Politika

PDIU i jep Haradinajt urdhrin e mirënjohjes të shoqatës “Çamëria”

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi priti të hënën në një takim kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

idrizi-haradinajIdrizi i dhuroi kreut të AAK-së, Haradinaj urdhrin e mirënjohjes të shoqatës “Çamëria”.

Duke u ndalur në ditën e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt, Idrizi tha se ishte pikërisht kjo datë që në vitin 2011, PDI dhe PDU zgjodhën të bashkoheshin e të krijonin PDIU, në shenjë të bashkimit që është e nevojshme për kombin shqiptar.

Nga ana e tij, Haradinaj vlerësoi rolin e veçantë që luan PDIU në skenën politike mbarëkombëtare, si përfaqësuese e shqiptarëve të Çamërisë dhe tha se shqiptarët e Kosovës e kuptojnë dhe e bashkëndjejnë vuajtjen e kësaj pjese të kombit shqiptar.

Bashkëbiseduesit u ndalën gjatë në çështjet e aktualitetit dhe në veçanti në mërgimin masiv të shqiptarëve të Kosovës që shqetëson mbarë kombin ditët e fundit. Kreu i PDIU-së, Idrizi shprehu se pas këtij mërgimi shihet qartë një rrjet i mirëorganizuar trafikantësh dhe dora e fshehur e Serbisë.

“Ne mendojmë që kjo gjendje do një reagim të përbashkët jo vetëm nga Qeveria e Kosovës, por nga politika mbarëkombëtare, sepse sfidat e integrimit sfidat e zhvillimit ekonomik janë sfida kombëtare e si e tillë janë sfida të përbashkëta”, tha Idrizi.

Ai vlerësoi se kjo mund të realizohet vetëm nëpërmjet bashkimit kombëtar ekonomik, që do të rikthente shpresën dhe zhvillimin në shoqërinë shqiptare, nëpërmjet krijimit të një tregu të përbashkët 7 milionë banorësh.

Palët biseduan rreth propozimit të PDIU-së, mbi një tryezë të përbashkët të përhershme të partive politike parlamentare shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, për të diskutuar sfidat e përbashkëta kombëtare, duke nisur nga ekonomia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button