Home / Ekonomia / Pacolli : Qëndrimi i Mimozës – personal, jo i partisë

Pacolli : Qëndrimi i Mimozës – personal, jo i partisë

Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, i ka quajtur personale deklarimet e nënkryetares Mimoza Kusari, se kjo parti nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, nëse në qeveri hyn Fatmir Limaj. 

“Është qëndrim yni që ne të kemi koalicion me njerëz me duar të pastra. Por ndaj zotit Limaj nuk është dëshmuar akoma asgjë dhe akoma nuk ka ndonjë vendim gjyqi”, ka thënë Pacolli, në një intervistë për BBC-në. 

“Kështu që deklarata e zonjës Kusari ku përmendet edhe emri i zotit Limaj, është qëndrim personal i saj dhe jo i partisë”, ka theksuar ai. 

Kryetari i AKR-së ka komentuar edhe raportimet e medieve se “tashmë është afër një koalicion ndërmjet AKR-së dhe PDK-së”. 

“Unë prej kthimit tim në Kosovë e kam një problem. E kam një problem me shpirtin tim dhe me realitetin në Kosovë. Unë jam njeri konstruktiv dhe nuk i ik takimit me askënd. Në këtë kuadër e kam takuar edhe kryeministrin në dorëheqje Hashim Thaçin dhe jemi pajtuar, në parim, për mundësinë e një qeverie të koalicionit. Por asgjë më shumë. E kemi lënë të takohemi pas 9 janarit, por nuk kemi biseduar për ndarjen e qeverisjes e as që kemi pasur më shumë se sa një takim të zakonshëm që është realizuar në një vend publik”. 

Raporti i Martyt e ka dëmtuar Kosovën 

Në bisedën me BBC-në në shqip, Behgjet Pacolli ka folur edhe për raportin e Dick Martyt. Sipas tij, raporti i ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm Kosovës, ndërsa reagimi i Prishtinës konsideron se ka qenë më shumë emocional sesa profesional. 

“Unë them se është dashur të kishte një reagim profesional dhe unik dhe jo secili të flasë sipas tekave të veta. Dëmi është shkaktuar dhe ai është shumë i madh, sepse pala serbe këtë raport tashmë e ka përkthyer pothuaj në të gjitha gjuhët e mundshme dhe të njejtin e ka shpërndarë në të gjitha vendet të cilat akoma nuk e kanë njohur Kosovën. 
Ka munguar zëri i Prishtinës, ose ky zë nuk ka ardhur me intonacionin dhe intensitetin e duhur. Unë them se Kosova duhet ta bëjë një strategji dhe t’i kundërvihet këtij raporti në mënyrë profesionale”. 

Pacolli ka thënë se e njeh shumë mirë Martyn, që nga vitet 80-a. Sipas tij, Marty në Zvicër, njihet si një njëri kontraversial. 

“Dick Marty jeton vetëm 700 metra larg shtëpisë sime në Lugano dhe unë sapo kam ardhur këtu e kam parë se është një ambient krejtësisht tjetër këtu, kjo në raport me Kosovën. Shumë njërëz që unë i njoh e që jetojnë këtu, po na shikojnë disi me rezervë. Mund të them se ky raport ka shkaktuar një dëm jashtëzakonisht të madh. Për mua ky është një raport i shëmtuar i cili është bërë me pretendime të caktuara dhe me ndihmën e dikujt”. 

Pacolli ka thënë se po mundohet që me disa aktivitete me mediat zvicerane dhe me disa konferenca shtypi, të sqarojë se Marty ka publikuar gjëra të pavërtetuara dhe të pargumentuara, dhe ta ndryshojë këtë përceptim. 

Por, sipas tij, duket se Dick Martyt po i pëlqen të jetë para kamerave dhe gazetarëve dhe unë druaj se ai nuk do të ndalet edhe për kush e di sa kohë. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.