Home / Qeveritare / Televizioni shqiptar organizoi nje pritje për kontributin e medias, në 20 vjetorin e pluralizmit

Televizioni shqiptar organizoi nje pritje për kontributin e medias, në 20 vjetorin e pluralizmit

Kryeministri Berisha ishte sot pranishëm në pritjen e organizuar nga Televizioni Publik Shqiptar (TVSH), “Media e parë e mendimit ndryshe, media kontribut për demokracinë”, me rastin e 20 vjetorit të pluralizmit në vend.

 

Duke përshëndetur këtë takim, ku ishin bashkë gazetare e gazetarë, redaktorë e kryeredaktorë të kanë kontribuar për zhvillimin e medias në vend, Kryeministri Berisha u shpreh:  

 

“Së pari ju falënderoj për ftesën që më keni bërë dhe t’ju përgëzoj për organizimin e këtij takimi, takim ngrohtësisht dhe thellësisht i merituar, në nderim të atyre gazetarëve e gazetareve, kryeredaktorëve e redaktorëve që 20 vjet më parë bënë çdo gjë kishin në dorë për të nxjerrë nga pushteti i gjithëfuqishëm i diktaturës fjalën e lirë, lajmin, informacionin.

 

E vërteta është se rënia e murit të Berlinit në Shqipëri ishte më e vështirë se në çdo vend tjetër të Europës. Shembja e murit të Berlinit në Shqipëri ishte më i vështirë, sepse, në qoftë se do t’i referohemi murit, ky ishte më i gjatë e i lartë se në çdo vend tjetër të Europës. Është e pamohueshme se në shembjen e murit të Berlinit në Shqipëri, në këtë akt madhor në histori, mendimi i lirë luajti atë rol që ka luajtur edhe në vende të tjera ish komuniste. Specifika ishte se vendet e tjera dispononin samizdat-at. Samizdat në atë kohë quhej shtypi klandestin. Shtypi klandestin qarkullonte prej vitesh, në këto vende, me të gjitha atribut dhe në botimet, të quajtur samizdat, që në rusisht është vetëbotim, inteligjenca shprehte mendimet e veta. Këtu, në Shqipëri, funksionet e samizdatit i morën me guxim e kurajë të madhe gazetarët zyrtarë, botuesit zyrtarë. Është shumë e drejtë dhe i ndershëm konstatimi se në Shqipëri disidenca ishte e ndalur me të gjitha format, por nuk arriti që të bllokonte mendimin. Unë do t’ju jap një shembull. Në vitin ’88, m’u kërkua një intervistë dhe atij që më intervistoi i thashë se e jap me një mirëkuptim, ta transmetosh intervistën, nuk është se kishte gjëra kaq të spikatura, por kishte disa gjëra në të. Sigurisht, këtij nuk ia lejuan transmetimin dhe ky nuk e dha, por është e pashlyera në memorien time, kur unë zbrita nga spitali dhe erdha në televizionin shtetëror për të takuar atë që mori intervistën dhe për t’i thënë se përse nuk e kishte dhënë atë, një grup grash e vajzash, punonjëse aty më rrethuan e më thanë se të kemi bërë për dy lekë. Unë i thashë atij se nuk mund të censuronte intervistën, por, natyrisht, ai e bëri se kishte njerëz edhe mbi drejtorin. Dua të them se kjo klimë e krijuar në vitin ‘90 dhe këta gazetarë bënë të pamundurën që të krijonin hapësirë edhe për mendimin ndryshe, për mendimin e lirë. Këtë e bënë në gazeta, e bënë edhe në televizor. Dhe më pas, ai u shndërrua, do të thosha në një mjet informative të fuqishëm të demokracisë. Duhet ta pranojmë këtë. Sistemi që po vinte përballej me një makineri gjigande propagandistike të sistemit që po ikte dhe jo vetëm në Shqipëri, por kudo, në Itali p.sh komunistët nuk ishin në pushtet, por absolutisht dominonin të paktën 60-70 përqind të të gjitha mediave. Kjo ishte pasqyrë e një kulture për të dominuar mendimin.

 

Ju keni meritën e madhe se krijuat gazetarinë e re dhe në çdo rrethanë, si një rrjet publik, keni qëndruar në krye të mbrojtjes së interesit publik, interesit kombëtar. Vjollca [Vokshi] njëzet vjet më parë dhe tani jemi njëzet vite drite larg, pasi sot kemi një diversitet mediatik, por ju keni meritën se e themeluat këtë. Ky diversitet është themeluar mbi meritën tuaj dhe duhet të jeni shumë të lumtur për kontributin që keni dhënë e jepni.

 

Edhe unë ju falënderoj me shumë mirënjohje për një kontribut historik që keni dhënë, për pasionin e madh tuajin ndaj këtij profesioni kaq jetik, ndaj kësaj veprimtarie kaq jetike për një shoqëri të lirë. Gëzohem shumë që takohem me ju, të falënderoj që ke ardhur në këtë ditë e t’ju uroj juve të gjithëve, gazetare e gazetarë, botues të vendit gëzuar Krishtlindjet e Vitin e Ri, urimet më të përzemërta.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.