Opinion

Papërgjegjshmëria duhet ndëshkuar

Kryeministri Sali Berisha dhe jo pak mbështetës të tij kanë bërë thirrje këto ditë që opozita të mos bëjë politikë me përmbytjet në Shkodër duke shfrytëzuar si avantazh këtë fatkeqësi. Janë deklarata që duket sikur bëjnë thirrje për më shumë moral në politikën shqiptare por që në fakt, vetëdenoncojnë mungesën e moralit politik të Kryeministrit dhe qeverisjes së tij.

***

Nëse do të merrnin për model sesi ka reaguar vetë Berisha në opozitë ndaj të njëjtave dukuri do të konstatonim se sot, nëse do të kish një pikë morali, nuk do të guxonte t’i vinte kushte opozitës sesi të sillej. Mjafton të shikoni videot e transmetuara nga “Fiks Fare” në vitin 2004 kur ndodhi thuajse e njëjta dukuri. Në pushtet ishin socialistët dhe uji në një lagje periferike të qytetit arriti vetëm 5 centimetra. A e përdori Berisha “fatkeqësinë” politikisht? Sa i hëngri krahu. Nga tribuna e Kuvendit e akuzoi qeverinë socialiste jo për paaftësi për të menaxhuar digat e kaskadës së Drinit. Jo, jo, e akuzoi se i kish bërë me qëllim sepse sipas Berishës e urrente Shkodrën madje ishte dhe antikombëtare. Asnjë politikan vërtet demokrat nuk do kish guxuar të shfrytëzonte në mënyrë kaq të ulët një inondatë për të shpallur kundërshtarët e vet armiq të kombit dhe të popullit. Të tilla hakërrime janë tipike për diktatorët që i gjejnë armiqtë e popullit te opozita politike. Habitesh sesi shqiptarët e kanë harruar kaq shpejt se një zakon i tillë qe tipik për liderët komunistë. Berisha jo vetëm e shfrytëzoi politikisht një përmbytje ku e ku më të paktë të Shkodrës, por mund të themi se e bëri në mënyrën më monstruoze të mundshme.

