Opinion

Mediatizimi i genjeshtres

Nëse ka ecur përpara ndonjë dukuri në Shqipërinë pluraliste, është pikërisht mediatizimi i skajshëm i propagandës, i demagogjisë, i shtirjes e sidomos i mashtrim-gënjeshtrës së pafre. Kjo nuk është tepri. Për këtë mjafton të ndjekësh VIP-at e stisur, të vetëshpallur, kryesisht në politikë e pastaj në art e kulturë. Pas 20 vitesh ende nuk ka përfunduar “procesi i antikomunistizimit”; vini re: fatkeqësisht, propaganda e demokracisë në thelb nuk ka ndryshuar krahasuar me mekanizmin e diktaturës që asokohe quhej “aparat i agjitpropit” e që lartësonte “vendin e parë”, bashkë me mjelëset e emëruara anëtare Byroje në të vetmin kanal televiziv, RTSH. Asgjë nuk ka ndryshuar: Belulët e djeshëm janë zëvendësuar me Belulët “disidentë” e delirantë të demokracisë; e pra, çfarë ndryshimi ka Jozi me Lenkën, vetëm se kjo e dyta nuk dilte nëpër ekrane sa Jozefina? Por këta Belulët e sotëm, medemek kanë pas bërë çudira e hatara në diktaturë, gjasme kanë luftuar me mish e me shpirt, pa u dukur e pa u tutur, nga brenda e nga jashtë, për ta shembur sa më parë atë sistem të mallkuar…Ca me vjersha e ca me ditarë që tash dalin nga errësira, po më të shumtët hakaten me një vetëmburrje të papërmbajtur nëpër ekrane e gazeta të na bindin se edhe ata kanë merita, edhe ata “kanë luftuar”, edhe ata kanë pas bërë namin për këto ditë që po gëzojmë…Vetëm se ka një ndryshim mes dy Belulëve: të parët, ata të diktaturës, e shfaqnin belulërinë e tyre nëpër kafenera, estrada e apartamente të mbyllura, ndërsa Belulët e demokracisë kanë pushtuar ekranet e gazetat. Pa asnjë dyshim kampion është Berisha, i cili pat thënë me një sinqeritet shembullor se premtimet i pat bërë në fushatë elektorale, pra këto premtime të mos i merren seriozisht, dmth të mos besohen! Por mediatizimi i gënjeshtrës të jep sukses! Kështu, edhe një ish-ministër kulture i diktaturës që kishte shkruar mijëra faqe kundër artit dekadent borgjez, i pat thënë Todi Lubonjës para se ky të ndërronte jetë se në familjen e tij të gjithë e shanin Enverin dhe regjimin…Todi e dëgjoi me durim e me atë buzëqeshjen e tij ironike i paska bërë këtë pyetje “naive”: Si shpjegohet që ne që e donim Enverin na futi në burg, kurse ju që e shanit ju bëri ministra?…Kjo pyetje retorike shpjegon më së miri përse është zhvleftësuar persekutimi i atyre që përnjimend kanë vuajtur, derisa edhe një ish diplomat i diktaturës, e quan persekutim punësimin e tij në ambasadë, pasi i gjori nuk kishte aq para sa të blinte si të huajt dhe se …se ai detyrohej të mos e shante regjimin e mallkuar të ndërkombëtarët…Cila është sfilitje më e papërballueshme: të jetoje asokohe jashtë shtetit, apo të ishe në burg? Nuk paska gjë më të shëmtuar se kur persekutori shtiret më i persekutuar se i persekutuari, apo kur i spiunuari cilësohet më fajtor e më mëkatar se ai që e ka spiunuar!Kjo është koha jonë!
