Home / Te ndryshme / A është i vërtetë mallkimi i “Oskarit”?

A është i vërtetë mallkimi i “Oskarit”?

Mite & Të vërteta

Fitorja e një çmimi prestigjioz, siç është ai “Oskar”, nuk shoqërohet me pak besëtytni ndër aktorët dhe aktoret. Miti hollivudian tregon se aktorët që fitojnë, kanë më shumë gjasa të divorcohen, një përpjesëtim i zhdrejtë mes karrierës dhe dashurisë 

o-OSCAR-PRICE-facebookMallkimi i “Oskarit” sugjeron se fituesit e çmimit do të preken nga fati i keq sapo të zënë me dorë statujën e arit. Nicholas Cage, Halle Berry dhe Kirk Douglas, të gjithë kanë rënë viktima, po ashtu edhe Sam Mendes dhe Sandra Bullock.

Aktorët meshkuj në veçanti, preken më tepër nga fatkeqësia në jetën dashurore sesa në fushën profesionale, sipas një studimi të ri.

Kërkimi, i drejtuar nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit, zbuloi se ndryshime të papritura në fatet e fituesve kishin dëmtuar marrëdhëniet e tyre të dashurisë.

“Meqë shumë aspekte të jetës sonë janë organizuar sipas idesë se fituesi i merr të gjitha, është e nevojshme të kuptojmë anët e errëta”, tha Michael Jensen, një profesor i strategjisë në Shkollën e Biznesit Ross të Miçiganit.

Ata zbuluan se specializimi në fushën e filmave “aksion”, e rrit shkallën e divorcit tek aktorët, por jo tek aktoret.

Mallkimi i “Oskarit” daton që nga vitet 1930 dhe në epokën e artë të Hollivudit. Luise Rainer, e para aktore që fitoi disa çmime “Oskar”, ua hodhi fajin fitoreve të saj për “The Great Ziegfeld” më 1936-n dhe “The Good Earth” më 1937-n, për rënien e menjëhershme të karrierës së saj.

Profesor Jensen dhe bashkautori i studimit Heeyon Kim nga Universiteti Kombëtar i Singaporit, nuk zbuluan prova të pasojave negative tek aktorët femra apo meshkuj.

Fituesit e “Oskarit” shfaqen, mesatarisht, në më shumë filma pas fitores sesa të kandiduarit për “Oskar” ose aktorët e tjerë.

“Mallkimi profesional i ‘Oskarit’ është, me fjalë të tjera, një mit hollivudian”, tha profesor Jensen. “Pasojat profesionale të ‘Oskarit’ janë të ndryshme”.

Kërkuesit analizuan shkallën e përgjithshme të divorcit ndër fituesit dhe kandidatët e “Oskarit” dhe zbuluan se nuk ishte e ndryshme nga ajo e aktorëve të tjerë.

Megjithatë, ata zbuluan se aktorët që fitojnë një “Oskar” kanë tri herë më shumë gjasa – ndërsa të kandiduarit dy herë më shumë – sesa aktorët e tjerë, të divorcohen gjatë vitit të parë të martesës.

Fitueset dhe të kandiduarat për çmimin “Oskar” kishin më pak mundësi të divorcoheshin sesa aktoret e tjera.

Skuadra e hulumtuesve doli në këto konkluzione, pasi ekzaminoi të gjithë aktorët që luajtën role protagoniste në filmat më komercialë dhe artistikë nga viti 1930 deri në vitin 2005 – një numër prej 808 aktorësh që përfshinte 165 fitues “Oskari” dhe 227 të nominuar për këtë çmim prestigjioz, që nuk arritën ta fitonin.

Ata analizuan veçmas aktorët elitarë, si meshkuj edhe femra, sepse tregjet e punës dhe kriteret e suksesit të “Oskarit” për meshkujt dhe femrat si aktorë janë të ndryshëm.

“Rezultatet tona prekin një problem të vështirë për aktorët meshkuj – kandidimi ose fitimi i një ‘Oskari’ mund ta ndihmojë karrierën, por gjithashtu shkatërron një martesë”, tha profesor Jensen.

Megjithatë, një studim i ndarë i vitit 2011 zbuloi se fitueset e kategorisë “Aktorja më e Mirë” kishin më shumë gjasa të divorcoheshin sesa të tjera që ishin kandiduar, por nuk ia kishin dalë të fitonin statujën e artë.

Kërkuesit e Universitetit të Torontos në Kanada zbuluan se fitueset e çmimit më të lartë të aktrimit kishin 63 për qind më shumë gjasa të kishin martesë më të shkurtër sesa të kandiduarat.

Në atë kohë, ylli britanik Kate Winslet, Sandra Bullock dhe Hilary Swank ishin mes fitueseve më të fundit që kishin arritur maja të reja në karrierë, por që jetët e tyre personale kishin marrë të tatëpjetën.

Martesa e Kate Winslet, një vit pasi fitoi si aktorja më e mirë për rolin e një roje kampi përqendrimi te “The Reader” më 2009-n, me Sam Mendes, mori fund.

Të tjera zbulime

Studimi konfirmoi se ka më pak role për femrat aktore sesa për meshkujt aktorë. Aktorët e martuar marrin pjesë në më shumë filma sesa aktorët e divorcuar. Nga ana tjetër, aktoret e divorcuara marrin më shumë pjesë në filma sesa ato të martuara.

Hollivudi nuk është gati për heroinat e aksionit: specializimi në filmat aksion rrit pjesëmarrjen për aktorët meshkuj, por e ul për aktoret.

Heronjtë meshkuj të filmave “aksion” kanë më shumë gjasa të divorcohen, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për femrat.

Aktorët, jo aktoret, kanë më tepër gjasa të divorcohen nëse partnerja e tyre është e kandiduar ose fiton një “Oskar”.

*Burimi: Daily Mail

Leave a Reply

%d bloggers like this: