Home / Opinion / Une shqiptari!…

Une shqiptari!…

Unë jam ai. Shqiptari i heshtur e piktoresk. Cudia e të gjithëve, që më kanë njohur. Vullkani, gjithë histori. Që ma njohin të gjithë. Dhe pse e njohin aq mirë, s’arrijnë të më kuptojnë. Si ka mundësi pyesin veten trishtueshëm. E se gjejnë dot.
Unë nuk kam emër. S’ma di kërkush. E megjithatë jam shumica, shpërndarë anë e mbanë. Miliona që s’po bëjnë kurrë një. Të vetëm. Sepse unë jamë i heshtur dhe askush se di c’më ka prapa koka.
S’e ngrë kurrë zërin. Edhe kur duhet ulërirë. Shkojë udhës i qetë dhe askush se di c’kam në zemrën time. Unë nuk flasë kur shoh mjerimin që më rrethon. Kur shoh të tjerët që vdesin urie. Që sorrollaten gjithë ditën si unë. E duart i kanë bosh, kur kthehen në shtëpi. Askush s’e di c’mendoj. Njerëzit më shohin buzagaz edhe kur shpresës sime ka kohë që i ka mbirë bari. Nuk jepem. Nuk tregoj c’bluaj në mendjen time, kur takoj të ngjashmit e mij. E as se c’ndjej kur dhembja që provoj do të shkrinte edhe tokën.

Por natën, kur errësira bie, qaj me dënesë si fëmijë. Për gjithë ç’kam parë e dëgjuar.
Si gjithë të tjerët, të ngjashmit e mij, unë mendoj ndryshe nga ajo ç’ka dëgjojmë të gjithë. Por me të tjerët, flas njësoj. Njësoj si ajo që dëgjojmë të gjithë. Kur jam pa punë, unë do e desha një të tillë. Kur punoj, unë nuk dua ta humb atë. Prej qindra e qindra vitesh, koha, njerëzit, të dashurit e mij, më kanë mësuar kështu. Dhe vetë e kam kuptuar: nëse dua të mbijetoj. Më mirë të hesht. Kurdo dhe për cdo gjë. Të hesht kur fatkeqësia bie mbi tjetrin dhe e fundos pa pikën e mëshirës. Dhe s’ka gjë që ta shpëtoj. Të hesht apo të them, fjalët e duhura, më të lodhshmet mbi këtë botë, kur shoh të tjerët që vriten rrugëve të këtij vendi. Kur humbin cdo ditë, në adresa e drejtime që kërrkush si njeh. Kur pushohen, tallen, urrehen, vdesin. Por c’të presësh nga unë? Që hesht kur këto më ndodhin edhe mua?


Natën ama, kur errësia bie dhe unë jamë i vetëm, nis e flasë me veten si kurrë kam folur me njeri mbi këtë tokë…
Mos shko larg, për të më gjetur. Unë nuk jam kërrkund. Aty ku mendon ti. Mos më kërko ndër libra e fletushka. Në ato rradhët e gjata të shkrimeve pa fund. E as në foto. Të bukura e me ngjyra shumë. Nuk jam më as ai që do gjesh në ato fotot e zverdhura nga koha. Duke rrokur topin për gryke. Apo duke tretur vështrimin larg, ndërsa thëllimi më tund në erë, mustaqet e gjata e të përthyera si mendimet e mëdha. Jam gjithandej, por i padukshëm. Për kë nuk do të më gjej. Jam, në fakt kudo. Hapi sytë e vështromë. Më gjen në trotuar shtrirë sa gjatë e gjerë duke të pritur të më hedhësh, pak mëshirë nga dora jote. Por mund të më gjesh, duke u zvarritur në dete të cuditshëm e të pisët. Me buzët të thara, për një pikë ujë. Mund të më shohësh tek ec, si një grua gjithë krenari, rrugës vjeshtake, por me sy të nxirë nga dhuna, nën syze të moshës së fundme. Por mund të jem dhe një i ri që shkojë në shkollë, për të mësuar historinë time.


