Home / Arte / Film / “Hija e dhembjes” libër dhe film

“Hija e dhembjes” libër dhe film

“Hija e Dhembjes” e botuar libër kohë më parë, bëri autoren që atë rrëfim ta paraqes edhe nëpërmjet shiritit filmit. Në njëfarë mënyre, kjo është një formë proteste nga autorja, duke dashur që në forma të ndryshme ta ndërrojë gjendjen aktuale, e cila është ende prezente, aq më shumë nëpër vendet rurale. 

Ajmone Sumaj Salihu është autorja e librit “Hija e dhembjes”, por dhe regjisorja e filmit me po të njëjtin emër. 

Filmi, sikurse libri, trajton një ngjarje e cila dikur ishte aktuale nëpër vendet rurale të Kosovës, e ndoshta mund të jetë edhe tani. 

Me anë të disa personazheve, autorja u mundua që të vejë në pah disa probleme me të cilat preokupohemi si shoqëri. 

Pas premierës së filmit, e cila u dha në Kino ABC, autorja nuk la pa falënderuar bashkëpunëtorët e filmit, falënderoi aktorët të cilët, sipas saj, kanë qenë shumë të përkushtuar gjatë punës së tyre. 

Regjisorja tha se me këtë film është munduar të paraqes një linjë të aktualitetit, ndoshta në vendet rurale. Filmi trajton jetën e të rinjve dhe përballjen e tyre me realitetin. Përveç ndjenjës izoluese që kanë të rinjtë sot, ngaqë nuk mund të lëvizin të lirë, ata shpesh detyrohen të zgjedhin rrugët ilegale që të kërkojnë një jetë më të mirë. Në film vihet në pah edhe mungesa e mirëkuptimit dhe tolerancës midis prindërve dhe fëmijëve. Mungesa e komunikimit një gjë aq e thjeshtë dhe aq tabu njëkohësisht udhëheq deri në një përfundim tragjik. “Nuk ka qenë e vështirë të merrem me këtë temë ngaqë, këtë temë e kam shtjelluar edhe në romanin tim, i cili ka të njëjtin emër ‘Hija e dhembjes’. 

Është tema e njëjtë ndërsa në film vetëm e kam aktualizuar me elemente të cilat na preokupojnë si shoqëri, është mosliberalizimi i vizave, të drejtat e femrës, nënçmimi nga bashkëshorti e cila pa dashje transmetohet tek fëmija dhe elemente tjera, të cilat të gjitha janë të lidhura si një hallkë e zinxhirëve”, u shpreh Salihu. 

Filmi, sipas autores, është punuar për shtatë ditë, ndërsa tema është ngjarje e vërtet e cila preokupon së pari vetë autoren. “Këtë temë e kam ndjerë dhe më ka preokupuar, kam dashur ta qes në pah, nuk jam preokupuar shumë se çfarë mendojnë tjerët, qëllimi im ka qenë që t’i paraqes këto probleme qoftë me anë të filmit qoftë edhe me anë të librit”, u shpreh ajo. 

Ndërsa aktorja Albulena Gashi, e cila në film ka rolin kryesor, shpreson që filmi do të ndikojë që këto gjëra mos të jenë prezente në raportet familjare. “Shpresoj që ata të cilët e kanë parë filmin do të ndikohen që të ndryshojnë komunikimin familjar, qoftë burrë-grua apo edhe nënë- fëmijë”, u shpreh Gashi. 

Ajo tregon vështirësitë të cilat i kaloi gjatë xhirimeve të filmit. “E kam pas pak të vështirë gjatë xhirimeve, ngaqë nuk kam pasur shumë informacion për jetën këtu, në fshat, jam rritur jashtë Kosovës dhe kjo ka ndikuar në vështirësitë e mia. Për t’u ambientuar me temën kam qëndruar një kohë në fshat dhe kam mësuar shumë për gjërat që duhej t’i funksionalizoja në film”, u shpreh ajo. Aktorët e filmit janë Luan Daka, Bislim Muqaj, Aurita Agushi, Albulena Gashi, Hazir Haziri etj.

Leave a Reply

%d bloggers like this: