Kryeartikull

Baltosja e Kosovës, s'duhet të prishë aleancën tonë me Perëndimin

Tashmë, më shqetësues se raporti i shumë përfolur i Dick Marty në emër të Këshillit të Europës, është bërë reagimi ynë ndaj tij. Kosova është baltosur në opinionin ndërkombëtar së bashku me Shqipërinë, dhe së bashku ato duhet të bëjnë një përpjekje dinjitoze për të hequr këtë baltë. Raporti i Dick Marty është një përpjekje e mundimshme dhe diabolike për të inkriminuar historinë e suksesshme të shtetit të ri të Kosovës.

Më duhet të them si një aktor i rëndësishëm i politikës së Kosovës dhe luftës së saj për liri, se dyshimet e hedhura në raport nuk të çojnë tek asnjë histori e vërtetë dhe tek asnjë udhëheqës politik në Kosovë, përfshi drejtuesin politik të UÇK-së, Hashim Thaçi.

Spekulimi për problemet që kanë ekzistuar brenda faktorit shqiptar nuk ka qenë në asnjë rast, as histori trafiqesh dhe as historia monstruoze siç tentohet të lihet përshtypja nga dyshimet e hedhura.

Si në çdo luftë dhe situata të ngjashme më të, ka plot ngjarje të dhimbshme dhe të rënda, por kurrsesi nuk ka në historinë e luftës sonë për çlirimin e Kosovës implikime të tilla kriminale, për të cilat tentohet të hidhen dyshime.

Lufta për çlirimin e Kosovës ka qenë një luftë e mbështetur nga faktori perëndimor, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një përpjekje për të ndalur një gjenocid kundër shqiptarëve.

Në atë luftë ne ishim viktima dhe tashmë po përpiqen të na trajtojnë si agresorë. Historia nuk mund të përmbyset kaq shpejt dhe krimet serbe në Kosovë, për të cilat dhe Perëndimi mbështeti shqiptarët, janë ende të pazbardhura dhe të pahetuara. Çdo komb pastron ndërgjegjen e vet duke e parë të vërtetën në sy dhe çdokush që tenton të gëzohet nga ky raport se krimet e serbëve do të harrohen, thjesht është duke bërë një krim tjetër.

Ne kemi mijëra njerëz të pagjetur e të zhdukur nga serbët, për të cilët mund të japim emër e mbiemër, e raporti i Dick Marty nuk ka asnjë emër konkret, për të cilin mund të hetohet. Këtu është diferenca mes spekulimit dhe të vërtetës.

Së dyti, desha të them se nga ana profesionale, unë jam një nga mjekët e pakët kirurg të Kosovës që kam qenë i specializuar në një klinikë të transplantit të veshkave në Berlin qysh në vitin 1984.

Për cilindo profesionist, që dëgjon absurditete të tilla, i gjithë ky raport është një shaka gazmore, por një mjek dhe një politikan shqiptar, mbi vendin e të cilit bien këto kauzat është një shaka e hidhur që nuk duhet të gëlltitet kaq lehtë.

Edhe në atë klinikë moderne në Berlin ku specializohesha për transplante veshkash e kisha të vështirë të guxoja të hyja në sallë, dhe nuk e përfytyroj se si në ato shtëpi të mjera të Shqipërisë dikush të ketë bërë të vlefshëm për transplant një organ të hequr në mënyrë barbare nga trupi i një njeriu.

Së treti, desha të theksoj se ndjehem i frikësuar, ndofta pa të drejtë, se kjo fushatë histerike kaq shumë e mediatizuar po keqpërdor Këshillin e Europës. Do të ishte fatale që autoriteti i Këshillit të Europës të barazohej me kredibilitetin e dyshimtë të këtij të raporti, i cili si në shumë raste të tjera të raporteve të zotit Marty, më shumë obsesohet nga drejtësia politike e një karshillëku të pafrenuar antiamerikan, se sa nga përkushtimi ndaj politikës së drejtësisë.

Do të ishte fatale që ndërtesa e rëndë e Strasburgut të përdorej nga një prokuror ambicioz si parzmore në luftën e tij, shpesh personale, ndaj SHBA.

Por ashtu siç kam kurajë t’u kërkoj serbëve dhe miqve të tyre në Perëndim që të shikojnë të vërtetën në sy, kam kurajën t’i them politikës shqiptare se baltosja e madhe e Kosovës duhet parë në sy si një realitet i hidhur dhe nga ajo duhet dalë me qëndrime dinjitoze dhe bashkëkohore.

Unë përkrah qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian, që një histori dyshimesh nuk mund të kthehet në akuzë pa fakte konkrete.

Duke qenë se autori i këtij raporti nuk ka dëshirë ta çojë këtë çështje para drejtësisë, por ta lërë në nivel të njollosjes politike, unë i bëj thirrje klasës politike në Kosovë, institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, i cili është shtet i baltosur në këtë raport, që përmes institucioneve të tyre të zbardhin në rrugë profesionale të vërtetën për t’i dhënë fund kësaj baltosje.

Retorika e paranojave dhe ideja e një komploti antishqiptar nuk është gjuha e duhur që duhet përdorur në këtë rast, pasi na vetëfajëson pa të drejtë dha krijon idenë në Perëndim se jemi, jo vetëm të vetëdijshëm për një krim që s’ka ndodhur, por dhe të pafuqishëm për të mbrojtur të vërtetën që është në anën tonë.

Unë vlerësoj reagimin e kryeministrit Berisha, i cili u fokusua tek nevoja që raporti të mbështetet në fakte, dhe po ashtu çmoj qëndrimin serioz të Presidentit të Shqipërisë ndaj kësaj histerie, por këmbëngul se Shqipëria ka tagrin e duhur për të hedhur poshtë përmes institucioneve akuzat, duke furnizuar medien ndërkombëtare me detajet e hetimeve, që kanë hedhur poshtë këto akuza.

Një hetim i pavarur për të vërtetuar nëse në akuzat e këtij raporti ka fakte flagrante të infiltruar qëllimisht, është i domosdoshëm. Një hetim ndaj hetimit spekulativ të Dick Marty, do të ishte një fitore për faktorin shqiptar dhe do ta zhvendoste sulmin në fushën e akuzuesve, të cilët sot ndjehen komodë me mbrojtën tonë patetike dhe aspak profesionale dhe kombëtare.

Baltosja e Kosovës kërkon të prishë aleancën tonë me Perëndimin dhe t’ua bëjë edhe më të rëndë dheun mbi varret e humbura të vëllezërve tanë të zhdukur dhe ende të pagjetur nga histeria serbe kundër shqiptarëve. Ne duhet ta fitojmë sërish këtë betejë, duke mos humbur Perëndimin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button