Politika

Në Tiranë do të ftohen kryeministrat e 13 shteteve, mes tyre Vuçiç dhe Cipras

Samiti i SEECP

MPJ shpjegon arsyet pse u ndryshua axhenda me presidentët e rajonit

Nga Artemisa Hoxha

SamitiNdryshimi i organizimit të samitit përfundimtar që do të bëjë vendi ynë në muajin qershor në kuadër të lënies së Presidencës së SEECP-së (Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore) nga rang krerësh të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse të SEECP, në rang kryeministrash ka qenë përplasje tjetër e radhës mes institucionit të Presidencës dhe qeverisë. Ka qenë kreu i shtetit, Bujar Nishani, i cili në konferencën e pak ditëve më parë e ngriti si shqetësim këtë ndryshim dhe të pakonsultuar me të paraprakisht. “Ju e dini që Shqipëria ka presidencën e radhës së iniciativës së bashkëpunimit të Europës Juglindore. Për herë të parë në këtë traditë, në mënyrë krejt të paargumentuar dhe të papritur informohem, fillimisht jo në mënyrë zyrtare, që qeveria shqiptare ka vendosur të mos ketë më samit të presidentëve, të kryetarëve të shteteve, por të ketë një samit të kryeministrave pa konsultë, pa komunikim dhe pa gjykim me Presidentin e Republikës”, deklaroi Nishani. Por, nga ana e saj, Ministria e Jashtme sqaron për gazetën “Shqip”, se janë pikërisht vendimet e formës ekzekutive që pritet të merren gjatë mbledhjeve të vendeve anëtare në SEECP, të cilat sollën domosdoshmërinë e ndryshimit të organizimit të samitit në rang kryeministrash dhe jo presidentësh. Gjithsesi, në këtë ndryshim që i është bërë axhendës paraprake, burime pranë MPJ-së thonë se ky vendim ka qenë i konsultuar dhe dakordësuar nga të gjitha vendet anëtare të SEECP-së. “Shumica e diskutimeve dhe vendimeve janë me karakter ekzekutiv, kjo duke marrë parasysh se është në frymën e vijimësisë në Konferencën e Berlinit. Gjithsesi, ndryshimi është konsultuar patjetër me vendet anëtare të SEECP-së”, thonë burime pranë MPJ-së. Në fund të Presidencës të SEECP-së parashikohet që më 28 qershor të realizohet takimi me kryetarët e 13 shteteve anëtare, me zyrtarët e shteteve si Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Kosova. Ftesa do të shkojë për krerët e shteteve në nivel kryeministri, shpjegojnë burimet në MPJ, por do të jetë në dorën e tyre për nivelin e përfaqësimit në takimin e 28 qershorit që do të mbahet në maj. Nëse ftesa pranohet, atëherë në Tiranë mund të vijnë kryeministrat serbë, Aleksandar Vuçiç dhe Aleksis Cipras. Tri janë shtyllat kryesore ku do të bazohet presidenca e Shqipërisë: forcimi i rolit rajonal të SEECP-së, promovimi i dialogut ndërmjet vendeve anëtare për përmirësimin e funksionimit të SEECP-së, si dhe konsolidimi i rëndësisë sektoriale të SEECP-së. “Kryesia shqiptare është e gatshme të ofrojë kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit për krijimin dhe inkurajimin e klimës, si dhe duke përdorur indikacionin pozitiv të fqinjësisë së mirë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe dhe kalimin e vështirësive të brendshme sa më shpejt të jetë e mundur. Siç edhe u ra dakord nga të gjithë pjesëmarrësit në Konferencën e Berlinit, gjithashtu të gjithë ne duhet të ndihmojmë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në rajonin tonë”, thuhet në draftin e prioriteteve. Për sa i përket shtyllës së tretë, presidenca e Shqipërisë pritet që të fokusohet në promovimin e bashkëpunimit në sigurinë e energjisë, në hapësirën ekonomike të SEECP-së, me qëllim përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji, diversifikimin e burimeve energjetike, si dhe zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe rritjen e ndërlidhjes, mbështetje për TAP-in dhe IAP-in, zhvillimi i mëtejshëm i Komunitetit Energjetik dhe tejkalimi i mangësive në implementim”, thuhet në strategjinë e presidencës shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button