e shurdhët e tij jo vetëm nuk e ndali ikjen e kosovarëve të braktisur nga qeveria e tyre, por e nxiti më tej atë në ikjen e tyre të justifikueshme. Po të njëjtin qëndrim patën ata dhe ndaj deklaratës së ministrit të Financave se mund t’u falen borxhet e vjetra tatimore dhe faturat po aq të vjetra të papaguara të energjisë elektrike që nga dhjetori i vitit 2008, që qytetarët rebelë të republikës së saj dhe bizneset i kanë. Në psikikën e tyre ata nuk mund të jenë pjesëmarrës në qeverinë që e zgjodhën vetë, sepse nuk duan t’i besojnë më. Nuk mund t’i besojnë më për sa kohë e kaluara e tyre historike ka njohur luftë për t’i mbijetuar shfarosjes, por jo varfërisë.

Gjendja me sa duket është e rëndë dhe kjo po vazhdon, sepse një qeverisje që i sjell dëme të mëdha fizike, psikike dhe shpirtërore një populli e detyron atë, të braktisë vendin. Turma të mëdha njerëzish po lenë vendin dhe po ikin. Ndaj braktisja e vendit është një fenomen, një fenomen që filloi me shpërnguljet e mëdha të Načertanije-s, shfarosjet masive të shek. XIX, e vazhdoi më pas me shek. XX, por askush nuk e besoi që populli që duroi poshtërimin e huaj, masakrat dhe tërbimin e një shkjau të hershëm, i iku të vetëve me padurim. Ndaj Kosovë, mos ik!

Prej afër dy dekadash çështja shqiptare në Kosovë e trashëguar si padrejtësi historike kombëtare dhe e identifikuar në fillim në formën e një konflikti etnik me kalimin e kohës herë pas here, në një formë a në një tjetër ka ndërruar emër, shpesh duke iu larguar thelbit të vet. A është konflikti politik i shpërthyer në Kosovë një çështje lufte politike ndërmjet shqiptarëve që synon në fund të fundit rregullimin e pozitës politike të shqiptarëve për një qeverisje më të mirë? Nëse verifikohet secili tashmë është shqetësimi kryesor i faktorëve që po merren me ndorimin e kësaj çështje mund të rezultojë se Kosova në vetvete ka dalë në rend të dytë kurse rol parësor kanë marrë disa çështje të tjera. Po vjen puna që kriza e Kosovës të mos shihet më si çështje mes shqiptarëve, por dhe si një problem i Europës dhe i dikujt tjetër. I marrëveshjes dhe i mosmarrëveshjes? Ndaj kujt dhe kundër kujt? I europeizmit dhe traditës ballkanike? I tolerancës dhe i mosdurimit? I keqqeverisjes dhe ndorimit të pushteteve? Për kë dhe kujt i shërben ky eksod i dytë i kosovarëve, tani pikërisht kur ata kanë muaj që janë kthyer në faktor në Ballkan? Çfarë klase qeverisëse mbartet atje? Kujt i shërbejnë shtigjet e hapura ballë verbërisë së njerëzve të saj?

Të gjitha këto kanë pjesë ende në çështjen e Kosovës, sepse me sa duket kjo “çështja Kosovë” nuk ka vdekur ende si një problem në Ballkan. Asnjë prej tyre nuk mundet të zëvendësojë përmbajtjen e saj jo vetëm si çështje nacionale. Më e rrezikshmja është se në vetë mendimin politik shqiptar këto kohë po rritet preokupimi për aspektet rrjedhëse të krizës duke iu shmangur thelbit të saj. Nuk më duhet Droni me flamurin autokton, nuk më duhet fjalimi i nënzëshëm i Kryeministrit të Shqipërisë londinezë për një situatë që ka mbaruar ligjërisht. As liderët e rinj të politikës që megjithëse janë dënuar në burgjet serbe, kujdesen më shumë për imazhin konfliktual që duan të japin sesa për njohjen e plotë të publikut me atë çfarë po ndodh. Tallja me autobusë nuk e përligj shqetësimin e tyre ndaj bjerrjes së një vendi nga populli i vet përkundrazi të jep një ndjesi neverie në një tallje mes të vetëve. Shpejt ka nisur të shfaqet në mjediset politike shqiptare qoftë në Shqipëri, qoftë dhe Kosovë një kujdes i hollë dhe i përkorë për imazhin. Sigurisht që asnjëherë nuk është e tepërt të kujdesesh për imazhin sidomos për atë kombëtar, por kur ky imazh fsheh prapa çoroditjen e një kombi të tërë dhe braktisjen e trojeve të larë me gjakun ende të nxehtë e të pakallur të të parëve, atëherë problemi nuk është aq i thjeshtë sa duket.

Leave a Reply

%d bloggers like this: