Kronika

HRW: Basha u mor personalisht me vendburgosjet ilegale në Veri të Shqipërisë

Hetuesi i Human Rights Watch, Fred Abrahams: “Ministri Basha e di nga përvoja e tij personale se ka prova të besueshme për këto transferime ndërkufitare. Ai ka punuar për Gjykatën dhe Departamentin e Drejtësisë pranë UNMIK-ut pas luftës, dhe hetoi personalisht informacionet për këto vendburgosje në veri të Shqipërisë”.

Organizata e njohur e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, ka deklaruar se më 4 prill 2008 i ka dërguar letra kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në lidhje me dyshimet për rrëmbimet dhe transfertat ndërkufitare nga Kosova në Shqipëri pas luftës në Kosovë.
Në një dokument të vetë HRW-së, thuhet se organizata i ka kërkuar Berishës dhe Thaçit, hapjen e hetimeve, por deri më dy maj asnjë nga qeveritë nuk ka kthyer përgjigje.
Në këtë dokument të HRW, rihidhet dritë edhe mbi aktivitetin e z. Lulzim Basha, aktualisht ministër i Brendshëm, në hartimin e dosjeve në hetimet për këto krime ku spikat e ashtuquajtura “shtëpi e verdhë”.
“Ministri Basha duhet t’i marrë akuzat më seriozisht, sepse ai e di nga përvoja e tij personale se ka prova të besueshme të transferimeve ndërkufitare”, – thotë në këtë dokument Fred Abrahams, hetuesi i lartë i emergjencave pranë Human Rights Watch.
Më përpara ishte antropologu peruan, Jose Pablo Baraybar, që foli mbi rolin e z. Basha në këtë hetim si përkthyes në udhëtimin klandestin të z. Baraybar në Veri të Shqipërisë për hetimin e dosjes së krimeve të supozuara, në qendër të të cilave ishte “shtëpia e verdhë”.

Më poshtë një pjesë e përkthyer nga dokumenti i HRW-së, i cili mund të lexohet i plotë në origjinal në adresën http://www.humanrightsdefence.org/official-dismissals-premature.html

Human Right Watch
05 May 2008 13:38

Human Rights Watch ka pohuar se kanë dalë në dritë informacione shtesë në lidhje me dyshimet për rrëmbimet dhe transfertat ndërkufitare nga Kosova në Shqipëri pas luftës në Kosovë 1998-1999.
Qeveritë kosovare dhe shqiptare duhet të hapin një hetim të pavarur dhe transparent për të ndihmuar në zbardhjen e të vërtetës. “Akuzat serioze kanë dalë në dritë në lidhje me abuzimet e tmerrshme në Kosovë dhe Shqipëri pas luftës”, – tha Fred Abrahams, hetuesi i lartë i emergjencave pranë Human Rights Watch, i cili ka hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe Shqipëri nga viti 1993 deri në vitin 2000. “Qeveritë e Prishtinës dhe Tiranës mund të tregojnë angazhimin e tyre ndaj drejtësisë dhe ligjit duke zhvilluar hetimet e duhura”.
Më 4 prill 2008, Human Rights Watch i ka dërguar letra kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duke i kërkuar hapjen e hetimeve, por deri më dy maj asnjë nga qeveritë nuk ka kthyer përgjigje.
Shtatë shqiptarë etnikë, të cilët shërbyen në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të intervistuar veç e veç, dhanë detaje rreth pjesëmarrjes së tyre, apo si dëshmitarë okularë të transferimit të të rrëmbyerve dhe të burgosur nga Kosova drejt Shqipërisë.
Sipas informacionit, individët e rrëmbyer janë mbajtur në magazina dhe ndërtesa të tjera, duke përfshirë edhe objekte në Kukës dhe Tropojë. Në krahasim me të burgosurit e tjerë, disa nga burimet thanë se disa nga të burgosurit e rinj dhe të shëndetshëm janë ushqyer, ekzaminuar nga mjekët dhe nuk janë rrahur asnjë herë. Këta individë të rrëmbyer – një numër i panjohur – thuhet se u transferuan në një shtëpi të verdhë brenda apo rreth qytetit të Burrelit.