***
Kjo theqafje morale e bërë normë ndodh sepse pafytyrësia, sidomos ajo politike, vazhdon të shpërblehet me tituj, me poste, me emërime, me dëmshpërblime e merita të paqena, njëlloj si ata që pas luftës jepnin dëshmi fiktive se kishin pas ndihmuar partizanët…Sot “heronjtë e demokracisë” më shumë janë të vetëshpallur se të mirëqenë. Ja pra, më në fund do të na vijë nga Amerika, përveç Selamit, edhe një M. Ferraj me një mision të naltë: të pastojë qelbin e shoqërisë sonë! A thua ta kemi këtë fat? Ka një shumbullimë anonimësh heroikë që nuk u mbahet mend emri, aq më pak ndonjë histori apo bëmë, le më ndonjë vepër në dobi të shoqërisë, që shpallen shpëtimtarë të kombit! Ende nuk është bërë deti kos, por kosi po bëhet det! Por kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka mediatizimi, dmth dalja në ndonjë ekran për t’u vetëshpallur. Besoj se nuk është mëkat po të them se këta trimosha pas beteje nuk i qasen as tahmasë së protagonizmit të Pilo Peristerit, sepse ky në të vërtetë nuk mbetej natë e ditë nëpër ekrane e gazeta, duke rrahur gjoksin; shumë-shumë ai shkonte çdo prag 8 Nëntori nëpër shkolla të rrëfente ndodhira për partinë e shokun Enver. Jo, me Pilo Peristerin nuk ndodhte nj’ashtu si me Pilot e shumtë e të panginjur të demokracisë që pas njëzet vitesh nuk përtojnë e nuk kursehen të na “pastrojnë qelbin”… “Idealet e dhjetorit”…Po ku dreqin janë “idealet e dhjetorit”?…Pse na i fshehin? Pse nuk na i tregojnë? Përse nuk i kanë realizuar, nëse “idealet” janë diku e, për më tepër, kush i mban të fshehura, për të mos thënë të qelbura? O Zot, sa shumë Pilo po na shohin sytë e dëgjojnë veshët, sidomos në vigjilje jo të 8 Nëntorit të djeshëm, por të 8 dhjetorit të sotëm! Sa paskan luftuar e vuajtur, ç’sakrifica e trimërira paskëshin bërë këta të atillët e të këtillët e demokracisë dhe ne si popull nuk e kemi ditur!…Mesa duket, po bëhemi pak nga pak qorra që më kot kërkojmë, si në një këngë korçare, gjilpërën në kashtë!
***
Mjafton të ndjekësh bisedën e Berishës në ‘Opinion’ që të mbushesh me admirim e adhurim për Pilot e sotëm që edhe berberin e lagjes kanë guxuar ta shpëtojnë, kur ky theu xhamin e fotografisë së diktatorit!… “Pra unë refuzova të isha mjek në organikën e tij speciale. Nuk pësova asgjë ç’është e vërteta, bëra shpjegimet e mia se nuk dua pasi jam shumë i lidhur me shërbimin tim në spital. Kam qenë pesë muaj, kështu Sekretar Partie dhe u shkarkova në mungesë. Isha në Paris kur më zëvendësuan. Është e njohur kjo, është me procesverbal. Një berber përpara se të nisem, i ra me grusht portretit të Enver Hoxhës të vendosur nën një xham. Kjo u mor vesh. U kërkua që të bëhej mbledhja. Bëmë një mbledhje së bashku me të tjerët që drejtonin, vendosëm të themi se ky e bëri këtë akt, sepse i kishte syzet +11 dhe nuk pa se kë kishte nën xham. Kjo nuk u pëlqye, mesa duket. Nëse nuk do të ishte ky motiv ai do të pësonte perkusione. Në fakt ai nuk pësoi probleme, por mua më zëvendësuan…” A nuk e meriton kjo dëshmi rrënqethëse dhe e sinqertë respektin e duhur për udhëheqësin tonë që ka dëshmuar një guxim kaq të pashembullt, teksa ka kundërshtuar diktaturën dhe diktatorin? Ja pra përse sot duket më se normale që ish komunisti fanatik të shtiret në publik, në kamera e nëpër gazeta si një demokrat fanatik, i thekur, i lindur, i paepur…Por meritën sigurisht që nuk e ka vetëm teknologjia elektronike, shumësia e stacioneve televizivë, as fakti që sot edhe në fshatin më të largët vështirë të gjesh ndonjë familje pa një aparat televiziv, por “zbulimi” se rrena e përhapur nëpërmjet ekranit, dmth bombardimi mediatik, përsëritja këmbëngulëse e gënjeshtrës në media mbjellka iluzionin e së vërtetës; e kjo magji që mashtrimin e transformon në narkozë kolektive paskësh një fuqi të papërballueshme edhe ndër qytetarë