Kryeartikull

QUO VADIS?

ULPIANA LAMA

Ulpiana LamaTemperaturat shënojnë nën zero. Burra të mbledhur në tufa ngrohin duart në avullin që u del shtëllungë nga goja e më pas i rrasin thellë në xhepa. Përsërisin impulsivisht lëvizjen, ndërsa lëkunden si lavjerrës sa në njërën, në tjetrën këmbë. Parehatia varet në ajër. Ngricat vizatojnë harta të çuditshme në tokë.

Kureshtarë, punonjës të stacionit, udhëtarë në listë pritje për t’u kualifikuar emigrantë, shkëmbejnë copëza bisedash.

Prej disa mbrëmjesh afrohem, në një përzierje kureshtjeje dhe shqetësimi. Herën e parë provova të mbledh material për ndonjë matje sasiore. E pamundur. Emocionet dhe tensionet janë të larta. Disa ulin kokën kur flasin, pa entuziazëm; të tjerë maskojnë nën mllefin e tonit ndjenjën e frikës. Askush nuk ka siguri për atë që e pret. Askush nuk ndihet krenar.

Kuptoj se duhet të kufizohem në biseda individuale dhe grupore që maksimumi më shërbejnë si fokus grupe, por që gjithsesi mbeten cilësore, pa ndonjë mëtim për t’i kuantifikuar në shifra e përqindje. E në këtë përpjekje individuale, më shpërfaqen gjashtë arsye kryesore.

  1. Mospasja. Pamundësia për të siguruar prej ushqimeve deri te pagesa e faturave mujore. Lodhja nga varfërimi; shumë kanë marrë borxh për udhëtimin. Sërish, këtu nuk gjenden më të skamurit e të skamurve, sepse ata as hua nuk arrijnë të sigurojnë… Pakënaqësia ndaj politikës, pa përjashtuar asnjë krah, në nivel qendror dhe lokal, artikulohet prej shumicës. Secili ka një histori personale të asaj që do cilësohej si faktor shpërthyes (trigger factor) – frustrimi nga puna apo humbja e saj, telefonatë e një miku që ka mbërritur në Gjermani, i cili tregon se ka nisur punën e parë në ‘atdheun’ e dytë, ndërprerja e energjisë elektrike për mospagim …dhe lista vazhdon! Ndihen të papërfillur e të parëndësishëm. Kujtojnë se nuk kanë çfarë humbasin nga tentimi për një jetë të re, në një vend që ofron mundësi. Kanë dëgjuar se prej vitit 2012, Gjermania e ka thjeshtëzuar procesin për imigrantët jashtë Bashkimit Europian. Përforcojnë në bisedat me njëri-tjetrin vetëm ato elemente që u amplifikojnë shpresën: përmendin faktin se popullsia gjermane po plaket e se u nevojitet fuqi punëtore për të paguar pensionet e rifreskuar popullatën. ‘Harrojnë’ të theksojnë ose thjesht nuk e dinë, se ky proces është selektiv; vlen për të arsimuarit dhe të rinjtë e grupmoshës 18-25 vjeç.

Për shumicën, Gjermania është vendi i mundësive. Në të vërtetë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermania renditet aktualisht si vendi i dytë më tërheqës në botë për emigrim. Është magnet për spanjollë (ku papunësia shkon në 25%), grekë (afro 27%), turq, indianë e kinezë. Jo të gjithë ia kanë mësyrë Gjermanisë. Një pjesë e madhe drejtohen për Zvicër dhe vendet skandinave.

