Kryeartikull

Thirret “në skenë” tranzicioni kriminal

ALEKSANDËR ÇIPA

Aleksander CipaPerceptimi për një Shqipëri të pabanueshme po investohet nga brenda. Dhe kur themi nga brenda, nënkuptojmë nga Tirana, nga paritë dhe baronët e saj. Është hedhur gjatë në kohë, investim mbi këtë opsion. Pasazhet e pauzave kanë qenë të shkurtra. Në këtë vend, stuhitë e krimit dhe të episodeve të zeza që gjeneron ai, janë rikthyer jo në cikël të rastësishëm apo të imponuar prej një faktori të jashtëm. Aleate inkurajuese, siç e ka dëshmuar dhe provuar vetë, kohë pas kohe, ka qenë politika. Në këtë mënyrë po e afrojmë kohën e tranzicionit fizikisht gati të barabartë me diktaturën e dikurshme të komunizmit. Dhuna mes tyre ka qenë dhe mbetet e pakrahasueshme, sikundër edhe krimi. Mirëpo në të ashtuquajturën kohë pa fund të tranzicionit, më i tmerrshëm po bëhet stresi dhe patologjia për të mos pasur stabilitet e qetësi. Në muajt dhe kohët e tureve elektorale, kriminaliteti dhe zhurmat shokuese me autorësi kriminale të porositur, janë ricikluar shumë shpesh. Është riciklimi më i shëmtueshëm (!) Janë shembur shtylla tensioni, janë goditur shkolla dhe objekte publike, ka pasur dhunë fizike dhe terror psikologjik bandash dhe grupesh kriminale, sikundër nga ana tjetër, është mundësuar krijimi i oazeve të paprekura e të patrazuara të krimit ekonomik apo baseneve të narkotikës. Shqipëria e tranzicionit i ka provuar e shijuar të gjitha bëmat e krimit.

Por si ka ngjarë dhe pse ka ngjarë që krimi të marrë dimensione më të frikshme nga sa ka shtat apo forcë? Kush e pengon dhe mban peng shtetin ligjor dhe institucionet e tij për t’ia dalë kësaj sfide? A është siç pranohet prej vetë klasës politike, kjo arsyeja themelore që kjo shoqëri dhe ky vend mbesin në kthetrat e pashqitshme të tranzicionit? Kush janë arkitektët apo “shenjtorët-djaj” të këtij tranzicioni?

Të gjitha këto pyetje nuk janë dilema. Janë thjesht retorika të cilën e mbart lehtësisht çdo qytetar i arsyeshëm i këtij vendi. Politika i ka vrarë versionet e drejta apo të kërkuara si akuza apo alibi të nisura përmes shprehjes: “Dhe fajin e ka…”

Akuzat e politikës në këtë vend nuk mbartin drejtësi, nuk shkaktojnë reagim për drejtësi, nuk sjellin drejtësi dhe nuk gjejnë drejtësi. Qenka e thënë që në kohë tranzicioni, apoteoza më e madhe e shoqërive nën ‘të, është drejtësia. Kjo apoteozë e mban vendin në gjendje të një shteti “invalid”, të munguar e të anatemuar, të premtuar dhe të pangritur kurrë. Vështroni dhe gjykoni shtetin e shoqërisë sonë në këta 24 vjet dhe lehtësisht do të besoni se paaftësia e tij për të qenë një realitet dhe mjedis me drejtësi, jo vetëm ka qenë utopi e gjertanishme, por sipas gjasave, kërcënohet të mbetet e tillë edhe për kohë të ardhme. Në kësi kushtesh, episodet e fundit të prodhuara prej krimit me porosi ose jo, janë segmente të mjaftueshme të ripërjetojmë sfidën e qëndrimit të mëtejshëm në tranzicion. Mirëpo nëse rikthehen edhe një herë motet e brutalitetit dhe agresivitetit kulmor të tranzicionit, atëherë, nuk përjashtohet mundësia që në këtë vend të mbeten kullat, vilat dhe sarajet e “pashallarëve-sheikë” dhe qytetarët të shijojnë tromaksjet apo gjakimet me vend e pa vend të tyre. Kësi sjelljesh të politikës që ofrojnë aleancë makabre me forcimin dhe rikthimin e krimit, kësaj here, janë shumë herë më të rrezikshme. Aq më tepër në një Shqipëri ku bandat e krimit tradicional ose flenë e zgjohen si në natyrë gjarpri me periudha të gjata mujore gjumi dhe zgjimi. Të lidhura organikisht dhe në sintoni me porosi politike individuale apo kaste, këto banda, pasi u prishet foleja e krimit financiar apo trafikut, vërsulen si në modelet klasike të Eskobarit kolumbian, duke hedhur nëpër pallate e vitrina, makina dhe dyer banesash, bombat me telefon apo tritolin me kallëpe.

