Kryeartikull

Kemi një problem me sigurinë kombëtare

ILIR YZEIRI

Ilir YzeiriSulmet e fundit me tritol patën në shënjestër jo familjen e Sajmir Tahirit, por shtetin. Ato ishin të menduara mirë, të organizuara jo mirë, sepse kanë lënë gjurmë në vendin e krimit dhe, në analizë të fundit, sulmet me tritol ishin të mbrojtura shumë mirë. Sali Berisha dhe një pjesë e qenësishme e PD-së, në mënyrë të tërthortë, e morën përgjegjësinë e sulmeve me tritol dhe nga deklaratat që bënë, shpallën se ata nuk e njohin Sajmir Tahirin si ministër të Brendshëm, nuk e njohin Edi Ramën si Kryeministër, nuk e njohin Shqipërinë si vend demokratik që pushtetin e ndërron me zgjedhje demokratike, por njohin vetëm humbjen e pushtetit; nuk njohin Shqipërinë si entitet nacional, por njohin shtetin si formë të organizimit mafioz që të jep mundësi të sundosh mbi të tjerët, që të krijon lehtësi të vjedhësh, të vrasësh dhe të çnderosh shqiptarët.

Pak histori

Shqipëria dhe shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë kanë një problem të madh të sigurimit kombëtar. Një pjesë e elitave të tyre politike nuk e duan këtë vend dhe janë gati që të gjejnë rastin më të parë që ta zhbëjnë atë. Më vjen ndërmend periudha e viteve ’12, ’13, ’14 të shekullit të shkuar. Në ato vite të errëta, kur Shqipëria doli më vete, rreziku më i madh i erdhi nga brenda, nga vetë shqiptarët. Simboli i kësaj tragjedie në memorien kolektive është Esad Toptani që rrënjosi në mentalitetin politik shqiptar idenë e atdheut si plaçkë, të atdheut si trofe lufte. Tradicionalisht, prej atyre viteve e deri sot, Shqipëria ka qenë në luftë të vazhdueshme mes elitave politike që kanë krijuar si emblemë të kuptimit të jetës, vdekjen e tjetrit. Janë shumë të pakta periudhat normale që ka kaluar ky vend. Por janë me shumicë dhe pothuajse të pambarimta ndeshjet për jetë a vdekje. Dëmi më i madh i gjithë kësaj katrahure është rrafshimi i elitave dhe njerëzve me vizion, i heronjve tanë, i atyre njerëzve me të cilët çdo komb identifikohet. Sot Kosova po zbrazet përditë nga një migrim që askush nuk e shpjegon dot si erdhi dhe askush nuk po punon që ta ndalë. Shqipëria ka përballë hijen e Esad Toptanit, Sali Berishën, që me pjesën më regresive të PD-së, është hedhur edhe në aksione guerile kundër shtetit dhe askush nuk e ndal.

Mendjelehtë të pandreqshëm

Nëse hedhim sytë përreth, situata gjeostrategjike nuk është aspak në favorin tonë. Sot po riaktivizohen me shpejtësi konfliktet e vjetra dhe ngjarjet që po ndodhin në Rusi janë dëshmi e qartë se ne shqiptarët jemi gjithmonë në vendin e gabuar dhe kohën asnjëherë nuk e kemi pasur në favorin tonë. Përballë Italisë, në Tripoli po mbërrijnë ushtarët e ISIS-it dhe Italia ka deklaruar se mund të përfshihet direkt edhe në një luftë me ta. Kriza e rëndë greke nuk është në favorin tonë gjithashtu. Por riaktivizimi i shovinizmit rus dhe profili nacionalist i Putinit, nuk janë në favorin tonë sidomos. Cilido që i ndjek zhvillimet në këto vende vëren se aty ka një vëmendje të shtuar për sigurinë kombëtare. Ndërsa në Shqipëri, institucionet që garantojnë këtë siguri janë krejtësisht jashtë loje. Tashmë nuk është ndonjë sekret që të thuhet se SHIK-u është i mbushur me militantë të egër të PD-së dhe ata e shohin Sajmir Tahirin dhe Edi Rmën si armiq dhe kundërshtarë. Për atë institucion nuk është prioritet siguria kombëtare, dinjiteti i shtetit apo tërësia tokësore e tij. Për atë institucion ka vetëm një dramë dhe vetëm një tragjedi, kjo është humbja e pushtetit të Sali Berishës. Një institucion tjetër që është në luftë me qeverinë është prokuroria e shtetit dhe Presidenti. Me këtë pushtet që ka Sali Berisha, jo vetëm tritolin dhe aksionet guerile që mund t’i frymëzojë, por ai mund të bëjë edhe shumë më tepër se kaq. Ligjërimi i tij skizofrenik që mbështetet në atë që Umberto Eko e quan përroi psikik i baltës, është shfaqja tipike e një mentaliteti që e sheh politikën si luftë dhe Shqipërinë si plaçkë. Sulmet me tritol ndaj familjes së Sajmir Tahirit janë vetëm fillimi i një përplasjeje që sapo ka nisur mes antishtetit dhe shtetit.

Po fundi ku është?

Askush nuk mund ta parashikojë fundin e kësaj përplasjeje. Ajo që shihet, është vetëm fillimi. Edi Rama po shfaqet gjithnjë e më shumë duarlidhur, i pafuqishëm dhe jo si një burrë shteti i madh. Ai nuk po e prek thelbin e krimit në këtë vend dhe nuk po shfaqet me vizionin e politikanit që rrezikon gjithçka për të shpëtuar Shqipërinë. Ai është bërë peng i kompromiseve pafund. Kompromis me Ilir Metën dhe tonelata baltë korrupsioni hidhen mbi të. Kompromis për të mos prekur Presidentin dhe vendimet e tij bëhen qesharake, kompromis për të mos prekur Prokurorin e Përgjithshëm dhe prokuroria përfshihet në beteja politike duke prodhuar ngjarje si ajo e Vlorës me Shpëtim Gjikën, ndërkohë që po kjo prokurori “e virgjër” e ka mbyllur përgjithmonë 21 janarin. Kompromis për të mos prekur SHIK-un dhe kështu legjitimon frikën ndaj kundërshtarit dhe legalizon një institucion që destabilizon vendin. Kompromis për të mos reformuar Televizionin Publik Shqiptar se zemërohet aleati dhe merr mbi vete llumin e një sharlatanizmi dhe korrupsioni mediatik të padëgjuar më parë. Sulmet me tritol që iu bënë familjes së Sajmir Tahirit janë vetëm fillimi i delegjitimimit të Edi Ramës. Legjendat urbane thonë se më i lumturi nga të gjithë për gjithçka ndodh është Ilir Meta. Unë personalisht nuk e besoj, por e kam të pamundur të mendoj se Ilir Meta dhe Sali Berisha janë ndarë përfundimisht. Edi Rama u afirmua si politikani që do të sfidonte të keqen. Deri pak vite më parë e keqja politike nuk ishte dyshja Rama-Meta, por dyshja Berisha–Meta. A funksionon përsëri kjo dyshe? Po të shohësh traditën e politikës shqiptare, bindesh se prapaskenat, kulisat, kompromiset për ta parë Shqipërinë si plaçkë dhe si trofe lufte kanë qenë më të mëdha dhe më të qëndrueshme se kompromiset për ta shpëtuar këtë vend. Madje të tilla thuajse nuk ka pasur fare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button