Opinion

SOS Kuvendi Françeskan i Rubikut!

NDUE DEDAJ

Ndue-DedajCilitdo që kalon Rrugës së Kombit, anës së tejshme të Rubikut, sytë i mbeten në një objekt tepër të veçantë, si i ngulur në shkrepin e bardhë, kishën monumentale të Shelbuemit dhe Kuvendin Françeskan, që po rrënohet dita-ditës në sytë tanë. Nëse do të kishin qenë gjallë Fishta e Gjeçovi, që kanë shërbyer aty, do të na kishin mallkuar për këtë papërgjegjshmëri, duke fajësuar shtetin dhe institucionet e kulturës, arsimit e në radhë të parë Provincën Françeskane Shqiptare, që e ka lënë këtë ndërtesë në gjendje të mjerë duke u shembur sot një copë mur e nesër një tra. Pse jo, mund të kishte bërë diçka dhe Dioqeza e Rrëshenit, që e ka në territorin e vet këtë kishë historike, ndonëse u përket françeskanëve. Është normale që përurohen katedrale e kumbanore të reja, por është e pafalshme që po na shuhet memoria kulturore e një mijë vjetëve. Kuvendi Françeskan i Rubikut është pjesë e një ansambli kishtar autentik, datuar që nga viti 1166, si rrallë ndonjë objekt tjetër i tillë në Shqipëri për nga vjetërsia, në rend me kuvendet sivëllezër të Troshanit, Shkodrës etj. Kishën dhe Kuvendin e Rubikut, pos disa albanologëve të tjerë, i ka fotografuar dhe përshkruar me detaje Teodeor Ippen në vitin 1901, duke u ndaluar tek absida, afresket, mbishkrimet etj. Një ndërtesë moderne për kohën, në harmoni me gjithçka përreth, mjediset për mësimin dhe fjetjen e seminaristëve, por e mbetur në rrënoja prej 48 vjetësh, pas dëbimit ateist të fratit të fundit, Atë Leon Kabashi. Për ironi të fatit, edhe pas 90-s, kur duhej të kishte një qëndrim krejt tjetër, në vend që kishës t’i bëhej restaurimi siç e meritonte, iu hodh një dorë suva nga jashtë duke a “shplarë” anën monumentale. (Kësaj i thonë në vend që t’i veshë vetullat, t’i nxjerrësh sytë.) Kurse godina e Kuvendit as nuk u prek me dorë më e pakta për t’iu përforcuar muret. Vite më parë Marianne Graff, një humaniste e njohur austriake në Shqipëri, i pati hyrë projektit të restaurimit të këtij objekti, për ta kthyer në një qendër dialogu rajonal, ku sërish “kuvend” do të mbetej, por në një kontekst të ri, për çka kishin dhënë pëlqimin dhe autoritetet vendore, deputetët, intelektualët e zonës, por pengesë u bënë të zotët e tapisë, françeskanët, si duket ngaqë ishte ndryshim destinacioni. Sidoqoftë, ata kurrsesi nuk duhej ta linin objektin muzeor duke u rrënuar dita-ditës deri në asgjësim, pasi para se të jetë një copë truall në kadastrën e tyre, është monument i trashëgimisë kulturore të mirditorëve e më gjerë. Habitesh se si kjo zyrë kishtare me aq emër e vlerë as nuk e restauron vetë objektin, siç ka bërë mjaft mirë kthimin në identitet të Kuvendit të Troshanit dhe as nuk lejon të tjerët për ta bërë këtë. Me të drejtë është ngritur zëri fort për arkeologjinë e Komanit, reliktet që gjenden nën tokë dhe nuk bëhet as më e vogla përpjekje për të shpëtuar një monument si ky. Ka nisma për të shndërruar në muze kulla familjare treqindvjeçare, që lidhen me emra figurash kombëtare e kishtare dhe nuk kujtohet askush për shtëpinë e gjithë françeskanëve. Provinca Françeskane ka bërë punë të lavdërueshme për sa i përket botimit të veprave të françeskanëve të shquar, por këtë duhej ta kishte bërë dhe për monumentet, që janë enciklopedi të gurta me po aq vlerë sa librat. Ndërkohë, duhet thënë se komuniteti,  Bashkia e Rubikut, me fonde të qeverisë, e ka bërë të veten që para 15 vitesh, me ndërtimin e rrugës për te kisha & kuvendi në kodër.

Por a dihet mirëfilli historia e këtij Kuvendi? Ndoshta pak dhe në përgjithësi. Në hershmëri ka qenë njëri ndër 4 Kuvendet Benediktine të Mirditës. E dëshmon këtë dhe Milan Shuflai, kur shkruante se afër Rubikut të sotëm ishte në vitin 1582 Abacia e vjetër e “San Salvator Arbanesis”, që nga shekulli XII. Në Mesjetë kalon nga Benediktinët te Françeskanët dhe në shekullin XVII ata të Rubikut vepronin në një territor shumë të gjerë, në disa uratore, për banorët e Fandit, Kthellës, Selitës, Lurës dhe Çidhnës në Dibër. Në vitin 1898, Kuvendi i Rubikut gëzon statusin e njërës nga shkollat e përmendura të kohës. Aty shërbeu dhe shkrimtari e dijetari austriak, Fabian Barcata, nga mori lëndën për romanin e tij të famshëm “Lule”, “Ditarin shqiptar” dhe disa novela. Karl Steinmetz më 1905 shkruan se Kuvendi i ngjiste një kështjelle, ndërtesa e banimit ishte e madhe, njëherë dy, pastaj katërkatëshe, pjesa e pasme e së cilës mbështetej në bllokun më të lartë të shkëmbit. Kompleksi kishtar lartohej në një “ballkon” natyror, gjithë shkallë e rrugina të gdhendura e të latuara nga dora e njeriut, në masivin shkëmbor dekorativ, në “njërën nga luginat më të bukura në botë”, siç e ka quajtur Barcata lagunën e Fanit. Në tërësinë e vet, një vepër arti e rrallë dhe pikë turistike e preferuar, sa sot kur nuk ka vizitor që shkel në Mirditë e nuk ngjitet pikësëpari aty. Një histori e çmuar ruhet në rrasat e bardha, ku novicëve (studentëve) u mësohej gjuha shqipe, filozofia, letërsia klasike etj. Aty i kreu mësimet e mesme një nga dijetarët tanë të shquar, Atë Ambroz Marlaskaj, për të vijuar më pas studimet e larta jashtë vendit. Ndaj është e pafalshme që e fotografojmë si relikte, e filmojmë përditë për klipet e këngëve dhe nuk e ngremë zërin për ta nxjerrë nga gërmadhat. Nëse Provinca Françeskane nuk është e zonja për ta rimëkëmbur si muze, atëherë të heqë dorë dhe ta bëjë dikush tjetër. Vullnetmirë ka, nëse ftohen për të kontribuar. Ashtu siç u gjetën financuesit për shtëpinë muze të Mjedës në Kukël, do të gjendet dikush a disa dhe për këtë shkollë të vjetër, në kohën kur shkollat e mesme ishin sa gishtat e dorës. Kemi ardhur në një pikë kritike ku nuk mban më, nga papërgjegjshmëria kemi humbur kohë pas kohe disa rezidenca emblematike, si qelën e Abacisë në Orosh e të tjerë, pa folur se po na ikin drejt fundit të detit objekte monumentale si kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit. Të paktën prita që të mos i gllabërojë deti mund të vinim pa shumë shpenzime, siç qe vepruar 15 vjet më parë nga Ministria e Kulturës për të shpëtuar nga gërryerjet e Bunës manastirin e vjetër të Shën Serxhit dhe Bakut. Siç ka pasur reagime të forta në media, por vetëm në to, për të shpëtuar qytezën ilire të Albanopolit në Zgërdhesh, në afërsi të Fushë-Krujës. Tekefundit është Ministria e Kulturës që duhet t’i dalë përzot dhe Kuvendit të Rubikut, pasi jo rastësisht fotoja e kishës së Shëlbuemit është në tekstet shkollore të historisë së Shqipërisë. E ku jo pa domethënie në oborrin e saj dhjetë vjet më parë është gdhendur në gur një simbol gjithëfetar, me shenjat e tri besimeve: krishterimit, myslimanizmit dhe budizmit. Në rastin e kalasë së Dalmacisë në Koman një rol të pazakontë luajti një njeri, arkeologia e përkushtuar, Etleva Nallbani, që vuri “veton” duke u dalë përballë të gjithë atyre që kishin qenë dakord për të kaluar shtyllat e tensionit të lartë mbi trashëgiminë kulturore të tij. Ku të gjejmë të kemi nga një “Etlevë” dhe në Rubik, Zgërdhesh, Kepin e Rodonit, Gurrën e Domgjonit, kudo ku rrezikohen monumentet e papërsëritshme. Por ajo që lypet t’i kapërcejë vullnetet e individëve është qeveria shqiptare, me politikat për trashëgiminë kulturore dhe sidomos me aksionin, do të thoshim gjithëkombëtar, për t’i shpëtuar gurët e fundit të historisë pa na i përpirë “kuçedra” e shkatërrimit.

Ajo që presim pas këtij shkrimi kritik nuk besoj se do të jetë ndonjë reagim i vakët, “sa me la gojën”, i Provincës Françeskane, apo Ministrisë së Kulturës, por një bashkëpunim i tyre për ta kthyer në identitet Kuvendin e Rubikut. Ky është lajmi që presin rubikasit, mirditorët, gjithë shqiptarët, që kalojnë përditë nëpër Rrugën e Kombit duke i bërë fotografi rrënimit, si në asnjë vend tjetër të Europës! Të paktën faktori kulturor në Mirditë nuk do të reshtë së kërkuari derisa ky problem të ketë marrë një zgjidhje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button