Muzike

“Ëndrrat e një vjeshte” e Aleksandër Lalos

Nga Eriona Rushiti

Aleksander Lalo

Brenda një trazimi të çuditshëm ndjenjash, ku përmbytjet, tritoli e shumë e shumë ngjarje që asnjë ditë tonën nuk e lënë të qetë në rrjedhën normale, dy salla të Tiranës, ajo e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe ajo e Universitetit të Arteve kundërpërgjigjen me tinguj. E ku ka më bukur? Shpirtrat njerëzorë janë shëruar gjithmonë, nga çdo dhembje, nëpërmjet muzikës.

E tillë apo mes trazirash shpirtërore erdhi mbrëmë premiera e Rondosë për violonçel, piano dhe orkestër në sallën e Universitetit të Arteve: “Ëndrrat e një vjeshte” e krijuar nga kompozitori Aleksandër Lalo, interpretuar nga solistët Erga Halilaj (piano) dhe Andi Alimemaj (cello), dirigjuar nga Gridi Kraja. Them mes trazirash shpirtërore, sepse tek pyet kompozitorin për zanafillën e inspirimit artistik, të përgjigjet se lidhet me një ngjarje personale. Lidhet me lajmin e trishtë që vjen papritmas për njeriun e gjakut (vëllain) rreth një sëmundjeje të pashërueshme. Ballafaqimi me këtë lajm nuk e rrënoi shpirtin e tij të mbushur plot melodicitet, por e çoi drejt tastierës së pianos për të prodhuar emocione tingujsh.

Tek po hyja në sallë, takoj Sandrin, i cili më ofroi të ulesha në karrigen pranë gruas së tij (Margës). “Unë nuk do të ulem”, më tha, “do ta ndjek premierën në këmbë”. Këto janë emocionet e artistit, mendova. Unë e di se çdo të thotë të dëgjosh ata mijëra tinguj të krijuar nga vetja jote, të shpërndarë në të gjithë orkestrën, të shkarravitura sa e sa herë, të rikrijuara për orë e orë të tëra … E si mund të qëndrosh i ulur e të komandosh zemrën që rreh jashtë normales, të të humbasë fryma, të të djersiten duart, të kërkosh instinktivisht të hysh brenda çdo instrumenti që tingëllon … kur dëgjon premierën tende?

Aleksandër Lalo, që ka shkruar mbi më shumë se 800 këngë, 44 muzikë filmi, 13 filma të animuar, e shumë e shumë vepra për solistë, muzikë dhome e orkestër simfonike, i ndien po njësoj emocionet e premierës, edhe pas gjithë kësaj krijimtarie, edhe pse mosha e tij shënon plot 65 vite.

… Sapo violat nisin të tingëllojnë të parat, ndiej menjëherë stilin e gjuhën muzikore të pangatërrueshme me askënd. Gjuhën unike të Lalos mund ta krahasosh me qiellin e pastër, me liqenin e butë, me ëndrra të paqta. Dhe menjëherë sapo Erga prek tastet, dëgjohet tema e filmit, aq e njohur për të gjithë “Të shoh në sy”. Nuk e ka zgjedhur rastësisht këtë temë besoj … Zëri i ngrohtë, i brendshëm i përgjigjet temës nga tingujt e çelos së Andit. Kemi hyrë menjëherë në “tokën” kompozicionale të Lalos: shumë melodi, akorde e orkestracion i qartë, tinguj të testiturës së lartë në piano (që i afrohen qiellit) dhe bageta e Gridit që drejton harqet e frymat drejt një peizazhi plot dritë.

