Home / Arte / Teater / Tollovia skenike

Tollovia skenike

Edhe pse skena ishte përplot e mbushur me një skenografi interesante, manipulim të mirë të hapësirës dhe improvizim të bukur të një anije në të cilën përformonte një grup prej 11 aktorësh që në fillim u kuptua që ky ”bollëk” nuk do të ofronte shumë. 

Kostumografia – si një ndër meritat më të vlerësuara të kësaj shfaqje – të ndihmonte të kuptoje që tregimi fliste për anglezët, por ishte shumë e vështirë që publiku të futej në thelbin e asaj që ndodhte. Ajo çka e përvetësoi vëmendjen e publikut ishte fillimi mjaft dinamik që prezantoi skenën e keqtrajtimit të grave, britmat e tyre pas zhurmave te rrahjes dhe lutjet e sinqerta të disa femrave të keqtrajtuara. Por fatkeqësisht kjo energji nismëtare u zbeh shpejtë dhe shfaqja na fali pak emocion dhe dramaticitet në vazhdim. 

“Kamxhiku” që pa meritë rrihte trupa të pafajshëm dhe të nënshtruar, falte mornica të herë pas hershme dhe rizgjonte vëmendjen të cilën në të shumtën e kohës dialogu monoton arrinte ta humbiste. 

E gjithë shfaqja fliste për sistemin e klasave në kampin e dënimit në periudhën gjyqësore gjeorgjiane – ajo përshkruante vuajtjet e disa të dënuarve pa faj, përdhunimin e grave, maltretimin e të varfërve, thjesht shkeljen e të drejtave njerëzore, mirëpo sado prekëse të ishin këto ndjenja thelbësore nuk arritën të mbanin zgjuar kureshtjen e publikut për tërë ato 120 minuta sa zgjati e tërë shfaqja. “Të keqtrajtuarit” dhe “dhunuesit” nga Tirana ishin aktorë shumë të mirë por rrjedhshmëria e tërë dramës më shumë karakterizohej me një dialog konstant se sa lojë dhe improvizime skenike. Ajo çka e bënte publikun të bashkëndjente me trupën ishin dëshirat dhe realiteti njerëzor që ata e luanin, kërkesat dhe lutjet ishin thjeshtë zëri i gjithë njerëzve por këtë trupa e aktorëve nuk e kishte shtjelluar në formën më të mirë. 

Aktorët u detyruan të luanin aktorët për të shpehuar dëshirat e shtypura. Ata duhet të shtirreshin si dikush tjetër për të folur me zërin e vërtetë dhe e gjithë shfaqja mundohej të mbronte fuqinë që ka teatri si mundësi për të shprehur ndjenjat njerëzore. Loja e zhvilluar nën këshillat e regjisorit Altin Basha tregonte mënyrën se si vepronin njerëzit e nënshtruar, aktorët që luanin për klasën e ngritur, të varfrit që shfrytëzoheshin për ti kënaqur të pasurit. 

Shfaqja fliste për një kohë të shkuar, për një formë klasike të artit dhe në fakt kjo ishte dhe e meta e gjithë këtij interpretimi teatror, ishte shumë e konsumuar dhe diçka që tashmë me plot gojë mund të quhet ”klasike”. Tiranasit sollën shfaqjen “Për hir të vendit”, por nuk e di a mund të quhet kështu gjithë ajo që pamë të martën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.