e popuj me kulturë e tradita të njëmendëta demokratike, jo më tek ne…Amerikanët zbuluan e më pas eksperimentuan në luftën e Gjirit se më shumë fuqi shpartalluese kishte një bombardim mediatik se bombardimi me raketa, edhe më tepër se një luftë reale me ushtarë e armë të sofistikuara. E njëjta gjë ishte provuar me sukses të plotë, vite më parë, edhe në Rumani, me ngjarjet e Çausheskut. Pikërisht këtë “zbulim” përvetësuan krerët lindorë, pas përmbysjes të regjimeve totalitare: bombardim i pareshtur mediatik i popullit jo vetëm nëpër fushata elektorale, por çdo ditë, çdo orë me premtime e gënjeshtra; sepse shpëlarja e trurit ka të njëjtën vlerë si në diktaturë: të sjell, por edhe të mban gjatë në pushtet! Për këtë arsye është bjerrur në minimum besueshmëria te partitë dhe liderët e tyre! Këtë “taktikë” më ka zbuluar në intimitet një lider i ri në vitet 90-të: “Komunistët e gënjyen popullin për 50 vjet, dhe ja ku e çuan, kurse ne demokratët do ta gënjejmë, se ky ushqim i pëlqen popullit, por ama ne do të çojmë në Evropë. E kupton ndryshimin?”…Dhe ja dëshmia tjetër, e bërë me një sinqeritet të hatashëm në vitin 2010 nga Berisha: “U bë një punë e shkëlqyer në dramatizimin e situatës. Greva ishte më e madhja e urisë që kisha dëgjuar ndonjëherë. Pas minatorëve të Trepçës, që ishin 1100, kjo ishte greva më e madhe, rreth 900 veta. Ne organizuam aty një shërbim shëndetësor të përsosur. Tritan Shehu që drejtonte ekipin shëndetësor, nxirrte çdo 10 minuta me sirenë, një student në gjendje të rëndë. Këtë e bëmë ne”…-Ndërkohë që nuk ishin aq rëndë?-”Kjo ishte truk, se nuk ishin aq rëndë, se 2-3 ditë kishin aty. Ishte një mënyrë për ta bërë sa më alarmante”… Pra, i njëjti mekanizëm shpëlarës i truve, dmth mediatizimi i gënjeshtrës vazhdon edhe sot. Për këtë mjafton të hidhet një sy mbi Gërdecin dhe përmbytjet e Shkodrës e Nënshkodrës. Sipas mediave qeveritare nuk ka rëndësi kush e shkaktoi hedhjen në erë të Gërdecit, por më tepër rëndësi ka menaxhimi i fatkeqësisë; nuk ka rëndësi kush e përmbyti për të pestën herë Shkodrën, natyra apo qeveria, rëndësi ka fakti që shkodranët e nënshkodranët nuk e humbën sensin e humorit, as besimin te qeveria Berisha, sepse më tepër ka rëndësi evakuimi, menaxhimi i mrekullueshëm i katastrofës, ardhja aq e shpeshtë e kryeministrit dhe e ministrave të tij, si dhe fakti që në përmbytje nuk vdiq asnjë njeri…Madje sukses i paparë ishte që një grua lindi në ujë e që u shpëtua ajo edhe fëmija e për më tepër që lehonës i shkuan për urim me dhurata e lepurushë kryeministri me bashkëshorten…! Por askush nuk pyet: Përse kjo grua u detyrua të lindë në një katastrofë të pashembullt biblike? Sot është e vështirë të kuptohet: kush ka vuajtur më shumë në Shkodër, ata që u përmbytën, apo qeveritarët që shkuan në përmbytje e dolën nëpër ekrane për t’ju qarë hallin fatkeqëve? Kjo quhet shpëlarje e truve. Këtë “mrekulli” e kryen, me sa duket, jo vetëm në diktaturë, por edhe në demokraci, mediatizimi i përsëritur dhe këmbëngulës i gënjeshtrës. I gënjeshtrës që përsëritet ditë e natë, pa kufi, pa turp, pa sqimë, pa masë. pa drojë! Diktatorët dhe autokratët, në të gjithë botën e në të gjithë kohërat e besojnë sinqerisht këtë aksiomë: popujt janë të destinuar që, për hir të “lirisë mund të hanë edhe bar”, kur gënjeshtra përsëritet në media, por ama nuk e dinë që edhe kjo “sëmundje” e ka një kufi! Mjerisht edhe antikomunistët shkodranë e nënshkodranë, nuk e kanë kuptuar as edhe në demokraci mediatizimi i gënjeshtrës, nga e cila jo vetëm ne, por as ata nuk qenkan shëruar, qenka më keqbërës se gripi i derrit, apo i pulave! E pra, a mund të quhet humor ky, që edhe në vitin 2010 të ketë qytetarë që të thonë në kamera: Ani pse u përmbytëm, rroftë Berisha?!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button