***

Por kur Berisha këshillon opozitën si të sillet nuk ka parasysh një moral që atij i mungon. Ai ka hallin si të minimizojë koston politike për pushtetin e tij. Ndërkaq, për shumëkënd është e qartë se sot po të ishte Berisha në opozitë dhe Rama në pushtet, me 5 përmbytje të Shkodrës brenda një viti, Berisha do ta kish hedhur me këmbë përpjetë pushtetin e Ramës dhe të kujtdo tjetër. Por Berishës i ka ecur me këtë taktikë. Edhe kur për shkak të korrupsionit deri edhe familjar të Kryeministrit, në Gërdec u vranë 26 njerëz, u plagosën 300 të tjerë dhe u shkatërruan fshatra, përsëri Berisha bëri thirrje që opozita të mos shfrytëzojë të vdekurit. Ka dhe zëra që thonë se në këto momente nuk duhet bërë politikë por duhet bashkëpunim për të kapërcyer tragjedinë. Në fakt bashkëpunimi duhet dhe opozita po e bën atë me sa mundet. Madje ka propozuar edhe një strategji (që Berisha nuk e ka pranuar) për t’i dhënë përgjigje rrënjësore problemit të përmbytjeve. Po ç’do të thotë e gjitha kjo? Që duke bashkëpunuar opozita të mos kërkojë llogari për humbjen e jetëve të njerëzve në Gërdec apo të pronave në Shkodër? Kërkesa e Berishës që të mos shfrytëzohet politikisht “fatkeqësia”, edhe në rastin e përmbytjeve, është një taktikë politike dinake dhe nuk ka të bëjë fare me moralin. Sepse nga deklarimet e shumë specialistëve, po del përditë e më qartë se nuk kemi të bëjmë me një “fatkeqësi” por me një papërgjegjshmëri të pushtetit në qeverisjen e kaskadave dhe në mos marrjen, të paktën në 6 vjet, të masave për riparimin e argjinaturave apo realizimin e projekteve të nevojshme për shmangien e tragjedisë. Ashtu si edhe në Gërdec, ashtu si edhe në rastin e Piramidave Financiare në vitin ’97. Nuk është këtu fjala që opozita të imitojë tërbimin e Berishës opozitar. Por ajo ka jo vetëm të drejtën morale dhe politike të kërkojë largimin e këtij kryeqeveritari që jo rastësisht i ndodhin “fatkeqësi pas fatkeqësie”. Realizimi i këtij objektivi politik do t’i hapte rrugën edhe vënies përpara përgjegjësisë ligjore të shkaktarëve të katastrofës. Sepse opozita nuk e bëri mirë në ’97 detyrën e saj politike, madje akoma më keq kur u ngjit në pushtet, dhe Berisha u rikthye në qeverisje për të gatuar “Gërdecin” dhe së fundi katastrofën e Shkodrës. Duhet kuptuar, më në fund, se fatkeqësitë dhe katastrofat po përsëriten në Shqipëri nga që përgjegjësit kryesorë, qeveritarët e korruptuar (sepse në thelbin e të gjithë këtyre katastrofave fshihet përherë korrupsion) nuk janë ndëshkuar as politikisht dhe as ligjërisht. Asnjë ish-qeveritar i korruptuar nuk është arratisur nga frika e drejtësisë sikundër sapo ndodhi me ish-kryeministrin kroat. Përkundrazi, në Shqipëri politikanë të korruptuar si Berisha rikthehen në pushtet me flamurin e luftës antikorrupsion. Politikanë të korruptuar si Fatos Nano shpalosin ambicie për t’u bërë Presidentë të Republikës. Kalbëzimi është ekstrem. Politikanët e korruptuar në Shqipëri nuk e kanë frikë drejtësinë. Përkundrazi drejtësia trembet nga ata. Fatkeqësitë dhe katastrofat si përmbytjet në Shkodër dhe “Gërdeci” janë rrjedhojë e krijimit të një kaste politikanësh dhe qeveritarësh që janë bërë të papërgjegjshëm se qëndrojnë mbi ligjin. Skemat piramidale, “Gërdeci”, katastrofa e Shkodrës janë të pashkëputura nga dështimi i shtetit ligjor në Shqipëri, nga kapja institucioneve dhe frika e tyre për të kryer misionin që i ngarkon ligji, nga korrupsioni i një kaste qeverisëse autokratike që është bërë e papërgjegjshme sepse ka mposhtur drejtësinë dhe sabotuar shtetin ligjor. Prandaj opozita ka për mision ta ndëshkojë politikisht këtë papërgjegjshmëri. Që më pas të vijë edhe ndëshkimi ligjor i saj. 

Related Articles

Nje koment

  1. Ky Lela eshte i madh fare. Ta nderojm pak me shume Kacorrin, thote, se ka qene kltiaok.Arsyeja: Sepse, kltiaoket jane europiane dhe jane kleri i persekutuar.E para, historia behet sipas oreksit fetar: Nuk ka rendesi se kush e ka kontributin me te madh per pavaresine, por ka rendesi cfare feje ka pas ai qe e ka dhene kete kontribut.E dyta, sipas ketij, kltiaoket qenkan perendimor ndersa muslimanet e ortodokset jo. Dmth, Don Nikolle Kacorri eshte me perendimor se Faik Konica, apo Ismail Qemali.E treta, sipas ketij, vetem kltiaoket jane kler martir. Te gjithe ata klerike muslimane, suni apo bektashi, madje edhe ortodokse, qe jane pushkatuar, internuar, burgosur e persekutuar, nuk hyjne ne llogari qe ta konsiderojme klerin e tyre martir. Nuk di nga i gjen te dhenat Lela se kleri kltiaok eshte persekutuar me shume nga ai musilman, por sido qe te jete, nese do t’a vleresonim historine me ndonje diference te vogel perqindjeje, per te thene se kush eshte kleri i persekutuar (kleri martir), atehere do te kishim te drejte pa medyshje fare te thonim sot, se muslimanet jane themeluesit e kombit dhe shtetit shqiptar. Kete mund ta themi se perqindja e muslimaneve ne shpalljen e pavaresise eshte dominuese. Madje ndonjehere kltiaoket jane futur ne strukturat e qeverise se pare, thjesht qe te kene diversifikim fetar. Pra nemermjet nje diskriminimi pozitiv. Keta ekstremistet kltiaoke, i perdorin statistikat vetem kur iu leverdisin.Logjike banale!

Leave a Reply to Flavia Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button