Ekonomia

Prifti: Kontrata me firmën e rulit, e paligjshme

Ish-ministri Dritan Prifti pranon shkeljet e kryera me kontratën e rishikuar të ACR-së, por nga ana tjetër shton se heqja e licencës nuk është e lehtë për aq kohë sa mbi të kishte firmosur ministri Genc Ruli.
“Me kontratën e rishikuar jam njohur në gjysmën e vitit kur kisha marrë postin dhe menjëherë kërkova shqyrtimin e dosjes dhe verifikimin në terren”, thotë Prifti për “Shqip”.

Rezultati, sipas Priftit, ishte se kompania ACR nuk i ishte përmbajtur kontratës, nuk kishte kryer investime dhe madje nuk kishte paguar as penalitete, që shkonin deri në 3 milionë euro.

“Për këto arsye kërkova që t’i hiqej licenca, por ishte disi e vështirë, pasi kompania kishte kontratën e re të firmosur nga ministri Ruli, që i jepeshin disa të drejta”, shprehet Prifti.

Pra, fakti i kësaj marrëveshjeje për rishikimin e termave, me firmën e një titullari shteti, e bënte më të komplikuar procesin.

“Megjithatë, kontrata që disponon kompania me firmën e Rulit është e paligjshme, pasi nuk ka marrë votat në Kuvend. Pavarësisht kësaj, unë kërkova sërish shqyrtimin e dosjeve, duke ngarkuar një grup të posaçëm pune. Më pas unë u largova nga detyra dhe tashmë procesi ka mbetur në dorën e ministrit aktual të Ekonomisë, Ilir Meta”, përfundon deputeti Prifti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button