ParlamentarePolitika

Meta-Veseli: Në mbështetje të Kosovës për konsolidim të axhendës rajonale dhe ndërkombëtare

-Kryeparlamentari Meta pret homologun kosovar, Kadri Veseli, në të parën vizitë zyrtare në Tiranë-

Meta-mekryetarin-e-kuvendit-te-kososves-5Foto-Flor-AbazajShqipëria mbështet progresin e rëndësishëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke e gjykuar atë si thelbësor, jo vetëm për mirëqënien e qytetarëve të Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin në gjithë rajonin tonë,  deklaroi sot Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryetarin e Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli, kryeparlamentari Meta shprehu bindjen se duke avancuar me kurajo e vizion në zbatimin e marrëveshjes në terren, do të arrihet të sigurohet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, por edhe përmirësimi i standardeve të jetesës së qytetarëve pa dallime etnike.
“Kemi shprehur mbështetjen tonë për forcimin e vazhdueshëm institucional e demokratik të Kosovës dhe kemi besim se në mënyrë konstruktive forcat politike në Kosovë do të bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë në interes të së ardhmes së Kosovës”, nënvizoi Meta.

Kryeparlamentari Meta shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për vëmendjen që BE dhe SHBA i kushtojnë progresit demokratik në Kosovë.
“Dua të siguroj Veselin për mbështetjen tonë që Kosova të jetë pjesë e të gjithë nismave rajonale dhe me këtë rast e kam ftuar për të marrë pjesë në sesionin plenar të Kryetarëve të Parlamenteve të Asamblesë Parlamentare të Europës Juglindore, që do të zhvillohet në maj të këtij viti në Tiranë”, tha Meta.Meta mekryetarin e kuvendit te kososves (3)Foto Flor Abazaj

Duke folur për bashkëpunimin mes dy kuvendeve, Meta tha se “e sigurova Veselin për mbështetjen tonë të plotë për bashkëpunimin e gjithanshëm dhe për thellimin e marrëdhënieve substanciale mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe në veçanti mes dy kuvendeve tona. Besoj se rëndësia dhe domethenia e Kosovës për të gjithë ne nuk ka nevojë për shumë komente, pasi është e qartë se Shqipërisa ka qenë është dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të veçantë pranë Kosovës dhe për Kosovën në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh, por edhe në drejtim të konsolidimit të axhendës rajonale dhe ndërkombëtare të saj”.
Meta informoi se “kemi rënë dakord që të bashkëpunojmë edhe më ngushtë në mbështetje të bashkëpunimit konkret, por njëkohësisht për të nxitur më tej edhe dy qeveritë tona të Shqipërisë dhe Kosovës për të qenë edhe më aktive dhe me produktive dhe besojmë se mbledhja e ardhshme do të japë mesazhe të qarta në këtë drejtim”.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli falenderoi shtetin shqiptar për të gjithë kontributin historik për lirinë e pavarësinë e Kosovës, si dhe qytetarët e Shqipërisë për mbështetjen e dhënë në kohë të vështira.

“Ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer, por që do te vazhdojë në të njëjtën kohë edhe më tej. Më e rëndësishme në këtë moment është forcimi i marrëdhënieve tona veçanërisht në fushën ekonomike. Do të intensifikojmë marrëdhëniet tona veçanërisht në parlamentarizmin ekonomik, në mënyrë që të adaptojmë ligjet, por edhe të rrisim bashkëpunimet tregtare me Shqipërinë”, theksoi Kryeparlamentari kosovar.

Meta mekryetarin e kuvendit te kososves (1)Foto Flor AbazajNë të njëjtën kohë, shtoi ai, diplomacia parlamentare do të intensifikohet, kemi kërkuar përkrahje edhe nga Kuvendi i Shqipërisë , në mënyrë që në procesin e njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës të kemi një rol të përbashkët”
Në kuadër të integrimeve drejt BE-së, Veseli tha se Kuvendi i Kosoves ka marrë një iniciativë të përbashkët, e cila u mirëprit edhe nga Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë që të kemi një iniciativë rajonale në komunikime dhe bashkëpunime të përbashkëta të gjitha kuvendeve në Ballkanin Perëndimor, me qëllim që në vitin 2020, ose më parë , siç e ka parashikuar BE, të jemi të integruar në BE.
Duke iu pergjigjur interesimit të gazetarëve për largimin e kosovarëve nga vendi, Kryeparlamentari Veseli tha se kjo problematikë nuk është diçka që na krenon.

“Institucionet e Kosovës po ndërmarrin masat që të përmirësojmë gjendjen në mënyrë që të kemi një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht”, deklaroi Veseli.
Ndërsa Kryetari Meta i pyetur në lidhje me përmbytjet, falenderoi bizneset e Kosovës për solidaritetin e tyre dhe ndjeshmërinë e lartë për të ndihmuar banorër e zonave të përmbytura në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button