Kryeartikull

Ne kufijte e poshterimit dhe te lojes me zjarrin

 

Ndërsa opozita dhe partnerët ndërkombëtarë prisnin nga Berisha përgjigjen që do të çontë në “shkuljen” e krizës , ky e nguli me thellë atë.

Me marifete dhe lidhje të shkurtëra juridike, që nuk është e vështirë të kombinohen në pyllin e legjilacionit tonë, ai refuzoi edhe ofertën e reduktuar të opozitës që përjashton nga hetimi kutitë e fletëve, duke u fokusuar vetëm te kutitië e materialeve zgjedhore. Me këtë qëndrim shumica parlamentare zbuloi plotësisht këmbët e veta në lidhje me bllofet që ka bërë përgjatë vitit për të penguar trasparencën.

Legjenda e stërzgjatur e fletëve të votimit, sikur ishin ato shkaku që nuk pranohej trasparenca, doli qartë se ka qenë vetëm një sebep. Nje sebep që u dogj përpara se të digjen fletët.

Sebepet e reja që u shqiptuan pardje në Komisionin e Ligjeve dhe në grupin parlamentar të PD-së janë shgënjyese jo më për opozitën, por në radhë të parë për të gjithë ata njerëz, analistë politikë, intelektualë apo qytetarë të thjeshtë, që kanë besuar se kryeministri do të ruante një minimum koherence dhe vije logjike në historinë e ngërqit për trasparencën e zgjedhjeve.

Në sytë e këtyre njerëzve, Berisha mohoi vetveten dhe hapi një kapitull të ri tensioni me opozitën dhe faktorin ndërkombëtar. Ai sfidoi rrezolutën e Parlamentit Europian të muajit qershor dhe raportin e Komisonit Europian të muajit nëntor të këtij viti.

Rrezoluta i kërkon Kuvendit të Shqipërisë hetimin e materialeve zgjedhore. Raporti që shoqëron refuzimin e kërkesës së qeverisë për marrjen e statusit të vendit kandidat vë në dukje mungesën e gadishmërisë së qeverisë për t’ju përgjigjur propozimeve të partisë socialiste për zgjidhjen e krizës.

Ky paragraf kritik i referohet periudhës së verës dhe vjeshtës, kur qeveria refuzonte propozimin e opozitës për të filluar hetimin e material zgjedhore, ndërkohë që çeshtja e fletëve të çohej për opinion në Komisionin e Venecias.

Le të imagjonojmë se çfarë do të shkruhej sot në Bruksel për qeverinë shqiptare që ka refuzuar hetimin edhe pasi opozita i la fare fletët. Le të imagjinojmë çdo të shkruhej sot kur kjo qeveri i ka ngrenë fjalët në lidhje me kompozimin e komisionit.

Berisha ka deklaruar solemnisht me dhjetra herë para ndërkombëtarëve dhe publikut shqiptar se opozita do të ketë shumicën në komisionin hetimor. Edhe rrezuluta e Parlamentit Europian kërkon një komision me shumicë nga opozita dhe të drejtuar prej saj. Tani, papritur, Berisha e tërheq atë që ka premtuar, e injoron atë që i është kërkuar. Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian janë shpërfillur dhe sfiduar me tendencë në qëndrimin e ri të qeverisë.

Ndihet qartë se kryeministrit i Shqipërisë është i zemëruar me raportin që shoqëron refuzimin e kërkesës së tij për marrjen e statusit të vendit kandidat. Natyrisht, megjithëse po mban heshtjen e lodhjes dhe dështimit me Shqipërinë, Bashkimi Europian nuk e ndjen zemërimin e qeveritarvë të Shqipërisë vogël.

Pasojat e këtij zemërimi bien në radhe të parë mbi qytetarët shqiptarë. Duke sfiduar Bruskelin, integrimi i Shqipërisë vonohet edhe me shumë, perpektiva e zgjedhjeve të lira zbehet, shpresa e një ringjalljeje ekonomike largohet.

Por me këto pirueta politike, ku çfarë thuhet sot, mohohet neser, sfida e madhe i është bërë opozitës dhe opozitarizmit. Ka gjithnjë një dialektikë dhe një etikë në bashkëeksistencën, bashkëveprimin, komunikimin dhe përplasjen midis shumicës dhe opozitës. E gjithë kjo nënkupton një thirrje apo një jehonë të arsyes në veprimet dhe kundërveprimet e palëve në funksion të një kompromisi.

Njëra palë tërhiqet një hap, tjetra një gjysëm hapi, pastaj afrohen drejt një pozicioni që duket se i nxjerr faqebardhë dhe me dinjitet të dyja palët. Kjo histori është e vjetër dhe shumë e pasur me shëmbuj.

Por ç’mund të thuhet në rastin kur njëra palë, megjithese shumë e fortë, me mbështetje të gjerë në publik dhe jashtë vendit , një ditë prej ditësh, në emër të kompromisit, mungesa e të cilit ka shkaktuar deme të mëdha në vend, vendos të përqafojë opsionin e palës kundërshtare dhe sakaq, pala kundërshtare nxjerr bishta, i kthen kurrizin apo i hidhet me thonj?

Një sjellje si kjo është poshtëruese, është të ndezësh luftën, do të thoshte Emanul Kanti. Në fakt edhe një analist i kultivuar proqeveritar nënvizonte dje, pa cituar Kantin, se qëndrimi pardjeshëm i qeverisë ndaj propozimeve të opozitës për hetimin e zgjedhjeve është në kufinjtë e poshtërimit.

Rrjedhimisht, të lojës me zjarrin. 
Vetem dritëshkurtësia mund të shohë përfitime duke menduar të fyejë, të provokojë apo të poshtërojë opozitën. Opozita vetëm është rritur duke kërkuar zgjidhje. Qeveria vetëm është zvogëluar duke u përgjigjur me bllofe dhe me tallje. Është në lojë një çeshtje e madhe që nuk duron shakara.

Opozita do të vazhdojë përpjekjet më të gjitha mjetet legale, por luftë ajo nuk do të bëjë në kuptimin e përdorimit të dhunës. Ajo ka bërë të qartë se për shkak të refuzimit të trasparencës, zgjedhjet e ardhshme janë në rrezik. Miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë nuk kanë nevojë ta dëgjojnë nga opozita këtë sinjal alarmi.

Ata e ndjejnë, e dëgjojnë , e shohin vetë. Ata e dinë më mirë se ne se cili është çmimi i hedhjes së dorashkave dhe i prishjes së zgjedhjeve. Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë investuar e investohen për një Shqipëri demokratike. Europa, e lënduar dretpërdrejti nga qëndrimet e fundit të qeverisë, po matet të thotë të veten. Por, si në një stafetë, nuk janë vonuar asnjë minut Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deri me sot ky vend i madh mik ka folur për hetimin e zgjedhjeve kryesisht përmes OSBE-së dhe institucioneve europiane. Ka folur edhe permes ambasadorit të saj në Tiranë. Deklarata e djeshme e ndihmëssekreatrit të shtetit Tom Countruman përbën një zhvillim të ri dhe është një lajm i mirë për Shqipërinë. Do të thotë se kriza nuk mund të mbahet peng nga kërkush. Zgjidhja e saj është fati i saj i vetëm. 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button