Kronika

Kapen tritolvënësit dhe vrasësit me pagesë

Atentatet 

Tri në pranga, akuzë për shpërthimin te rruga “Budi”, vrasje në Shkodër dhe 1 atentat

Nga Mariglen Mullai

Tritoli

Shtetasi me inicialet A.Q, nga Shkodra, dyshohet se më 26 shkurt 2014, ka vendosur tritolin në lokal-hotelin që administrohej nga biznesmeni i ndërtimit, Armando Ceka, në rrugën “Budi”, pranë Institutit të Higjienës. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:20, ku të paktën 400 gramë tritol ishin vendosur në hyrjen e lokalit. Julian Çela, 23 vjeç, me profesion jurist dhe Armando Ceka, 33 vjeç, administratori i lokalit, janë dëmtuar rëndë, duke mbetur edhe të gjymtuar. Ndërsa Artur Sharra, 46 vjeç është lënduar lehtë. Çela kishte amputim në të dyja këmbët, ndërsa Armand Ceka kishte amputim në një këmbë. Ky ishte atentati i dytë që i bëhej biznesmenit të ndërtimit, Armando Ceka. Më datën 4 shtator 2013, në rrugën “Siri Kodra” një sasi tritoli i është vendosur biznesmenit në fuoristradën tip “Volvo”, me targa AA779 CX. Makina fuoristradë e biznesmenit shpërtheu sapo Ceka kishte hipur në makinë për ta ndezur, por fatmirësisht ai nuk mbeti i lënduar.

Vrasja e atentati

Më 25 qershor të vitit 2015, Ibrahim Mani, 50 vjeç, baba i tre fëmijëve ishte duke suvatuar katin e dytë të banesës së tij në ndërtim, kur është qëlluar për vdekje me breshëri automatiku. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:00, në vendin e quajtur “Shtëpia e Mushkonjës”, në lagjen “Livade” në periferi të qytetit verior. Mësohet se Mani i ruhej gjakësit, ndaj ka tentuar që të zbresë poshtë dhe të futet në katin e parë të banesës. Ndërkaq, dy autorët e krimit kanë vepruar me shpejtësi. Ata e kanë qëlluar për vdekje 50-vjeçarin në oborrin e banesës së tij. Dëshmitarët e marrë në pyetje nga policia janë shprehur se kanë parë dy persona të dyshimtë, të cilët pas vrasjes së 50-vjeçarit u larguan me shpejtësi me motoçikletë. Sipas policisë, Ibrahim Mani nga fshati Oblikë i Komunës Ana e Malit ishte shpërngulur me banim në qytetin e Shkodrës që në vitin 1993. Fillimisht u shpall në kërkim Tarzan Prroni, me të cilin familja e 50-vjeçarit ishte në gjak prej 21 vitesh. Hasmëria mes dy familjeve e ka zanafillën në vitin 1993 kur babai i viktimës vrau babanë e Tarzan Prronit pas një sherri për bagëtinë. Për këtë vrasje, policia dyshon se autorët janë A.G, nga Buçimasi i Pogradecit dhe K.P, nga Shkodra. Nga ana tjetër, policia po heton lidhjet mes tyre dhe viktimës. Ndërkaq, këta të 2 janë autorë të dyshuar të atentatit të ndodhur në 4 shtator të vitit 2014, kur u qëllua 37-vjeçari E.C, teksa udhëtonte me makinën e tij, tip “Audi”, në Shkozë. Kjo ngjarje është klasifikuar nga policia si vrasje e mbetur në tentativë dhe dyshohet se këta 2 persona, janë paguar për ta vrarë 37-vjeçarin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button