Politika

Komisioni hetimor, opozita dërgon draftin në SHBA e BE

Aksion politik në Parlament, adresim i shqetësimeve në kancelaritë perëndimore dhe një angazhim maksimal në protesta; projekti i opozitës për garancitë elektorale përfshin në vetvete të gjithë degëzimin e mundësive reale prej nga ku Partia Socialiste po shpenzon kreditet e fundit përpara ballafaqimit elektoral.
Për të maksimalizuar forcën e argumenteve të veta, por edhe për të rritur audiencën ndërkombëtare, selia rozë ka hedhur hapa të tjerë për çështjen e vet, e cila ende nuk po gjen një zgjidhje pavarësisht se Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë të posaçme.

Kështu, drafti i fundit i opozitës, ai që parashikon hetim parlamentar pa fletët e votimit u është vënë në dispozicion selive diplomatike në Tiranë përfshirë edhe atë amerikane.

Deklarata e para dy ditëve e ndihmës zëvendëssekretarit të Shtetit, Thomas Countryman, dëshmon përveç monitorimit që faktori ndërkombëtar po i bën krizës shqiptare edhe për një negocim në vijimësi që PS po mban me të.

Kështu, edhe në ditët e kaluara bisedime mes përfaqësuesve opozitarë dhe zyrtarëve amerikanë në Uashington duket të kenë qenë një nga shtysat e deklarimeve të Countryman që përbën një formulim politik të ri për shqetësimet relativisht serioze që kriza shqiptare vijon të përcjellë.

Ajo që bëhet e ditur është se apeli amerikan mbetet për zgjidhjen e krizës përmes negociatave dhe dialogut, duke kërkuar arritjen e saj brenda këtij fundviti.

Si afat kohor, mesazhet e SHBA-së përkojnë me qëndrimin e mbajtur nga Edi Rama, i cili duke komentuar refuzimin e shumicës për draftin e PS-së për hetimin e zgjedhjeve, ka nënvizuar në parantezë “shpresën” e një reflektimi deri në seancën e fundit parlamentare.

Në një farë kuptimi, kjo koherencë dhe ky durim i opozitës, pavarësisht perspektivës jo shumë të qartë të saj, dëshmon për mbajtjen e komunikimit mes saj dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button