Cikli i shpërthimeve që ka brendi dhe formë terrorizmi, i rikthyer në kësi kohë si e tanishmja në Shqipëri, ka edhe shumë e shumë më tepër rreziqe sikundër favorizohet edhe nga shumë alibi. Nën strehën e rikthimit të akteve të tilla që sfidojnë rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, mund të strehohen njëkohësisht edhe dërgestarët e terrorizmave të tjerë apo isis-arët e rekrutuar në të gjitha mënyrat në hapësirën e shqiptarëve.

Tritoli kërcënues në adresë të biznesit të familjarëve të ministrit të Brendshëm të vendit, zotit Saimir Tahiri, është një sfidë që mund t’i mbartë të gjitha epitetet si domethënie të vet. Një sfidë të tillë nuk e ka pasur për “fat” apo “hise” asnjë prej ish-ministrave të Brendshëm të Shqipërisë së tranzicionit. A thua të ketë të bëjë kjo thjesht me atë që thotë opozita apo me atë që ky ministër është ekspozuar fort dhe më kurajshëm në përballjen me krimin? Komenti në këtë pistë do na bënte edhe ne pjesë të ndarjes aq agresive “pro dhe kundër” që po shfaqet në media dhe sidomos në të gjitha portalet-sofa dhe rrjetet sociale në shqip.

Tri shpërthimet e një nate apo mëngjesi në Tiranë janë akt sintonik kriminal, i cili tejkalon edhe mësymjet terroriste që po zhurmojnë në viset me terror dhe me konflikte. Pse u duhet rikthimi kaq sfidues i këtij imazhi apo perceptimi sërish në Shqipëri autorëve apo porositësve të tyre? Mos nevojitet sërish një gjendje e zymtë dhe e pasigurt, një moment i ri në gjithë përmbajtjen e instabilit, për të triumfuar statusi i tranzicionit? Për ç’qëllim dhe ç’interes po thërrasin sërish në skenë gjendjen e tranzicionit me konflikt, pasiguri dhe shtet të politizuar gjer në inekzistencë të veprimit dhe ndërveprimit institucional?!

Rikthime të tranzicionit me brendi të tillë pasigurish dhe stresi, nuk penalizojnë apo dëmtojnë qeverisësit e një mandati, as një parti apo një opozitë. Riinstalimi i gjendjes së krim-politikës krijon vetëm mundësinë e llogaritjes së një risku të madh politik dhe shpërfill me makabritet, risqet për jetën e qytetarëve të thjeshtë. E bën shumë herë më të evidentuar nevojën për qetim të kësaj shoqërie dhe rrënon plotësisht besimin për bërjen e Republikës. Kjo formë e brendi e vjetër e krimit të paguar apo blerë, e porosisë apo dërgesës e ambalazhuar me reagime dhe qëndrime radikalisht të kundërta mes PS-së dhe PD-së, as më pak e as më shumë, nxjerr zbuluar arkitektët realë të tranzicionit me brendi kriminale. Rikthimi në një kulm të ri e tranzicionit, si shenjë të vet gjithëthënëse ka politikanët si Berisha në ligjërim të gjithëkohshëm dhe ikjen e bijve të studentëve të viteve ’90 në arrati, viseve të botës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button