Home / Arte / Film / Hapa ne rere- Fitues i Tirana Film Festival

Hapa ne rere- Fitues i Tirana Film Festival

“Tirana International Film Festival” përfundoi edicionin e tetë me ndarjen e 11 çmimeve, sipas kategorive përkatëse. 

Çmimin “Filmi më i mirë i TIFF” e mori filmi bullgar fiksion me metrazh të gjatë “Footsteps in the sand” i skenaristit Ivailo Hristov, që rrëfen një histori të trishtueshme të një djali dhe një vajze të cilët në moshën 6 vjeçare i premtuan njëri-tjetrit se do të martoheshin. 

Për filmat me metrazh të gjatë u ndanë dhe çmime të tjera si: “Aktori më i mirë” që e mori Enver Petrovci për interpretimin në filmin “Gomarët e kufirit”, çmim që Petrovci e tërhoqi personalisht, ndërsa“Aktorja më e mirë” e mori Sandrine Bonnaire për interpretimin në filmin gjerman “Queen to play”. 

Me çmimin “Regjisori më i mirë” u nderua iraniani Mohammad Reza Vatandoost për filmin “When the lemon turned yellow”, ndërsa “Çmimi i publikut” i shkoi filmit italian “Late summer”, një fiksion nga De Angelis dhe Di Trapani. 

Edhe në këtë edicionë u nda “Çmimi i medias”, i përzgjedhur nga juria me Besnik Ajazin, Flora Nikolla dhe Rajmonda Shima, i cili i shkoi filmit Korean “Sky and sea” nga Oh Dal-kyun. 

Në kompeticionin e filmave shqiptarë, të shfaqur gjatë ditës së djeshme, çmimin “Filmi i shkurtër më i mirë shqiptar” e mori filmi nga Kosova “Tri dritare” nga Fatjon Bajraktari. 
Bajraktari u shpreh se ndihet i kënaqur për këtë çmim, që është i tretë për filmin e tij. “Kam ndjekur disa prej filmave dhe mendoj se përsa i përket zhanrit dhe temës së tyre janë përafërsisht në nivel të njëjtë, qasja serioze për temën e dalloi filmin tonë”. 

Për filmat me metrazh të shkurtër u ndanë disa çmime si: çmimi “Filmi më i mirë eksperimental” që i shkoi filmit “Family Portrait” nga Finlanda. Për këtë kategori juria ndau dhe një çmim special që e mori filmi shqiptar “Reflected life” i Gentian Kurtit. 
Me çmimin “Filmi më i mirë i animuar” u nderua filmi francez “Venus de Rabo” i Francois Bertin. Për këtë kategori filmash juria u shpreh se kishte pak prurje dhe se edicionin e ardhshëm do të ketë më shumë. 

“Filmi më i mirë dokumentar” u përzgjodh produksioni belg “Out of love” i Brigitta Stromae, ndërsa për kategorinë fiksion u dhanë dy çmime, “Filmi më i mirë fiction” që iu akordua filmit “Death by suffocation”, dhe çmimi special nga juria që e mori filmi fiction nga Danimarka, “Beast”. 

Në këtë edicion të 8-të u ndanë dhe çmimet homazh për artistët e ndarë nga jeta pak muaj më parë, Bekim Fehmiu, Llazi Sërbo. Dy nga filmat ku ata kanë interpretuar u shfaqën gjatë festivalit. 

Në fjalën përshëndetëse gjatë ndarjes së çmimeve, një nga organizatorët e TIFF, Genc Përmeti, tha se shpresa që kinemaja e vërtetë të mbijetojë nuk ka vdekur, është më optimiste madje. 

TIFF filloi rrugëtimin në edicionin e tetë gjashtë ditë më parë, në Qendrën e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes në Tiranë. Gjatë këtyre ditëve u shfaqën 9 filma eksperimentalë, 14 filma dokumentarë, 8 filma animacion dhe 40 filma fiction. Ndërsa Shqipëria konkurroi këtë vit me 27 filma, 11 nga Shqipëria dhe 16 nga Kosova. 

Të ftuar në këtë edicion ishin producenti francez Jean-Philippe Laroche, regjisori spanjoll Juanma Bajo Ulloa, regjisori nga Serbia Boris Mitiæ, regjisori korean Oh Dal-kyun, etj., të cilët shoqëruan filmat e tyre konkurrent. 

Edhe këtë vit “Tirana International Film Festival” kishte slloganin “Mendojmë ndryshe, shohim njësoj”, i shpallur që në edicionin e parë në vitin 2003.

Leave a Reply

Your email address will not be published.