Intervista

Vrau vjehrrën me vaj të nxehtë në vesh, Skuka: Më sillni 3 fëmijët, dua t’i shoh

Nga: Klodiana Lala

Me lot në sy, zërin që i dridhet e plot pasiguri, Hike Skuka vendos të flasë. Të rrëfejë dramën e saj të madhe, që po përjeton në qelitë e ftohta në paraburgimin “Ali Demi” në Tiranë.

burg235-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, ndodhet prej dy vitesh në burg, për akuzën e vrasjes së vjehrrës së saj me vaj të nxehtë, një krim që akuzohet se e kreu në bashkëpunim me kunatën, Xhemilen. Gruaja që mban veshur rroba të zeza në trup, rrëfen për një jetë të mbushur me vuajtje, halle, pendesë e shumë dhimbje. Më shumë sesa një dënim i padrejtë, sikurse thotë ajo që drejtësia firmosi për të, Hiken e torturon ndarja prej fëmijëve të saj, vrasja e vëllait të pafajshëm dhe frika se një ditë do të ngelet krejt e vetme.

Prej ditës kur ra në pranga, Hike Skuka nuk ka mundur të takojë tre fëmijët e saj të mitur.

“Fëmijët e mi janë në mes të rrugës. Me dy prindër në burg. Nuk di çfarë ndodh me ta. Kam frikë mos i shfrytëzojnë, mos i trajtojnë keq. Kam dërguar shkresa në shumë institucione, si presidentit, Avokatit të Popullit, e kam marrë disa përgjigje, por fëmijët s’i kam parë. Iu bëj lutje si nënë të më ndihmojnë”, – bën thirrje për ndihmë Hike Skuka. “E kam humbur shpresën”, thotë ajo, pas një bisede të gjatë me të. “Pse duhet të flas, çfarë ndihme do më vijë mua nga kjo? M’i sjell njeri fëmijët t’i shoh, t’i takoj?” – pyet Hikja. Megjithatë, malli prej nëne s’e lë të qetë; ulet e të tregon copëza të historisë së saj rrëqethëse, aty në bibliotekën e paraburgimit.

“Nuk kam aq faj sa thotë drejtësia. Nuk duhet të ma bëjnë këtë padrejtësi. Unë po vuaj shumë. Po vuaj edhe për vrasjen e vëllait tim. Ai nuk kishte asnjë faj, ai kujdesej për mua e fëmijët”, – shprehet Hikja, sërish me lutjen për ta ndihmuar…

Hike, për çfarë akuze ndodheni në qeli?

Jam akuzuar për vrasjen e vjehrrës. Gjykata e Peshkopisë më ka dënuar me 14 vite burg. Jam në pritje të vendimit të Apelit.

Kur ndodhi ngjarja?

Në shkurt të 2013-ës.

Cilat ishin motivet që ju shtynë?

Çdo ngjarje e ka një arsye. Jeta ime nuk ka qenë e lehtë. Por, unë nuk jam aq fajtore sa më ka dënuar drejtësia.

Po a mund të na rrëfesh çfarë ndodhi?

Nuk dua të flas shumë gjatë për atë histori.

Përse? Jeni penduar?

Po, shumë. Po vuaj pasoja të rënda. Jeta ime dhe e fëmijëve të mi u shkatërrua. Edhe familja ime po vuan pasoja.

Çfarë pasojash?

Po unë jam shkaku që vëllai im i pafajshëm u vra. E vrau burri im. Vëllai im është njeriu që është kujdesur për mua e fëmijët si askush tjetër. Sot ai nuk jeton, fëmijët e tij janë jetimë.

Prej dy vitesh ndodheni në paraburgim. Kush vjen t’ju vizitojë?

Thuajse asnjeri. Prindërit e mi janë të moshuar. Vëllai m’u vra. Vëllai tjetër s’ka mundësi të vijë.

Po fëmijët, vijnë t’ju takojnë?

Jo. Prej ditës kur jam arrestuar, nuk kam parë asnjërin prej fëmijëve. Kam dy vajza e një djalë. Vajza e madhe është 14 ndërsa më i vogli 9 vjeç.

Pse nuk kanë ardhur t’ju takojnë?

Nuk i lënë të vijnë e të më takojnë. Nuk kam pasur asnjë kontakt me fëmijët.

Me kë jetojnë fëmijët?

Me xhaxhain e tyre dhe njerkën.

Po burri juaj ku ndodhet?

Siç ju thashë, ai vrau vëllain tim dhe ndodhet në burg. Pas arrestimit tim, ai është martuar dhe më kanë thënë që me fëmijët qëndron dhe njerka.

Ju, keni bërë divorc?

Jo, nuk jemi divorcuar. Mua s’më ka njoftuar njeri. Por çfarë nuk ndodh! Por pak rëndësi kanë të gjitha, dua të shoh fëmijët.

Ke kërkuar ndihmë nga institucionet për të takuar fëmijët?

Po. Ku s’kam kërkuar ndihmë. U kam shkruar Presidentit të Republikës, Avokatit të Popullit… Më kanë sjellë disa shkresa, por fëmijët s’i kam parë. Më merr malli për ta. Jam nënë, më mungon dashuria e tyre. Kanë kaluar dy vite. Nuk arrij as ta mendoj si mund të kenë ndryshuar. Janë tre fëmijë, pa nënë e pa baba. Kam frikë se mos i shfrytëzojnë, mos i trajtojnë keq. Janë të vegjël. Besoj se as në shkollë nuk shkojnë më.

Hike, ke ndonjë apel për institucionet?

Iu bëj lutje institucioneve: më ndihmoni të shoh fëmijët e mi! Jam nëna e tyre. Më merr malli çdo sekondë. Vetëm një nënë më kupton. E kam shumë të vështirë të flas, por vetëm fëmijët më detyrojnë. Nuk di çfarë ndodh me fëmijët e mi. Më kanë thënë që fëmijët kanë folur me psikologët dhe janë mirë, por këtë s’e besoj, sepse vetëm unë e di se sa e lidhur kam qenë me ta. Jam e bindur që i merr malli për mua dhe nuk besoj shumë te letrat.

Po për fëmijët, ke ndonjë mesazh?

Unë jam pranë tyre çdo moment. Jetoj për ta.

Nëse do kapërceje pragun e burgut, cili do të ishte njeriu i parë që do të takoje?

Fëmijët e mi..

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button