Kam dëgjuar nga njerëz që e njohin Lalon nga afër, të flasin për shpirtin rebel të tij. Por, jo! Unë vazhdoj të dëgjoj tema e episode, ku asgjë nuk “kërcet”. Gjithçka rrjedh natyrshëm. Njëra temë këndon, e tjetra vallëzon me ritmet e preferuara të Lalos. Muzika nuk e rebelon atë. Përkundrazi, ndihet që çdo notë ai e hedh plot dashuri. Solistët (piano e cello) nuk i kundërpërgjigjen ashpër njëri–tjetrit. Ata dialogojnë me tone të buta, shpesh duke ia përcjellë fjalën tjetrit, pa bërtitur. Përsërisin mendimin e bashkëdialoguesit, secili me timbrikën e tij (në gjuhën muzikore kjo gjuhë quhet kanonike). E salla nuk pipëtin. Ndoshta çdokush nga publiku, tek dëgjon, është kthyer ashtu si unë shumë vite më parë. Muzika e Lalos të imponon nostalgji. Mbase ngaqë tema për këtë rondo është zgjedhur nga filmi ose mbase ngaqë Lalo ka konsekuencë në muzikën që krijon. Edhe pse Shqipëria ka pësuar ndryshime të vrullshme në çdo fushë e cep të saj, Lalo mbetet i njëjtë. E ruan të paprekur stilin e tij dhe asgjë nga jashtë nuk ia deformon atë. Thjesht, Aleksandër Lalo zgjedh një gjini tjetër këtë herë (atë të muzikës simfonike; Lalo që nga viti 2004, i është kthyer muzikës serioze) dhe sigurisht që përmasat e mendimit muzikor janë shumë më të mëdha, por stili i tij nuk imiton askënd. Regjistrat e pianos nuk ka sesi të mos të të kujtojnë edhe këngët. Madje disa akorde më kthyen tek e dashura këngë “Bashkë me fëmijët” kënduar nga Luan Zhegu, të cilin më pas e sheh të parin në radhë të duartrokasë e të urojë Lalon pas premierës. Sigurisht, kur vepra i dedikohet vëllait, nuk ka sesi fëmijëria të mos jetë prezente. Por edhe ndonjë motiv popullor i fshehur tek instrumenti të bën të mendosh që jo pak kanë ndikuar qëndrimet e Lalos nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë. Në mënyrë organike, ato kanë zënë vend në qenien e tij dhe po aq natyrshëm shfaqen në krijim. Tingëllimet e tunxhit të kujtojnë lirinë e brendshme e pa skaje të Lalos, edhe pse Shqipëria jetonte në izolim në çdo skaj të sajin. Nuk i pengoi asgjë idetë e tij novatore, që nga krijimi i kuinteve të tunxhit, në oktetet e drunjta, e deri në dirigjimet e formacioneve të para orkestrale etj. I dëlirë e i sinqertë në muzikë, me dëshirën për të eksperimentuar, Lalo nuk i shpëtoi “degdisjes” larg Tiranës. Për rreth tetë vite jetoi në Kukës, por krijuesi e gjen frymëzimin kudo, edhe nga detajet më të imëta. Edhe këtu Aleksandër Lalo krijoi sa e sa orë muzikë, që sot qëndrojnë në kujtesën e çdokujt dhe në fonotekën e artë të muzikës shqiptare. Nuk mund të harrohet kontributi i tij në estradën e Tiranës, në cirkun e dikurshëm të Tiranës (ku që 16 vjeç e shndërroi cirkun në një laborator krijues). Edhe pse e vogël, mbaj mend një nga koncertet për sax-tenor e orkestër (1989) të interpretuar nga Zija Bushi Bejleri. Për atë kohë ky eveniment ishte novitet. Nuk ka instrumentist që të mos ketë pasur fatin të luajë një vepër të Lalos. Nuk ka këngëtar (edhe sot) që nuk do të donte të këndonte meloditë e tij të rrënjosura thellë në kujtesë.

Dëgjon, e dhjetëra kujtime të ngacmohen nga tingujt. Qindra ide të vijnë në mendje teksa dëgjon akordet në ff (fortissimo) të orkestrës. Mbërritëm drejt fundit të Rondosë e të duket sikur ke përshkuar një copë udhë jetësore në trajtë tingujsh bashkë me Lalon. Sa shumë duhet folur e shkruar për të! E sa pak kemi bërë Lalon …!

I palodhur kurrë, i paepur në çdo kohë për të shkruar muzikë. Me një numër sasiorë e cilësorë veprash. Një emër që ka zënë vend te çdo shqiptar, Aleksandër Lalo, pas premierës as nuk ngjitet në skenë për të rrëmbyer e shijuar duartrokitjet. Modestisht të jep dorën pasi e ke uruar, e të thotë: “Muzika nuk ka fund …”

Po e shkruaj sot, më 14 shkurt, këtë shkrim dhe po e plotësoj mendimin e Lalos: “Muzika është dashuri dhe si e tillë ajo kurrë nuk do e prekë fundin”.

*Autorja është kompozitore dhe pedagoge në Universitetin e Arteve

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button