Home / Kronika / Kromi, Ruli “manipulon” Kuvendin

Kromi, Ruli “manipulon” Kuvendin

“Ministri Prifti i lajmëroi sindikalistët se ka nisur procedurat për heqjen e koncesionit ndaj kompanisë “ACR””, deklaroi kohë më parë Matilda Merxhani, zëdhënëse e ish-ministrit Dritan Prifti.

Por nisma e ish-ministrit të Energjitikës, Dritan Prifti, për të anuluar kontratën koncesionare më të rëndësishme të minierave në vend, atë të Bulqizës, përbën majën e ajzbergut të një procesi kaotik dhe me dështime.

Koncesioni i parë që u dha ishte në vitin 2001. Fillimisht ishte kompania italiane “DARFO”. Por, pas disa vitesh, ku vetëm shfrytëzoi rezervat pa bërë asnjë investim, “DARFO” e shiti koncesionin tek një tjetër kompani e huaj, austriakes “ACR”.

Dhe historia duket se përsëritet. Koncesioni i votuar në Kuvend, detyronte qartë “ACR” që deri në fund të vitit 2010 duhet të kishte investuar të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë.

Por programi i investimeve nuk u zbatua. Top Channel zotëron një dokument zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë, ku ish-ministri Genc Ruli, pak ditë para se të lërë detyrën e tij në vitin 2009, ndryshon programin e investimeve të minierës së kromit, pa e kaluar marrëveshjen në Kuvend.

E gjitha ndodhi vetëm në dy ditë. Në datën 7 korrik të vitit 2009, sic duket në dokument, kompania “ACR” i drejtohet zyrtarisht ministrisë duke kërkuar shtyrjen e afatit të investimeve.

Vetëm dy ditë më vonë ish-ministri Ruli firmos marrëveshjen duke shtyrë mbi 13 milionë euro investime për vitet 2009-2013, edhe pse sipas marrëveshjes investimet duhet të ishin kryer sakaq. Ndërkohë, në minierë dhjetëra punëtorë humbisnin jetën.

Por ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli rrit dozën e lehtësive për kompaninë. Në të njëjtin dokument Ministria e Ekonomisë jo vetëm që toleron kompaninë t’i shlyejë me këste penalitetet prej 1.6 milionë eurosh për mosrealizimin e investimeve, por e lidh shlyerjen e tyre me rimbursimin e TVSH-së nga tatimet, duke marrë përsipër kompetenca të ministrit të Financave dhe Kuvendit.

Pak muaj më vonë ministri pasardhës i Rulit, Dritan Prifti, tentoi të anulonte koncesionin duke e quajtur marrëveshjen zyrtarisht të dështuar. “Asnjë nga kriteret e kontratës koncesionare për 7 vjet nuk është plotësuar”, deklaroi zëdhënësja e tij.

Por koncesioni nuk u hoq. Industria e kromit, zëri kryesor i eksporteve shqiptare, që kanë arritur deri në 300 milionë dollarë në vit, vijon të mbetet në kaos. Ku ca kompani private, të përzgjedhura nga qeveritë, shfrytëzojnë rezervat, marrin të ardhura, por nuk bëjnë investime.

Leave a Reply

Your email address will not be published.