Kosova

Isa Mustafa kerkon persri zgjedhje vitin e ardhshem

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka përsëritur nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve vitin e ardhshëm, zgjedhje të cilat sipas tij, duhet të jenë të vërteta dhe prej të cilave do të burojë vullneti i qytetarëve të Kosovës. Ai ka theksuar nga zgjedhjet e 12 dhjetorit nuk do të ketë qeveri dhe pushtet të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës. 

Këto komente kreu i LDK-së, njëherit kryetari i komunës së Prishtinës, i bëri në qendër të Prishtinës me rastin e ndezjes së dritave të bredhit të pavarësisë në sheshin “Nëna Tereza” dhe të dritave dekoruara në kryeqytet, me rastin e festave të fundvitit. 

“Duhet të gjindet një mënyrë se si të tejkalohet kjo në mënyrë që vitin e ardhshëm të mbahen zgjedhjet e vërteta, zgjedhje të cilat burojnë nga vullneti i vërtetë i qytetarëve të Republikës së Kosovës, sepse për fat të keq kanë ndodhur abuzime të rënda, të cilat e kanë deformuar dhe lënduar rëndë këtë gjendje, por ne duhet ta sigurojmë që Kosova të ketë institucionet e veta dhe të zhvillohet jeta institucionale, përderisa zgjedhjet të mos mbahen”, ka thënë Mustafa. 

Ai ka theksuar se LDK është e gatshme të qëndrojë edhe në opozitë, megjithatë për vendimin përfundimtar, ai ka thënë se duhet pritur certifikimi i rezultateve. 

“Gjithsesi unë kam thënë se LDK-ja është pajtuar të jetë edhe në pozitë edhe në opozitë, mirëpo tani për tani unë nuk e shoh këtë proces të mbaruar, sepse nuk ka mbaruar ende rinumërimi, nuk ka mbaruar certifikimi i rezultateve, dhe kur të mbarojë certifikimi i rezultateve, atëherë ne do ta japim qëndrimin tonë përfundimtar”, është shprehur kreu i LDK-së. 

Ndryshe, kryetari i Prishtinës bashkë me struktura të larta të LDK-së dhe të komunës së Prishtinës, kanë ndezur dritat në bredhin e vendosur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe dritat dekoruese në Sheshin “Nënë Tereza” dhe në Sheshin “Bill Klinton”, i cili është bërë në bashkëpunim të komunës dhe Raifaissen Bank. 

Ky projekt, sipas Mustafës ka kushtuar 58 mijë euro, 28 mijë euro nga komuna e Prishtinës dhe 30 mijë nga Raifaissen Bank. 

Bredhi i pavarësisë ka filluar të dekorohet në qendër të Prishtinës nga ish presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe ka vazhduar traditën edhe ish presidenti Fatmir Sejdiu, ndërkaq sivjet, një gjë të tillë nuk e ka bërë ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, por kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa. 

Ky i fundit ka thënë se tash e tutje, bredhi i pavarësisë do të rregullohet si pjesë e dekorimit të qytetit, e jo si pjesë e ndarë. 

Reagon edhe për raportin e Dick Martyt 

Pas disa ditë përfshirje të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në debatit lidhur me raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Marty, më në fund ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa. Ai ka thënë të mërkurën në mbrëmje se opinioni i LDK-së është po i njëjti me atë që ka dhënë Qeveria dhe qytetarët e Kosovës. 

Kreu i LDK-së ka theksuar se është duke iu bërë një dëm i madh Kosovës në këto ditë, nga një raport i cili pa asnjë argument është vënë në funksion të demantimit dhe hedhjes poshtë të gjithë asaj që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës. 

“Është një dëm shumë i madh i cili po i shkaktohet Kosovës këto ditë, është një raport i cili pa argumente të caktuara është vënë tani në funksion dhe po shfrytëzohet që të themi të demantohet dhe të hidhet poshtë ajo që është bërë këtu nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga populli i Kosovës për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Është thënë që ne do të jemi të hapur për të gjitha argumentet të cilat do të jepen dhe unë mendoj që një fushatë e tillë ndaj Kosovës dhe ndaj pavarësisë së Kosovës, ndaj institucioneve të Kosovës nuk ka bazë, ndërkaq mendoj që Kosova duhet të jetë e hapur që të argumentohen, të jepen faktet që tani mungojnë dhe përderisa situata është kështu unë mendoj se është shumë e dëmshme për ne dhe totalisht e papranueshme”, ka thënë Mustafa. 

Mustafa ka theksuar se Kosova duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë, duke shfrytëzuar rrjetin diplomatik jashtë në mënyrë që të thuhet e vërteta para bashkësisë evropiane dhe që në mënyrë institucionale, Kosova t’i kundërvihet propagandës që po bëhet ndaj saj. 

Ai ka thënë se duhet të përdoren të gjitha rrugët në mënyrë që të argumentohet e vërteta në institucionet përkatëse, në mënyrë që mos të ketë raporte të tilla të cilat pa asnjë argument, e sjellin Kosovës dhe institucionet e saj në një pozitë të pakëndshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button