Home / Arte / Ermonela Jaho rikthehet në skenë me Suor Angelica-n

Ermonela Jaho rikthehet në skenë me Suor Angelica-n

“Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi” premierë këtë fundjavë në TKOB

Regjisori italian: Veprat e një niveli botëror, me dy artistë kalibri

Ermonela JahoHistoria e Suor Angelica-s është e trishtë. Pasi lind një fëmijë të jashtëligjshëm ajo dënohet nga familja duke u mbyllur në një kuvend murgeshash. Gjatë gjithë kohës aty brenda ajo mendon vetëm për fëmijën, dhe merret me kultivimin e bimëve mjekësore. Deri në fund Suor Angelica shpreson se një ditë do ta shohë birin e saj. Është gati të heqë dorë nga gjithçka vetëm të ketë në prehër edhe njëherë fëmijën, të vetmin kuptim për një nënë. Në fund ajo helmohet me një nga bimët që kultivon duke besuar se të birin do ta shohë pas vdekjes. Kjo është drama e “Suor Angelica”-s një prej operave më mbresëlënëse e cila më 14 shkurt do të ngjitet premierë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Por ajo çfarë e bën Angelica-n një personazh që nuk duhet humbur pa u parë, është fakti që interpretohet nga sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho. Prej disa ditësh, Jaho ndodhet në Tiranë për t’u përgatitur për këtë rol të dashur për të. Dje përpara mediave ajo ka treguar për emocionet e këtij roli, emocion që bëhet më i madh dhe nga fakti që është përpara publikut shqiptar. Por, nuk është vetëm Jaho surpriza e 14 shkurtit për Teatrin e Operës dhe Baletit. Pas “Suor Angelica”-s do të vijë premierë “Gianni Schicchi”, opera që ngjit në skenë një tjetër artist ndërkombëtar shqiptar, Gëzim Myshketën. “Jam i lumtur që jam në këtë teatër, i cili nuk ka lindur dje. Shoh që është bërë një punë në nivel superior. Jam i lumtur, pasi po punoj me kolegë të mrekullueshëm, që janë e tashmja dhe e ardhmja e kësaj opere”, tha Myshketa duke thënë se ndihej i lumtur që ndodhej në Opera bashkë me Ermonelën”. Qëllimisht nuk deshëm të gjithë Triptikin e Puccini-t, të ishte tri orë me dy pushime, pasi një opera pesë orë do ishte e lodhshme për publikun”, tha ai. Gianni Schicchi është vepra më e luajtur, ndërsa Suor Angelica ishte vepra që i pëlqente vetë Puccini-t. “Përpara se t’ia jepte bordit për shtyp ai ia çoi një Kuvendi motrash, pasi kishte një motër murgeshë.

Është një binom shumë i mirë. Janë dy vepra me nga një orë, me 20 minuta pauzë. Një opera tragjike dhe një opera komike”, tha Myshketa. Duke folur për Schicchi-in, ai tha se e ka menduar si një çamarrok fiorentin i cili është i destinuar të vijë t‘i japë një shuplakë borgjezisë së rëndë. Për Ermonelën, fakti që rikthehet në TKOB sërish me një vepër nga repertori klasik nuk është e rastësishme. “Këto vepra i përkasin një repertori klasik të muzikës operistike, Verdi, Puccini, Bellini etj. “Madame Butterfly” dhe “Suor Angelica” janë opera të repertorit tim, sepse secili praj nesh ka një lloj profili, për shkak të specifikës vokale. Janë opera me një dramë, me një tragjedi dhe mendoj se është ai pasioni ekstrem, ana emocionale, mendoj se këto janë arsyet që më bëjnë t’i dua”, tha ajo. Për regjisorin italian, Marco Puccio Catena, këto dy premiera janë të një niveli botëror, nisur nga fakti që në to janë dy artistë të këtij niveli si Myshketa dhe Jaho.  “Ajo që dua t’ju them është se emocioni që do të ndieni është i mrekullueshëm. Kjo falë Ermonelës, e cila sot është e vetmja artiste në botë që do të mund të më jepte gëzim të madh në interpretimin e Suor Angelica-s, cila konsiderohet si pika e dobët e të tri operave”, tha ai. Catena ka vlerësuar nivelin e lartë klasik të artistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit. Ermonela Jaho dhe Gëzim Myshketa vijnë në skenën e TKOB pas premierës së dhjetorit të vitit të kaluar. Edhe këtë herë ata vijnë për të performuar për publikun pa asnjë pagesë në këmbim”. “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi” do të ngjiten në skenë në datat 14, 16, 18 dhe 20 shkurt në orën 19.00 në skenën e TKOB.

Leave a Reply

%d bloggers like this: