Film

Virgjëresha shqiptare, “pushton” Berlinin

“Virgjëreshat e betuara”/ Filmi i regjisores italiane, Laura Bispuri, pati dje premierën ndërkombëtare në ekranin e madh të edicionit të 65-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin

Burrneshat-2-659x3711-659x371
Po përse një film për Shqipërinë, çfarë e shtyn një italiane të vijë në Berlinale me një histori shqiptare?, pyet një gazetare meksikane. Për Laura Bispurin, Shqipëria tashmë është më shumë se një pasion. “Qëkur lexova për herë të parë librin e shkrimtares Elvira Dones me të njëjtin titull, nuk mendoja gjë tjetër veçse të shkoja në Shqipëri dhe t’i gjeja këto virgjëresha. Teksa lexoja më dukej sikur ecja në një legjendë. Por nuk ishte legjendë. Udhëtova drejt Shqipërisë dhe i takova këto virgjëresha, për të kuptuar më mirë personazhin e Markut që do të ndërtoja. Kam ndenjur shumë me këto gra burra për t’u kuptuar. Dhe ja jam këtu me një të vërtetë shqiptare, që është e tillë”, tha Lispuri

Nga Alda Bardhyli

Qindra yje duket sikur bien nga pemët e zhveshura në rrugicën që të çon për në Postamer Platz. Në mbrëmje ngjason sikur gjithë festa e kinemasë po bëhet në një qiell të hapur. Nga “Oscar bar” një nga baret historike të Berlinales mund të shohësh ecjen e dhjetëra njerëzve deri pas mesnatës… Këto ditë kjo rrugicë nuk është asnjëherë bosh. Nuk janë vetëm artistët, njerëzit e prodhimit të filmit ata që shkelin aty, por dhe njerëzit e zakonshëm, ata që nuk mund të blejnë një biletë për të parë filma, por mund të ndiejnë shkëlqimin e yjeve te kjo rrugicë. “Këto ditë filmi ndodh edhe në rrugë”, thotë Juli Ndoci, e cila ka udhëtuar nga një qytet tjetër i Gjermanisë ku ndan jetën, për në Berlin. Por historia e Hanës, apo Markut, ashtu si regjisorja italiane Laura Bispuri e quan në filmin “Virgjëreshat e betuara”, do ta kthente Berlinalen dje, në një ditë për Shqipërinë. E veshur me një palë pantallona burrash, me rripin e shtrënguar fort në belin e hollë, me një këmishë të lehtë Mark shikonte përtej dritares së hapur të shtëpisë diku në veriun e Shqipërisë. Teksa era hynte përtej dritares, ajo ndiente seksualitetin e saj. Është ky moment mes Hanës dhe Markut që e bën personazhin kryesor të këtij filmi të dyshojë për herë të parë për trupin e saj. Është ajo një burrë? Apo çfarë emri tjetër duhet t’i vendosë këtij trupi tjetër që çdo ditë e më shumë po bëhet më i fortë brenda saj? Teksa dritat u fikën në kinemanë e madhe të Berlinales, mijëra njerëz shihnin të përqendruar këtë histori jo të zakonshme që i vinte nga Shqipëria. Hana një fëmijë e mbetur jetime, e rritur nga axha i saj vendosë të kthehet në një burrë sipas zakonit, pa e ditur çfarë do të thotë kjo gjë. Ajo mëson të gjuajë me pushkë, të dalë me bagëti vetëm maleve ashtu si burrat, të pijë raki dhe të mendojë me mendjen e axhës. Ai mund t’i gjuajë me shuplakë, por ajo nuk duhet të trembet, pasi është burrë. Gjithçka ndryshon kur Mark pas vdekjes të axhës udhëton drejt Italisë te vajza e axhës, apo motra me të cilën ishte rritur, Lila (interpretuar nga aktorja Flonja Kodheli). Trupi tjetër brenda saj fillon ta ngacmojë çdo ditë e më tepër, derisa një ditë në një pishinë ku shkonte për të parë vajzën e Lilës, (Jonidën), ajo ndien të pushtohet nga tërheqja ndaj një tjetër burri. Kjo tërheqje shoqëron gjithë jetën e re në vendin fqinj të Mark, derisa një ditë në korridorin e vogël bri pishinës ajo ndien puthjet e tij. Mark ndien të ndihet sërish si Hana, një ndjesi e cila duket se do ta ndajë atë përgjithmonë nga ai betim që bëri në atë dhomë të vogël në fshat të mbushur me burra, ku u betua se “Do të ishte një virgjëreshë e përjetshme”. Interpretuar nga aktorja italiane, Alba Rohrwacher, filmi i cili zgjati më shumë se 1 orë e 30 minuta do të mbante mbërthyer me sytë nga ekrani mijëra shikues. I realizuar në gjuhën shqipe edhe pse është një bashkëprodhim italian, filmi do të duartrokitej gjatë pas premierës.

Alba Rohrwacher do të kthehej dje në yllin e Berlinales. Kalimi i saj dhe i aktorëve të tjerë në tapetin e kuq do të shoqërohej nga dhjetëra komente nga gazetarët e huaj. Me një shqipe perfekte në film ajo kishte arritur të shndërrohej në një virgjëreshë shqiptare, me fytyrën e imët dhe trupin që dukej sikur ishte një tjetër personazh. “Jam e lumtur që pas tre vitesh arrita ta realizoj këtë film dhe jam këtu”, do të shprehej në konferencën për shtyp regjisorja Laura Bispuri. “Takimi me Albën do të më ndryshonte përgjithmonë jetën. Qëkur nisa të mendoja për të realizuar këtë film mendova atë si personazh. Na është dashur tre vite të përgatitemi për të ardhur në këtë realizim”, tha ajo. Por përse një film për Shqipërinë, çfarë e shtyn një italiane të vijë në Berlinale me një histori shqiptare?, pyet një gazetare meksikane. Për Laura Bispurin, Shqipëria tashmë është më shumë se një pasion. “Qëkur lexova për herë të parë librin e shkrimtares Elvira Donës me të njëjtin titull, nuk mendoja gjë tjetër veçse të shkoja në Shqipëri dhe t’i gjeja këto virgjëresha. Teksa lexoja më dukej sikur ecja në një legjendë. Por nuk ishte legjendë. Udhëtova drejt Shqipërisë dhe i takova këto virgjëresha, për të kuptuar më mirë personazhin e Markut që do të ndërtoja. Kam ndenjur shumë me këto gra burra për t’u kuptuar. Dhe ja jam këtu me një të vërtetë shqiptare, që është e tillë”, tha Lispuri. Por nëse virgjëreshat shqiptare nuk e thyejnë asnjëherë betimin, në filmin e Lispurit mes betimit dhe seksualitetit ato zgjedhin këtë të fundit. Filmi ka pasazhe disi të rënda siç janë skenat e masturbimit të Mark, por për regjisoren kjo është një zgjedhje që e ka bërë natyrshëm për ta çuar personazhin drejt kësaj zgjedhjeje. “Unë doja të merresha me femilitetin e humbur të kësaj virgjëreshe. Doja t’i jepja një kontekst më të gjerë, duke e zhveshur Markun nga zinxhirët me të cilët kishte lidhur trupin, dhe ta bëja të fliste përmes kësaj gjuhe, trupit”, tha Lispuri. Për të është e rëndësishme që kinemaja t’i flasë realitetit. Dhe historia e Mark është një realitet të cilin e ka marrë në Veriun e Shqipërisë dhe ende nuk ka vdekur. “Kemi bërë një punë të madhe. Më është dashur të studioj libra për Shqipërinë, të dëgjoj sa më shumë histori nga aktorët shqiptarë dhe të mësoj shqip. Doja ta njihja sa më shumë Markun, dhe të shndërrohesha si ai”, tha  Alba Rohrwacher. Laura Bispuri tregoi se në Romë, qëkur u njoh me historinë e virgjëreshave ka më shumë miq shqiptarë. “Gjithçka që kishte të bënte me Shqipërinë ishte kurioze për mua. Jam e dashuruar me këtë vend”, tha ajo. Për aktoren Flonja Kodheli ky film është një eksperiencë e bukur. Në role të tjera në këtë film interpretojnë aktorët Luan Jaha, Bruno Shllaku, Emily Ferratello, Lars Eidinger. Për Bruno Shllakun, bashkëpunimi me Laura Bispurin ishte një eksperiencë që nuk mund të harrohet. Me syrin e një regjisoreje që e di shumë mirë ku duhet ta çojë filmin, ajo arriti ta përfundonte xhirimin në Valbonë në një kohë tepër të shkurtër. “Pavarësisht se jam një aktor me një karrierë 40-vjeçare më është dashur të punoj shumë për këtë rol. Ishte një personazh i ndarë në dy personalitete. Ishin dy Gjergja brenda Gjergjit”, thotë Shllaku. Ai donte të thyente natyrën njerëzore, duke kthyer në mashkull vajzën që kishte marrë për ta rritur, sipas zakonit të maleve. “Si zakon malesh ishte një lloj krenarie për ato femra që edhe pse kishin mundësi të bëheshin murgesha, ato zgjidhnin të bëheshin burra dhe të pinin cigare, të mbanin kuletën në xhep e të pleqëronin në kuvendin e burrave. Të gjitha këto gra që kanë zgjedhur këtë rrugë sidomos në zonën e Tropojës kanë arritur t’ia dalin. Roli im ishte të lundroja mes dëshirës dhe jodëshirës”, thotë Shllaku. Të qenët nga veriu ia bënte më të lehtë personazhin, por dilema e Brunos kundër Brunos e ka ndjekur deri në fund të filmit. “Ishte një zgjedhje që nuk do ta bëja kurrë për vajzën time, ndërsa si intepret duhet të harroja çfarë duhet të bëja unë si Bruno, por të bëja atë që duhet të bënte Gjergji”, thotë Shllaku. Teksa kthehet pas në kohën e xhirimeve, ai kujton lehtësinë e komunikimit që regjisorja Lispuri kishte me banorët. Duke studiuar mirë psikologjinë e burrave të kësaj zone, ajo arriti të realizonte një skenë morti në film vetëm me disa dubla dhe me personazhe figurante. Virgjëresha e betuar” është bashkëprodhim i Italisë (Vivo Film, Colorado Film Production), Kosovës (Era Film), Shqipërisë (Era Film), Zvicrës (Bord Cadre Film), Gjermanisë (Match Factory). Është i financuar nga Ministria e Kulturës në Itali, Qendra Kinematografike e Kosovës, Euroimages dhe nga Media Programme (Komuniteti Europian). I mbështetur nga televizionet RSI (Radio Televizioni Zviceran) dhe RAI CINEMA (Radio Televizioni Italian). “Një histori e jashtëzakonshme”, do ta quanin gazetarët e huaj në korridoret e Berlinales, ndërsa na ndajnë vetëm dy ditë nga ndarja e madhe e çmimeve të këtij Festivali, Laura Bispuri duket që e ka çuar një histori shqiptare shumë pranë Luanit të Artë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button