Intervista

Berisha: Basha gaboi me koncesionin e parkimeve, anulimi i drejtë

Ish-kryeministri Sali Berisha e përshëndeti dje anulimin e koncesionit të parkingjeve, por ai e cilësoi të gabuar vendimin pa dialog me qytetarët të kryebashkiakut Lulzim Basha. I ftuar mbrëmë në emisionin “Watching” në Agon Channel, Berisha denoncoi situatën e rendit në vend, ndërkohë që hodhi akuza të forta mbi qeverinë për lidhjet me bandat kriminale.

berishaBerisha akuzoi Ramën për mashtrime elektorale, duke përmendur njërin prej tyre, atë të legalizimeve falas. Në këtë rast, ish kryeministri Berisha premtoi se PD-ja me ardhjen në pushtet do t’i bëjë me 1 euro legalizimet, ndërkohë që iu rikthye zgjedhjeve të parakohshme si zgjidhje të situatës së rëndë në vend, për shkak të keqqeverisjes së majtë. Por ai siguroi se vetë nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re të demokratëve. Berisha foli edhe për debatin rreth kandidaturës së Visar Zhitit për ambasador në Vatikan, duke mbështetur në këtë rast qëndrimin e presidentit Bujar Nishani.

Z.Berisha, po e nis nga një çështje që ka ngjallur jo pak debat, që ka ngjallur reagim të ashpër, që ka të bëjë me parkingjet. Ka pasur një pikëpyetje të madhe, por cila është pikëpamja juaj?

Ky koncesion për mënyrën se si u trajtuar dëshmon qartë dy kultura, dy qëndrime. Njëra kulturë e dëgjimit të zërit të qytetarëve, moto kjo e shpallur nga z.Basha në të gjithë fushatën e tij elektorale dhe pseudokultura e njeriut që ka mashtruar qytetarët shqiptarë për të paktën 10 premtime që përmend vetëm shkatërrim. Bashkia konceptoi një koncesion të parkingjeve. Sipas bashkisë, ajo do jepej nga 5 për qind e sipërfaqes ku mund të bëhej parkingu në 15 për qind të saj. Por bashkia nuk bëri një dialog intensiv me qytetarët.

Pse? Ishte një gabim apo paramendim?

Ky ishte sigurisht një gabim. Ajo që ishte e gabuar ishte mungesa e një dialogu me qytetarët, por ajo që quhet jashtëzakonisht pozitive, e një kulture të re qytetare ishte anulimi i tij sapo u konstatua se qytetarët nuk e pëlqenin atë. Dhe kjo sapo qytetarët kishin dyshime se do të rëndonte xhepat e tyre. Nuk mund të bëhej fjalë që qytetari të paguante te pallati i tij, por te lëvizjet e tij nëpër qytet. Ndaj unë e përshëndes vendimin e shpejtë të z.Basha, duke e anuluar atë duke e shtyre për 5 vitet e ardhshme.

I takonte z.Basha që ta shtynte pas 5 vitesh, ndërkohë që këtë mund ta bëjë kryebashkiaku i ardhshëm?

Lulzim Basha ka në radhë të parë zërin e qytetarëve. Ai bëri një gabim, por për korrigjimin e tij hyri direkt z.Basha. Qytetarët kanë vlerësimin më të madh për Bashën, pasi panë tek ai jo një njeri arrogant dhe prepotent, por njeriun që do të dëgjonte zërin e tyre. Qytetarët kërkonin siguri të plotë dhe vendimi i Bashës ishte tërësisht i drejtë. Merrni ju kulturën e noe-bllkomenëve dhe kulturën e z.Basha. Rama bën pseudo kulturë. A e dini ju që sot kanë fjetur banorë në rrënojat e shtëpive të tyre. Një shtet ka të gjitha potencialet për t’i sistemuar ata dhe jo t’i lënë në atë gjendje, duke mos i strehuar diku. Shqiptarët e kanë të qartë se nuk qeverisen nga e majta, por nga neo-bllokmentë hoxhistë. Nuk u shkonte kurrë mendja se një njeri mund t’i linte njerëzit të flinin në rrënojat e tyre, Rama i la ata. Do të ndalem te ADN-ja e neo-bllokmenëve, ajo bazohet mbi kultin e armikut.