  1. Faktorët tërheqës (pull factors) sidomos në brezin e 35-49-vjeçarëve, të zënë si sanduiç mes nevojës për rritjen e fëmijëve e brengës për përkujdesje ndaj prindërve të moshuar. Shërbimet shëndetësore, shkollimi, siguria e jetës janë çka i tërheqin drejt Perëndimit. Duke pranuar që Kosova nuk do të ketë ndoshta kurrë spitale dhe kujdesin mjekësor të Zvicrës, Gjermanisë apo vendeve nordike, duhet punuar në paketën e sigurimeve. Sot, e dimë, janë më të siguruara makinat se ne.
  2. Historik i mëhershëm migrimi. Fëmijët e të kthyerve në Kosovë gjatë viteve 2000, besojnë se kostoja e emigrimit në vendet ku kanë jetuar ata apo prindërit e tyre u lehtësohet nga rrjeti i të afërmve apo të njohurve të mbetur atje. Kjo vlen për punësim, banim, apo socializim. Hapja e kanalit ilegal të emigrimit, mundëson riaktivizimin e këtij kapitali social ku ata mund të mbështeten. Jo më pak e rëndësishme: familje të tilla kanë shpesh një relacion negativ me investimet. Mund t’i quajmë investime të këqija, shpeshherë në formën e një shtëpie dy – trekatëshe banimi ku janë lënë krejt kursimet. Krahas politikave nxitëse ekonomike – vende të reja pune, taksim, luftim i korrupsionit që devijon tërësisht ecurinë e tregut, – është e rëndësishme të mendohet për programe të edukimit financiar.
  3. Mungesa e perspektivës si rezultat i paaftësisë. Një pjesë nuk kanë kurrfarë aftësimi profesional. Thonë se janë në gjendje të bëjnë gjithçka, nga hamall në murator, por realisht nuk shquhen për asnjë profilizim, asnjë identitet profesional. Të tjerë, pavarësisht arsimimit jo të keq, mendojnë se emigrimi do t’i çlirojë nga barra e statusit social në vendin e origjinës, që ua pamundëson punët e rëndomta pavarësisht të ardhurave më të larta. Shkojnë në Perëndim jo sepse nuk kanë diçka këtu, por sepse dëshirojnë të arrijnë gjithçka atje. Ndërsa ky lloj i dytë është më i vështirë të frenohet, i pari mund të adresohet fort mirë. Mësim për politikat publike: investim në arsimin profesional. Njëherësh, kjo do shkarkonte barrën nga universitetet ku dyndja është e paprecedentë dhe e pajustifikuar.
  4. Në kategorinë e pestë hyjnë aventurierët – ata të cilëve nuk u mungon gjë, nuk janë në gjendje të artikulojnë ndonjë shqetësim konkret përveç asaj që dëgjojnë të stërthuhet këtyre javëve se “këtu nuk jetohet”. Nuk e privojmë dot botën nga aventurierët, nga ata guximtarë që rreken ta kërkojnë fatin në bëma e gjëma. 10 mijë kilometrat katrorë të Kosovës u rrinë ngushtë egove të tyre. Të tillë historia njeh plot. Është një mënyrë jetese. Tanët kanë përfituar nga momenti i krijuar.
  5. Arsyeja e fundit, por ndër më të rëndësishmet është izolimi i skajshëm. Kur pyeteshin nëse do ta ndërmerrnin këtë odiseadë në kushtet e liberalizimit të vizave, shumica përgjigjeshin bindshëm ‘jo’. Afërmendsh! E dinë se në kushte ilegaliteti, për vite të tëra do jetojnë në hije e do punojnë në të zezë, pa mundur të kthejnë kokën pas, të malluar për njerëzit e dashur. Por tmerri nga izolimi është akut, tani për tani. Rrjedhimisht edhe më i madh se imagjinata për kufizimet e së ardhmes. Është revoltuese pamundësia e kosovarëve për të udhëtuar. Ngujimi si në rezervat, me liri të lëvizjes në shtete që numërohen me gishtat e një dore (fqinjë, kryesisht) prodhon frustrim të skajshëm. Kush merr rrezikun në sy e udhëton tani, nuk bën asnjë kujdes të kalkulojë cila do jetë kostoja kolektive në shtyrjen eventuale të liberalizimit. Kujtesë për Brukselin: integrimi i kësaj pjese të Ballkanit në BE, nuk është vetëm projekt ekonomik, por edhe politik e social. Pyetja mbetet konsistente: çfarë identiteti do të krijojë një i ri, i cili nuk ka vizituar asnjë qytet europian, nuk ka parë ndonjëherë yjet nga një observator, nuk ka kundruar kurrë nga afër një pikturë të Rilindjes, a cilësdo periudhë tjetër, nuk ka dashuruar ndonjëherë dikë që nuk është i etnisë së tij? Për këta të rinj rrugët çojnë më lehtë në Siri se në Romë (e të mendosh që Roma është shumë më afër e të gjitha rrugët do duhej të çonin aty, sipas proverbit!).

Ne të tjerët, ne sedentarët, jemi të zënë në llogaritjen e efekteve. Demografikisht, po humbasim. Nëse mund të quhet rrethanë pozitive afatshkurtër lirimi i disa qindra vendeve të punës, apo afatmesme remitancat, anët negative janë më të shumta dhe ndjeshëm më dëmtuese: ne kemi eksportuar para me shumicë gjatë këtyre muajve (mes 16 milionë dhe 30 milionë euro sa ç’llogariten shpenzimet e bëra nga afro 33 mijë të larguarit), kemi humbje të taksapaguesve çka do të thotë rënie e të hyrave buxhetore; të cilët taksapagues janë(ishin) edhe konsumatorë gjë që padyshim do të reflektohet në ulje të konsumit. Përtej të gjitha arsyeve të renditura më sipër, nuk mund të mos konstatohet se kjo epidemi arratisjeje është shenjë e një trandjeje morale. Thellë-thellë secili është i vetëdijshëm se shanset për të qëndruar apo kthyer janë 1 me 9. Kjo psikozë e fitimit të së ardhmes në një “lotari” është rezultat edhe i llogarive të gabuara dhe pritshmërie të pavenda.

Në një mbrëmje të ftohtë shkurti, largohem nga stacioni me thirrjen e brendshme dhe pa përgjigje: quo vadis? Ku po shkoni?!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button