Home / Kryeartikull / E verteta eshte mbrojtja jone me e mire

E verteta eshte mbrojtja jone me e mire

 

Zërave nga Tirana, që po dënojnë raportin plot me akuza të deputetit sviceran Dik Marty kundër kryeminstrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe disa udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu bashkua dje në mënyrën e tij ministri i Jashtëm, Haxhinasto.

Në vend të indinjatës së dëgjuar më parë në tribunën e Kuvendit, në foltoren e Presidencës apo në podiumet e partive politike, Ministri i Jashtëm përdori tone më të qeta. Por tha edhe ai ca fjalë që sëpaku në këtë moment nuk ishin fjalët e duhura në gojën e kryediplomatit të vendit. Tha se raporte të tilla nuk duhet të paraqiten më, pasi ato nuk i kontribuojnë paqes dhe integrimit europian të rajonit.

Me fjalë të tjera, e lëmë me kaq! Pa dyshim, nuk mund të jetë ky qëndrimi i shtetit dhe diplomacisë shqiptare ndaj akuzave dhe prapavijës politike që përmban raporti i zotit Marty.

Nuk mund të jenë as mallkimet dhe kundërakuzat në distancë, jehona e të cilave nuk e kalon Tiranën. Lutjet apo kërcënimet e tërthorta, vetvetiu lenë të kuptohet sikur veprat monstruoze për të cilat akuzon Marty edhe mund të kenë ndodhur, por nuk është në të mirë të paqes dhe së ardhmes të hapen!

Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë janë vërtet të befasuar dhe të indinjuar me rrezen e gjerë të akuzave të ngritura. Por ata nuk mund ta mbajnë në kurriz damkën e tyre. Zbardhja e këtyre akuzave a është sot një interes kombëtar.

Nëse është një komplot antishqiptar, le të dalë në shesh se është komplot antishqiptar. Nëse janë shpifje, le të dalë në shesh se janë shpifje. Kosova dhe Shqipëria kanë sot miq dhe aleatë të fuqishëm në Perëndim dhe në mbarë botën. Sot në Europë sundon ligji. Askush, në asnjë aulë, nuk mund të imponojë gënjeshtra për dy vendet tona.

Ndërkaq, nëse ka diçka të vërtetë në raportin e zotit Marty, le të dalë e vërteta ashtu siç është dhe aq sa është. Le të identifikohen personat përgjegjës. Le të shkojnë ata para drejtësisë ndërkombëtare. Pyll pa derra nuk ka. Aspirata e drejtë e një kombi nuk mund të përlyhet kurrë nga krimet dhe turpet e disa individëve. Kjo është vertetuar sa e sa herë në histori.

Nuk u kushton asgjë politikanëve të Tiranës të përsërisim papushim se akuzat synojnë të njollosin luftën e Kosovës, se Karla del Ponte nuk është në rregull nga fiqiri, se Dik Marty është një skizofren i paguar e të tjera e të tjera. E gjithë kjo shfryrje duket sikur është shprehje atdhetarie. Për politikanët që kanë për detyrë të jenë të informuar dhe profesionistë në punën e tyre, kjo është një atdhetari për të larë gojën.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës e ka futur në procedurë raportin e Dik Marty. Komisoni i Ceshtjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut në këtë Asamble ka votuar me unanimitet për t’i hapur rrugën hetimit të akuzave që ngre raporti në fjalë.

Këto veprime kanë kuptim në jetën parlamentare. Nuk pohohen akuzat, por pohohen dyshimet. Shihet se nuk është fjala për fantazira çmendurake, por për indicie të sistemuara më kujdes. Pala kundërshtare- nëse e konsiderojmë të tillë atë që po ngulmon për hetimin e akuzave- është organizuar mirë. Kurse ne, sëpaku këtu në Tiranë, jemi kapur të papërgatitur. Në radhë të parë është kapur i papërgatirur Kuvendi i Shqipërisë.

Pastaj diplomacia si pjesë e qeverisjes. Jemi prej pesëmbëdhjetë vitesh anëtare të Këshillit të Europës dhe ja ku mungojmë në një seancë nga më të rendësishmet për vendin dhe kombin.

Është e pakuptueshme dhe sigurisht e pajustifikueshme kjo mungesë. Mediat e dinin me kohë datën kur Dik Marty do të paraqiste raportin e tij. Nëse delegacioni shqiptar është lënë pa u njoftuar , ky fakt duhet denoncuar publikisht.

Por kjo nuk mund ta pengonte delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë të shkonte në mbledhje. Kam frikë se Kuvendi e ka nënvlerësuar ose i ka bërë bisht ballafaqimit me akuzat e ngritura nga Dik Marty. Për të fshehur dhe kompensuar këtë dobësi , Kuvendi po përpiqet të tregojë trimëri pas luftës. Për konsum të brëndshëm, sigurisht.

Giithkush që ka një inteligjencë mesatare e kupton se përgjigja më e keqe për akuzat e ngritura është lënia e tyre në mjergullën e deklaratave politike emocionale. Ndërsa përgjigja më e mirë është hetimi dhe verifikimi i tyre.

Nëse nga hetimi rezulton se gjithçka ka qenë një trillim, një keqdashje apo një fiksim, Dik Marty dhe personat e tjerë të angazhuar rreth tij do të paguajnë koston përkatëse, që nuk mund të mos jetë përfundimtare për karrierën e tyre politike e dhe profesionale, pasi ngatërruan një botë me furtunën që ngritën.

Nëse akuzat provohen, qoftë edhe pjesërisht, personat përgjegjës do të shkojnë para drejtësisë, një krim i rëndë do të shpaguhet dhe kjo do të jetë një fitore për njerëzimin, për serbët dhe shqiptarët.

Me këtë rast ne do të mendojmë se kur policët, ushtarakët dhe paramilitarët serbë të regjimit të Millosheviçit masakronin dhe hidhnin në varre të përbashkëta mijëra shqiptarë të pambrojtur në Kosovë, paska pasur edhe nga pala shqiptare individë që janë hakmarrë me egërsi kur u është dhënë rasti; paska pasur kriminelë që kanë injoruar rregullat e luftës, që kanë përdorur uniformën dhe armët si kaçakë dhe jo si luftëtarë.

Dënimi tyre tregon se në botën e lirë ku ka hyrë Kosova e pavarur dhe demokratike ngadhnjimi nuk e përjashton drejtësinë. E gjithë kjo do të ishte padyshin një ngjarje tjetër e madhe për Kosovën dhe Shqipërinë europiane.
Lënia e akuzave pezull është kurthi që na është përgatitur, nëse ka një kurth në këtë histori.

Rrethanat dhe gjithë konteksti i akuzave kanë thirrur në kauzë një Shqipëri që sfidon, duke kërkuar e ofruar bashkëpunimin e saj pa kushte për të vërtetën. E vërteta është mbrojtja jonë më e mirë. 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.