Që politika ma ndryshon, nga klasa në klasë. Një gazetar, që në ekran buroj vec dinjitet dhe pavarësi, ndërsa në ditëlindjen e shefit politik, dy ditë më parë, isha kamarieri më i zellshëm. Kërkomë po deshe në administratë. Aty do të jem. Me rroba e ritëm rinor. Vecse i zbehtë, me lëkurën që ka ngjyrën e frikës. Por mund të më gjesh, një cilimi që shkrihem e qesh gjithë ditën e ditës, në vendin e një mijë e një privimeve. Një i moshuar, që ka frikë të kujtojë.
Askush s’ma di emrin. Askush s’më sheh. Por, të gjithë më njohin. Kam pas meje një histori të tërë. Mbijetese ndaj gjithë halleve që njohu njerëzimi. I shpëtova luftrave e pushtimeve nga të gjitha anët që më erdhën. Por i mbijetova edhe malarjeve, kolerave, tuberkulozëve. I mbijetova edhe njerëzve të mij. Që jo rrallë, më sulmuan për arsyet më të paimagjinushme të kësaj bote. Herë më burgosën e vranë si të krishterë e herë si mysliman. Herë si demokrat e herë si komunist. Një histori e gjatë. Herë-herë e cuditshme. Herë-herë e pakuptueshme. Herë-herë, mizore. Por çdo here, e madhe. Sepse mbijetova.


Por, sot kam frikë. Të kthejë kokën pas. As vetë se besoj si kam mundur. Jam krenar për të. Por dhe s’dua ta kujtoj. Se historia të nxit. Dhe kjo s’më pëlqen. Sot, kur lodhja dhe varfëria, më kanë kërrusur aq shumë, sa shikimi im nuk mund të shoh më largë. Se toka ku hedh hapat e mij. Të vegjël. E të ngadalshëm.
Hapat e mi të varfër. Në trotuaret gjithë dritë dhe zhurmë. Ku ndriçon pasuria. Dhe ku skamja të verbon. Në trotuaret dhe rrugët e zhvillimit të cmëndur të këtij vendi, të cilin kurrkush si unë e desh. Që kërrkush si mua, lodhi e sakatoi. Në një dashuri të mundimshme. 
Unë jam i varfër. Kam qenë e jam i tillë. Gjithmonë. Por mbaj Shqipërinë mbi shpinë. Këtë Shqipëri ku kanë lindur të parët dhe të tretët e mij. As të parët e as të tretët, në një jetë të qetë e të lumtur. E as unë.

Dhe njësoj si ata. i nëpërkëmur. i tallur. Nga komunismi që s’ish komunizëm. Nga kapitalizmi që s’është kapitalizëm. Nga sisteme që s’u bën kurrë sisteme. Por mbi të gjitha, nga njerëz që morën në dorë fatin tim. Gjithmonë. Pa ia dhënë unë. Pa më pyetur kurrë. Kudo ku të isha, në punë ose jo, në shkollë ose jo, i varfër ose jo, i pasur ose jo, i gjallë a duke vdekur. 
Dhe jo për faj të tyre. Kudo ku isha, unë nuk isha. Aty ku duhej. Aty kur duhej. Kur vendimet merreshin për mua. Dhe në emrin tim. Pra, nga unë.

Edhe pse kam qenë gjithmonë këtu. Në këtë truall. i ngulur thellë e i palëvizshëm nga koha dhe hallet. Edhe të sotmes do t’ia hedh. Me heshtje. Si cdo herë. Për gjithcka e ndaj gjithckaje. Që më verbon, kur e shoh. Që më shurdhon, kur e dëgjoj. Që më djeg, kur e prek. 
Por, kujt t’ia them? Mundimin tim? Të gjithë e dinë. Dhe kërrkush, s’do që ta dijë. Ta dëgjojë ditën për diell. Sepse ka frikë nga nata. Kur ajo vjen. Dhe qetësia bëhet e plotë. Dhe vetmia e sigurt. Dhe frikërat ikin. Dhe vuajtja bëhet e pashmangshme. 
Prandaj, unë hesht. Dhe vazhdoj të hesht. Duke i habitur kështu të gjithë. Të gjithë atë që më kanë njohur. Që më kanë takuar. Mua dhe historinë time, mijëra vjecare. Tek më shohin kështu. Gjithë kuriozitet e habi. Të vogël, të heshtur, të kërrusur, të mbyllur, pa zë, pa zhurmë. Pa jetë. Tamam si një vullkan. Gjithë histori. Që duket i shuar. Prej kohësh. Prej nga s’mbahet mend.

Leave a Reply

%d bloggers like this: