Politika

SHBA u bën thirrje dy partive në Shqipëri të arrijnë sa më shpejt kompromisin

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit Tom Countryman u bëri thirrje të dyja partive politike në Shqipëri të arrijnë një kompromis sa më shpejt për mosmarrëveshjet mbi zgjedhjet e vitit të kaluar në mënyrë që të mos vihen më në dyshim rezultatet e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit, nuk mbështet as Partinë Demokratike dhe as Partinë Socialiste, por popullin shqiptar, i cili kërkon një sistem të pastër politik, një sistem ku të dy partitë të punojnë për interes të popullit, por që siç u shpreh ai, një kërkesë që asnjë prej këtyre partive kryesore nuk po e dëgjon plotësisht.

Shqyrtimi nga parlamenti këtë javë i propozimit për hetimin e zgjedhjeve të vitit 2009, tha më tej ai,  mund të jetë një gjë pozitive, por ajo duhet përgatitur me kujdes dhe duhet bërë në bazë të një dialogu dhe kompromisi të sinqertë midis dy partive kryesore.

Deri tani, tha zoti Countryman, është parë shumë pak dialog dhe praktikisht asnjë kompromis midis këtyre dy partive. Më e rëndësishme se sa arritja në një përfundim se çfarë ndodhi në zgjedhjet e kaluara, shtoi më tej diplomati amerikan, është fakti që Shqipëria duhet të marrë masa sot për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale të majit të vitit të ardhshëm.

Uashingtoni tha ai, pret një udhëheqje të përgjegjshme nga të dyja partitë bashkë, që të paraqesin propozime që mund të miratohen me shpejtësi në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kenë besim në rezultatin e zgjedhjeve të aerdhshme.  Zoti Countryman ofroi ndihmën e Washingtonit për të gjetur një kompromis të ngërçit të zgjedhjeve të kaluara.

Komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti, tha ai, janë të gatshme të punojnë me të dyja palët për një paketë të tillë që do të siguronte që në të ardhmen të mos ketë më baza për kundërshtime apo bojkote si ato që kanë ndodhur  kohët e fundit dhe që nuk i kanë shërbyer popullit të Shqipërisë.

Zyrtari i lartë amerikan vlerësoi pozitivisht rolin që Shqipëria luan në rajon, duke synuar të krijojë marrëdhënie të mira me gjithë fqinjët e saj. Washingtoni , tha ai,  shpreson të arrihet përparim i mëtejshëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, për normalizimin dhe afrimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button