Rajoni

Dorehiqet kryeministri i Malit te Zi por mbetet ne krye te Partise

Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka deklaruar se tërhiqet nga ky funksion dhe se do të mbajë postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila është në pushtet.

“Dua t’ju njoftoj se kam marrë vendim për të dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit”, ka thënë të martën Gjukanoviq. 

Trashëgimtari i Gjukanoviq në ulësen e kryeministrit sipas të gjitha gjasave do të jetë zëvendësi i tij aktual dhe ministri i Financave, Igor Luksic. Ndërkaq, qeveria e re do të mund të zgjidhej deri në fund të vitit – natyrisht, me përbërje (pak a shumë) të njëjtë. Largimin e tij Gjukanoviq e arsyetoi publikisht, me dëshirën e tij për t’iu mundësuar “institucioneve që të zhvillohen, e jo që vazhdimisht të jenë nën hijen e një kryeministri të fuqishëm, i cili gjithnjë i zgjidh problemet vetë”. Gjukanoviq po ashtu ka theksuar se dëshiron që të ofrojë një hapësirë për kuadrot e reja, por edhe të pushojë – sepse jeta e tij private ka vuajtur mjaft në këto 20 vitet e fundit. 

“Gjukanoviq po tërhiqet në momentin kur BE dhe SHBA po kërkojnë nga Mali i Zi rezultate të matshme të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. 
Mund të supozohet se, në fakt, ai nuk dëshiron të jetë kryeministër në kohën kur do të arrestohen njerëzit me të cilët ka të ngjarë që njihet, sepse nuk është fshehtësi që ai ka krijuar lidhje me njerëz që ose cilësohen si kontroversë, ose janë pjesëtarë të nëntokës, me disa prej të cilëve madje ka edhe raporte miqësore”, i sqaroi për gazetën serbe ‘Blic’ Nedjeljko Rudovic, kryeredaktor i gazetës podgoricase ‘Vijesti’, motivet e vendimit të Gjukanoviq. 

Sipas Rudovic, disa prej bartësve të funksioneve publike në Mal të Zi gjithashtu do të mund të jenë subjekt hetimi, ngase në ato poste janë emëruar falë Gjukanoviqit, për të cilin vlen parimi se miqësia është ligj edhe më i madh sesa vetë ligji. 

“Qeveria e re, në krye me Luksic, do të ketë shumë më tepër shanse për përmbushjen e shtatë kritereve të Brukselit për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Si rrjedhojë, edhe DPS do të ketë shanse shumë më të mëdha që të ruaj pushtetin. Vetëm në këto rrethana Gjukanoviq mund të jetë i qetë se dikujt nga policia dhe prokuroria, që nuk vuan nga ‘autocensura’, nuk do të interesohet edhe për lëvizjet e tij. Plus, që në këtë mënyrë edhe vetë biznesi i tij privat do të mund të llogaris në një mbështetje të mëtutjeshme të qeverisë”, thekson Rudovic. 

Nga ana tjetër, ai është i vetëdijshëm që më nuk mund t’iu shmanget kërkesave të Washingtonit dhe Brukselit, por edhe se nuk ka më hapësirë për simulim të reformave – siç bënte deri më tani – pas marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim një BE. Kjo, ngase tash e tutje ky përparim varet vetëm nga rezultatet konkrete në fushën e sundimit të ligjit. 

Ndryshe, Gjukanoviq ishte për gjashtë herë rresht në poste të ndryshme shtetërore – pesë herë si kryeministër dhe një herë si president i Malit të Zi. 

Nga pushteti u tërhoq edhe më parë 

Në zgjedhjet e mbajtura më 10 shtator 2006, Koalicioni Për Mal të Zi shënoi një fitore absolute, ndërkaq që nga fillimi i tetorit të atij viti Gjukanoviq vendosi që të tërhiqej nga funksionet më të larta shtetërore, dhe t’i kushtohet biznesit të tij privat. Që nga tetori i vitit 2006, e deri më 28 shkurt të vitit 2008, mbeti vetëm deputet në Kuvendin e Malit të Zi. 
Megjithëse, më 29 shkurt të vitit 2008, ai sërish rizgjidhet për kryeministër të vendit. 

Shkon edhe Marovic 

Njëkohësisht me tërheqjen e Milo Gjukanoviq, nga posti i zëvendëskryeministrit të Malit të Zi tërhiqet edhe Svetozar Marovic. 
Marovic i tha agjencisë së lajmeve Tanjug se, këtë gjë e kishte paralajmëruar edhe më herët, dhe se ky është “një vendim i tij personal”. Sipas tij, ai edhe më tej do të mbetet në dispozicion të politikës malazeze në rrugëtimin e saj drejt BE, por edhe të DPS – deri atëherë kur kjo të shihet si e nevojshme. 
Për zëvendëskryeministër të Malit të Zi Marovic u zgjodh pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Ai ishte presidenti i fundit i Federatës së Serbisë dhe Malit të Zi. Në atë post mbeti deri më 22 maj 2006, kur banorët e Mali të Zi u deklaruan në referendum për një shtet të pavarur malazez.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button