Home / Arte / Ekspozita / Identiteti lakuriq, sipas Xhovalin Delisë

Identiteti lakuriq, sipas Xhovalin Delisë

Ndërsa procesi i globalizimit tenton të gllabërojë ç’të mundë, të “sheshojë” kultura, tema që diskutohet më së shumti e me të madh është ajo e identitetit. Ç’është identiteti, si manifestohet ai tek një njeriu…? Artisti Xhovalin Delia, i cili zhvillon në një nga kryeqendrat kulturore italiane, në Firence, video-performancën e tij, “Identitet”, (Identita), nën kujdesin e kuratores Patrizia Landi. 

Qysh në posterin e performancës së tij, Delija provokon. Teksa shfaqet vetë në portret, duke kafshuar një mollë, pjesa tjetër e trupit i takon një femre, që mbulon me duar lakuriqësinë e saj. Një imazh që vjen qysh nga mëkati i parë, qysh kur Eva kafshoi mollën dhe më pas u tremb nga lakuriqësia e vet. Delija nuk ka “frikë” nga prejardhja e tij, përkundrazi, siç thotë edhe vetë, e bën të sigurt dhe ëndërrimtar. Madje, e ka edhe shumë të qartë se ku ndodhet dhe e quan veten me fat. Por në video-performancën e tij, ai ngre pyetjen se çfarë fshihet pas veshjes që njerëzit i bëjnë vetes. 

Këtë kërkim të vetin mbi çështjen e identitetit, ai e ndan me publikun italian në studion e tij të artit, që ndodhet vetëm pak hapa larg Davidit të Michelanxhelos. “Fjala identitet është ndër fjalët shumë të lakuara, e pak të saktësuara. Një ndër përkufizimet e shumta, që janë bërë për të përcaktuar identitetin e një personi, është bashkësia e shenjave fizike si: forma e hundës, e veshëve, ngjyra e syve dhe e flokëve, shtati, defektet fizike e mbi të gjitha “defektet nacionale””, thotë Delia, duke shpjeguar pse ia nisi të krijojë këtë video-performancë. Sipas tij, termi identitet ka filluar të përdoret më së shumti në kohërat e lëvizjeve të mëdha, kur flitet për të ardhurit, për “të tjerët”, të drejtat e të cilëve janë të limituara. 

“Paralelisht për identifikim, nocioni “identitet”, në shoqëritë e sotme postmoderne perëndimore, shënon një vijë demarkacioni midis të “huajve”, përkufizuar nga qytetarët vendas, me një term përçmues “extracomunitar””, vazhdon Delia, teksa shton se për të konfirmuar identitetin e “X” personi, a nuk do të ishte e mjaftueshme karta e identitetit ku gjendet emri, të cilit i korrespondon një fotografi e individit me identitet “X”? E nëse fytyra e individit “X” rezulton e ribërë? Në bazë të përkufizimit të identitetit i bie të jetë problem dhe i madh bile, por në fakt nuk është i tillë, përkundrazi… 

“Pas dëbimit nga kopshti Eden, thuhet se “çifti i ndëshkuar”, papritur filloi të ndjente lakuriqësinë e nuk vonuan shumë të mbulohen me rrecka e pecka nga turpi… turp nga se, e prej kujt? Kur jemi vetëm, pasi jemi siguruar që nuk na përgjon askush nga vrima e çelësit, zhvishemi e me shumë qejf, bile, edhe para pasqyrës. Në publik nuk mund të bënim të njëjtën gjë, përkundrazi, kur gjendemi “zbuluar” , d.m.th. të zhveshur para syve të tjerëve, për të shpëtuar fytyrën, çuditërisht si gratë ashtu edhe burrat, mbulojmë organet gjenitale. Nëse të dy palët njihemi nga fytyra, përse vallë mbulojmë hallatet? Kush është identiteti ynë i vërtetë, ajo që fshihet pas “gjethes së fikut”, apo ajo e ekspozuar mbi lifting?”, pyet Delia.

Leave a Reply

%d bloggers like this: