PolitikaPresidenciale

Nishani- Jahjagës: Pavarësia e Kosovës, realitet i pakthyeshëm

“Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm”, thekson Presidenti Bujar Nishani në mesazhin e urimit të dërguar sot Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të 7 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
presidenti-nishani-presidentja-jahjaga1-501x3501Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, në mesazh Presidenti Nishani thekson se “7-vjetori i Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep kënaqësinë e madhe e të veçantë, që në emër të qytetarëve shqiptarë dhe timin personal, t’Ju përcjell urimet më të mira e vëllazërore për mirëqenien dhe begatinë e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj. Marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, përtej marrëdhënieve ndërshtetërore, janë marrëdhënie vëllazërore, që i shërbejnë më së miri bashkëpunimit të gjithanshëm e strategjik në të mirë të qytetarëve të dy vendeve tona, por dhe bashkëpunimit në nivel rajonal e evropian”.
“Kosova sot është një shtet i pavarur dhe unë ndjehem shumë i lumtur që në këto shtatë vjet pavarësi, Kosova ka qenë një shembull suksesi. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe koha po tregon se mbështetja e pavarësisë së Kosovës i ka shërbyer jo vetëm Kosovës dhe qytetarëve të saj, por edhe paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit si dhe të hapësirës evropiane”, nënvizon Nishani.
Në këtë Ditë të Pavarësisë, vijon Nishani, përshëndes të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, si dhe shpreh mbështetjen e palëkundur të të gjitha institucioneve të Republikës së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare.
“Jam i bindur se shumë shpejt, Kosova do të zërë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, Ju lutem pranoni e nderuar Zonja Presidente, konsideratat e mia më të larta”, përfundon mesazhi i Presidentit Nishani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button