Shumica e viktimave ishin serbë, të cilët ishin zhdukur pas ardhjes së forcave të OKB-së dhe NATO-s në Kosovë. Por të burgosur të tjerë ishin gra nga Kosova, Shqipëria, Rusia dhe vende sllave.
“Të dhënat mbi trafikimin e organeve janë mbresëlënëse, por ende shumë larg nga të qenit të plota”, – tha Abrahams, – por është fakt se qindra njerëz janë raportuar të jenë zhdukur pas luftës. Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të përpiqen të përcaktojnë se çfarë ka ndodhur me këta njerëz, duke nisur hetime serioze me mbrojtjen e përshtatshme të dëshmitarëve”.
Sipas informatave të marra nga ICTY, trupat e disa prej individëve të rrëmbyer janë varrosur pranë shtëpisë së verdhë dhe në një varrezë rreth 20 kilometra në jug të Burrelit. Hetuesit e gjykatës dhe të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), të shoqëruar edhe nga një prokuror shqiptar, inspektuan shtëpinë në shkurt 2004. Shtëpia është lyer me ngjyrë të bardhë, por, në një fotografi dukej një rrip i verdhë në bazë të shtëpisë.
Në afërsi të shtëpisë hetuesit gjetën pajisje mjekësore të përdorura në kirurgji – shiringa, garza, çanta pikoj dhe shishe me ilaç që përdoret si qetësues i muskujve, i cili përdoret shpesh në kirurgji. Duke përdorur një sprai kimik, ekipi gjeti dëshmi dhe gjurmë gjaku në muret dhe dyshemenë e njërës prej dhomave. Në dhomë ndodhej një drejtkëndësh 180 centimetra i gjatë dhe 60 centimetra i gjerë, në të cilin nuk kishte asnjë gjurmë.
Human Rights Watch foli veç e veç me dy persona, të cilët ishin të pranishëm gjatë vizitës së hetuesve të ICTY dhe të UNMIK-ut në shtëpinë pranë Burrelit. Të dy këta njerëz vërtetuan historinë ashtu siç u tha në librin e Del Pontes.

Human Rights Watch ka marrë gjithashtu një kopje të raportit zyrtar të UNMIK-ut të përpiluar më 4 dhe 5 shkurt 2004, i cili titullohet “Shqyrtimi dhe vlerësimi mjeko-ligjor në Shqipëri”. Sprai kimik i quajtur Luminol, thotë raporti, zbuloi gjurmët e gjakut në dy dhoma, duke përfshirë edhe një vend në një kënd të drejtë në dysheme, e cila “tregon se kjo sipërfaqe ka qenë e mbuluar nga një objekt drejtkëndësh.” Në një shtrat lumë pranë shtëpisë, hetuesit gjetën një qese intravenoze, shiringa dhe shishe ilaçesh bosh, të cilat janë mbledhur si prova.
Një zëdhënës i gjykatës konfirmoi më 16 prill se hetuesit e ICTY dhe të UNMIK-ut kishin parë akuzat dhe kishin vizituar shtëpinë pranë Burrelit, por se ata “nuk mund të vërtetonin akuzat dhe nuk kishte asnjë bazë tjetër ligjore, mbi të cilën mund të vazhdojnë hetimet e Gjykatës”. E pyetur, zëdhënësja tha se hetuesit arritën në përfundimin se “nuk ka prova të besueshme”, për të vërtetuar akuzat.
“Mbledhja e provave të besueshme për të nisur një ndjekje penale dhe mbledhja e dëshmive që shtojnë dyshimet janë dy gjëra të ndryshme, dhe provat e gjetura pranë Burrelit shtojnë dyshimet”, – tha Abrahams. “Mandati i Gjykatës mbulon vetëm krimet e kryera gjatë konfliktit të armatosur, i cili përfundoi më 12 qershor 1999. Rrëmbimeve të dyshuara dhe krime të tjera u zhvilluan pas kësaj date. Kjo ishte një pengesë e mëtejshme për të ndjekur një hetim.”
Javën e kaluar, Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, hodhi poshtë akuzat e Del Pontes, duke i cilësuar ato si “imorale” dhe “shpifëse”.
“Ministri Basha duhet t’i marrë akuzat më seriozisht, sepse ai e di nga përvoja e tij personale se ka prova të besueshme për këto transferime ndërkufitare”, – tha Abrahams. “Ai ka punuar për Gjykatën dhe Departamentin e Drejtësisë pranë UNMIK-ut pas luftës, dhe personalisht ka hetuar informacionet për vendet e këtyre burgosjeve në Veri të Shqipërisë.”
(në origjinal: “Minister Basha should take the allegations more seriously because he knows from his own experience that there is credible evidence of cross-border transfers,” – Abrahams said. – “He worked for the tribunal and the Justice Department at UNMIK after the war, and personally investigated reports of detention facilities in northern Albania.” )
Human Rights Watch tha se nuk kishte kryer hetimet e veta në lidhje me informacionet, por vetëm ka parë raportet e paraqitur nga ICTY. Gjithashtu, HRW ka folur me dy njerëz, të cilët ishin të pranishëm gjatë hetimit në Burrel. Por u vu në dukje numri i madh i personave të zhdukur nga lufta në Kosovë – shqiptarë, serbë dhe grupe të tjera etnike.
Human Rights Watch i bëri thirrje qeverisë serbe për të ndihmuar në zgjidhjen e fatit të rreth 1500 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës. Human Rights Watch ka dokumentuar largimin e trupave të shqiptarëve nga 10 vende në Kosovë në vitin 1999. Qindra janë rivarrosur më pas në varre masive brenda Serbisë, përfshirë edhe një bazë të përdorur nga ana e policisë speciale.
“Qeveria serbe ka të drejtë të ankohet për rrëmbimet dhe transferimet e serbëve në Shqipëri”, – tha Abrahams. “Por, ajo ka dështuar të bashkëpunojë mjaftueshëm për të hedhur dritë mbi numrin shumë herë më të madh të shqiptarëve të Kosovës të zhdukur nga lufta.”

Basha, loja me deklaratat e Baraybarit

Antropologu Jose Pablo Baraybar tha tri ditë më parë në një intervistë për gazetën zvicerane “Le Temps” se, pasi ka marrë informacionet e para mbi dosjen e “shtëpisë së verdhë”, është përpjekur të futet pa mandat ligjor kontrolli në Veri të Shqipërisë. Në udhëtimin e tij, ai ishte shoqëruar nga një përkthyes që më vonë u bë ministër në Shqipëri, Lulzim Basha.
“Për të tentuar të verifikoja disa informacione të dosjes, unë kalova kufirin si turist, në një makinë banale (të zakonshme). Përkthyesi im quhej Lulzim Basha. Ai punonte për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPIY). Më pas, ai u bë Ministër i Punëve Publike në Shqipëri dhe e kam dëgjuar vitin e kaluar të thotë se gjithë kjo histori e organeve ishte broçkulla. Ndërkohë që unë e di që ai di. Ai ishte me mua. Ai kishte dosjen…”, – thoshte mes të tjerash në intervistë z. Baraybar.
Deklaratat e tij shkaktuan një furtunë kaotike deklaratash dhe kundërdeklaratash në Tiranë. Z. Basha tha se nuk e njihte antropologun peruan dhe nuk kishte punuar asnjëherë në jetën e tij si përkthyes i Baraybarit. Mediat pranë qeverisë, u përpoqën të anashkalonin rolin e z. Basha në këto hetime, duke u përqendruar në faktin, nëse ai kishte hyrë apo jo fizikisht brenda “shtëpisë së verdhë”. Fakti, nëse Basha ishte futur apo jo në shtëpi, apo kishte shkuar deri te gardhet e fshatit ngjitur, rezulton i parëndësishëm në hetimet e denoncuara nga antropologu me përvojë.
I pyetur nga media shqiptare pas deklarimeve të z. Basha, z. Baraybar tha se qëllimi i tij ishte pikërisht hetimi për “shtëpinë e verdhë” dhe ai ishte shoqëruar në udhëtim nga përkthyesi Basha.
“Hymë në veriun shqiptar me një Land Rover me targa britanike. U prezantuam si punonjës firme rrugësh dhe folëm me banorët… Z. Basha ishte përkthyesi ynë… Ai e di për çfarë bëhet fjalë, këto gjëra nuk zgjidhen me parulla nacionaliste”, – tha z. Baraybar pas deklaratave të Bashës.

Basha mohon të ketë punuar për Tribunalin, por HRW konfirmon Baraybar-in

“Unë nuk kam punuar për Tribunalin (Gjykatën), por kam qenë në UMNIK përgjegjës për krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë dhe transferimin e kompetencave të UMNIK-ut kësaj ministrie…”, – tha z. Basha në reagimin e tij kundër deklaratave të antropologut peruan që e ka shoqëruar si përkthyes gjatë hetimeve në Veriun shqiptar për dosjen e “shtëpisë së verdhë”. Duke u kapur me dashje pas detajit, nëse ka hyrë apo jo fizikisht në shtëpinë e verdhë, Basha ka bërë edhe një pohim të dytë që rezulton jo i vërtetë nga dy burime të pavarura njëri nga tjetri: puna për Tribunalin.
Si në intervistën e z. Baraybar, ashtu edhe në dokumentin e HRW që “Shekulli” boton sot, z. Basha cilësohet si person që ka punuar për Tribunalin. “…Përkthyesi im quhej Lulzim Basha. Ai punonte për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPIY). Më pas, ai u bë Ministër i Punëve Publike në Shqipëri”, – thotë Baraybar në intervistën për “Le Temps”.
E njëjta gjë thuhet në dokumentin e HRW: “Ministri Basha duhet t’i marrë akuzat më seriozisht, sepse ai e di nga përvoja e tij se ka prova të besueshme e transfertave ndërkufitare”, – tha Abrahams, – ai ka punuar për Gjykatën dhe Departamentin e Drejtësisë pranë UNMIK-ut…”
Ashtu si përqendrimi me dashje në detajin, nëse ka hyrë apo jo brenda “shtëpisë së verdhë”, edhe fshehja e këtij informacioni për punën në Tribunal nga z. Basha është në vazhdën e së njëjtës përpjekje për të krijuar konfuzion lidhur me rolin e tij në hartimin e dosjeve për të cilat sot thotë se “janë shpifje”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button