Libri

Libër për vetëvendosjen

I botuar së pari në gjuhën angleze me titull “Self-determination, territorial integrity and international stability: the case of Yugoslavia”, libri i Enver Hasanit, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, tani vjen edhe në shqip nën titullin “Vetëvendosja, integriteti territorial dhe stabiliteti ndërkombëtar: rasti i Jugosllavisë”, i botuar nga shtëpia botuese “Buzuku”. 

Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës si dhe moderator i këtij promovimi, fillimisht, duke i përshëndetur të pranishmit për praninë e tyre, tha se duhet veçuar pjesëmarrjen e ekipit nga kushtetuesja e Shqipërisë, në krye me zotëri Bashkim Dedaj. Ndërkaq për autorin e librit, Enver Hasanin, Demaku tha se e njohin të gjithë. 
“Dekan i fakultetit, shumë shkurt, rektor i universitetit,ndërsa tani kryetar i gjykatës kushtetuese. 

Ne të komunitetit të librit kënaqemi prej gëzimit kur na bashkohen sidomos emrat e drejtësisë, pasi që alfa dhe omega e zhvillimit të çdo shoqërie, mirëqenies së saj dhe ndërtimit të shtetit me prestigj është zbatueshmëria e ligjit,” tha Demaku. 
Për librin e Hasanit i pari foli Prof. Dr. Murat Bejta, i cili theksoi se këtu bëhet një analizë e shkurtër e çështjes së vetëvendosjes, e integritetit territorial dhe stabilitetit ndërkombëtar, sidomos duke u përqendruar në rastin e Jugosllavisë. Sipas tij, libri paraqet shumë raste të vetëvendosjes si dhe analizohet edhe kuadri historik i kësaj dukurie. 

“Autori Dr. Enver Hasani pohon se historia e vetëvendosjes është qartësuar dhe sendërtuar gjatë dy shekujve të fundit, duke u gërshetuar me integritetin territorial dhe me stabilitetin ndërkombëtar. Këtu është bërë një studim i thellë dhe i gjithëmbarshëm në praktikën ligjore që ka përkufizuar përfundimisht vetëvendosjen në kuptimin bashkëkohor, historik, politik dhe juridik,” tha Bejta. 

Ai shtoi se këtu përfshihet rasti i vetëvendosjes në ish-Jugosllavi, që nuk veçohet nga rastet e tjera të ngjashme pas fundit të luftës së ftohtë, pastaj shfaqja e kësaj dukurie në ish federatat komuniste në Bashkimin Sovjetik dhe në Çekosllovaki. 

“Rasti i Jugosllavisë nuk ka krijuar precedent, sipas autorit pra, në lidhje me vetëvendosjen që nuk ka ndryshuar si parim dhe mund të zbatohet në të ardhmen si parim politik. Ky rast ka edhe disa tipare të veçanta sepse lidhet me natyrën e nacionalizmit të kombeve, siç ishte dhe është nacionalizmi serb që percepton vetëvendosjen nga pikëpamja e pastër etnike, përjashton kombet e tjera për të gëzuar këtë të drejtë,” shtoi Bejta. 

Ndërsa referuesi i dytë, Blerim Reka, profesor i së drejtës ndërkombëtare, e vlerësoi librin si të qëndrueshëm në aspektin shkencor. 

“Shkencërisht i qëndrueshëm, i mbështetur kryesisht në kuota dhe referenca të autorëve të huaj, komparativisht i sprovuar në nivelin ndërkombëtar, libri dallon nga analizat tjera për problemin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë,” tha Reka, duke shtuar se “Hasani nuk bie në provokimet historike, as të publicistikës e më së paku të politikës.” 

Sipas Rekës, autori i librit mban një qëndrim neutral dhe objektiv shkencor në përfundimet e tij. 

Ai shtoi gjithashtu se me këtë libër jo vetëm Profesor Hasani, por përmes tij edhe shkenca juridike kosovare ka dhënë një kontribut të çmuar në ndriçimin e problemit pak të hulumtuar, të vetëvendosjes, me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë. 

Ndërkaq, Abdullah Zeneli, pronar i shtëpisë botuese ‘Buzuku’, tha se ky libër përbën kurorë të punës njëzetvjeçare të shtëpisë që ai drejton. Ai po ashtu premtoi se shumë shpejt do të botojë edhe kompletin e veprave të Shekspirit. 

Në fund, autori i librit, Enver Hasani, duke mos e zgjatur shumë, tha se i falënderon të pranishmit për pjesëmarrje, ndërsa një falënderim të posaçëm ai e kishte rezervuar për bashkëshorten e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button