PolitikaPresidenciale

Nishani: Barbaria e ISIS s’mund të neglizhohet, kërkon përballje e angazhim të përbashkët

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani thekson se Shqipëria do të vazhdojë të jetë anëtare aktive në aleancën kundër terrorizmit. Gjatë fjalës së tij në konferencën “Siguria ne shekullin XXI”, që u zhvillua në Universitetin “Luarasi”, kryetari i shtetit tha se barbaria e ISIS kërkon përballje dhe angazhim të përbashkët të të gjithë aktorëve të botës së lirë e demokratike.

Nishani1-320x185“Jemi dëshmitarë të rritjes së vazhdueshme të rrezikut të terrorizmit, i cili po tregon gjithmonë e më shumë se nuk njeh kufi dhe ka një ideologji të caktuar, dhunën, aktet barbare. ISIS po shfaq akte dhune dhe barbare edhe në Europë. Ngjarjet e fundit në Paris treguan se terrorizmi dhe ekstremizmi nuk bëjnë dallime, nuk njohin kufi. Përballja më e mirë e këtij fenomeni kërkon jo vetëm një përgjigje adektuale, por në bindjen time një përballje dhe angazhim të përbashkët. Sa më të bashkuar të jenë aktorët e botës së lirë, botës së demokracisë, sa më të koordinuar dhe të motivuar të jenë shoqëritë e botës së lirë, aq më të suksesshëm dhe më shpejt do ta kemi suksesin në përballje me barbari të tilla, të cilat kurrsesi nuk mund të neglizhohen. Shqipëria do vazhdojë të jetë anëtare aktive në aleancën kundër terrorizmit.”- deklaroi presidenti Nishani.

Presidenti Nishani theksoi se institucionet dhe agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri kanë reaguar në mënyrën e duhur për frenimin e të ashtuquajturit fenomen i luftëtarëve të huaj, duke goditur fillimisht burimet e rekrutimit të tyre.

“Procesi i ndalimit të këtij fenomeni duhet të jetë një proces disa dimensional. Duhen alternuar angazhimet e institucioneve shtetërore dhe në tërësi të shoqërisë, për të nxitur nivelin e arsimimit dhe kulturës në zonat rurale. Së dyti fakti që gati 90% e resurseve që rekrutohen vijnë nga individë të cilët janë vulnerabël në aspektin financiar dhe bien lehtësisht preh e premtimeve idioteske për pasurim, nëse marrin pjesë në luftë, është një çështje që duhet të bëhet pjesë e analizës, por dhe e vendimmarrjes për të vepruar përmes projekteve sociale, të ndikojnë për të denoncuar pamundësinë e atij premtimi që i bëhet.”- u shpreh presidenti.

Ndër të tjera, presidenti Nishani theksoi se procesi i integrimit evropian shihet si jetik dhe pashmangshëm nga klasa politike shqiptare pa dallim dhe mazhoranca dërrmuese e qytetarëve shqiptarë.

“Dua që si President i Republikës së Shqipërisë të shpreh dhe të nënvizoj me forcë pikëpamjen besimin orientimin tashmë të konsoliduar të shtetit shqiptar, të qytetarëve shqiptarë, të kombit shqiptar, në rrugën pa kthim dhe pa alternativë të integrimit në BE. Ne shqiptarët besojmë që përtej të qenit ky proces, ai i integrimit ne BE, një objektiv strategjik dhe më parësori për Shqipërinë dhe shqiptarët, besojmë se është rruga më e mirë për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. Historia është dëshmitari më i mirë i gjithçkaje, është mësuesi më i drejtë dhe më i rreptë për çdo popull, çdo komb. Unë si president, në çdo forum kam përcjellë qëndrimin zyrtar të shtetit shqiptar, që është një qëndrim i pandryshueshëm, tërësisht konsensual i klasës politike shqiptare pa dallim, qëndrimi i një mazhorance dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, të cilët e shohin procesin e integrimit, si jetik, të pashmangshëm por dhe si një proces që nuk mund të realizohet në mënyrë të njëanshme. Sfidat kërkojnë që të përballen sipas prioritetit, të përballen me platforma dhe strategji të qarta dhe konkrete dhe njëkohësisht të adoptojmë një qasje të përbashkët.”-deklaroi Nishani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button