Si zgjidhet situata e paligjshmërisë?

E dëgjuat ju që nuk po prish ndërtimet pa leje, por po ushqen kompleksin e shkatërrimit, madje edhe vende pune. Unë jam dakord që aty ku ka ngushtim të veprohet, por ku kishte ngushtim në bulevardin e Vlorës? Aty nuk kishte asnjë ngushtim. Atëherë si t’i shkatërrojmë dhe t’i lëmë pa punë njerëzit? Shqipëria është gjysmë milionë ndërtesa pa leje. Ka një rregull. E ka dhe bota. E nisëm ne dhe po bëhej legalizimi.

Ju s’e bëhet për 8 vjet….

Ka pasur ngadalësime, por matjet dhe gen-planet janë bërë nga ne. Këta nuk po bëjnë asgjë. Po veprojnë mbi dosjet që bëmë me. Nuk po bëjnë asgjë tjetër.

Po bëjnë legalizimet…

Jo asnjë. Mashtrojnë me tapitë. Thanë se do të bëjnë legalizime falas, ndërkohë që qytetarët paguajnë 2 deri në 6 herë më shumë se çfarë paguanin më përpara. Po jep lejet e legalizimit dhe nuk po jep tapitë. Thjesht po blen kohë për mashtrimin e tij. Nuk jep tapi, sepse njerëzit nuk kanë mundësi që të paguajnë. Nesër PD në pushtet do të bëjë që qytetarët të marrin tapinë me 1 euro.

Me zgjedhje të parakohshme?

Po, me zgjedhje të parakohshme. Unë nuk do të jem në qeveri, por do bëj çmos që PD t’i bëjë legalizimet me 1 euro.

Si e konsideroni situatën e rendit në vend?

Është tipike e regjimeve policeske të kohërave që dështimet t’i gjejnë tek opozita. Ata sulmojnë vetëm opozitën. Sot rendi në Shqipëri është në ditën më të zezë të tij. Për një javë kemi rrëmbim në Fushë-Krujë. Media s’e ka përcjellë siç duhet. Nga rrëmbimi i harruar kaluan tek 4 tritolet. Nga këto u kalua tek vjedhja e bankës, e 3 milionë eurove, kazinoja në Shkodër, tritoli tek drejtori i burgut të Bençës. Këto raste bëhen më shumë se e gjithë kronika në vend. Këto raste i gjen më shumë se në Afganistan. Kjo dëshmon se krimi dominon totalisht vendin. Nuk është kapur asnjë autor i vetëm.

U kap një shitës i telefonit…

U kap, por nuk është arrestuar asnjë njeri i këtyre krimeve. Sapo erdhën në pushtet dhe opozita e ngriti zërin kur shkrinë Policinë Kriminale, e cila kishte çmontuar banda. E shkrinë, sepse kishte emra në dosje, emra që sot qeverisin. Shkrinë Policinë Rrugore sepse kishte të dhëna nga kryeministri e poshtë. Rikthyen në detyrë jo vetëm ata që kishim shkarkuar ne për korrupsion dhe krim për lidhje me banda dhe trafiqe.

Ne kemi dhe kryetar SHISH-i, i cili thotë që për tritolin e mora vesh në mëngjes…

SHISH ka objektivin e vet. Çdo shtet duhet të ketë një shërbim të vetin të nëndheshëm. Rama shkriu të gjithë njësinë që kishte goditur Aldo Baren e shumë të tjerë. Duhet të lejojmë ligjin e SHISH. Kur unë e thashë këtë, Rama u ra të gjitha ‘borive’. SHISH nuk del dot jashtë ligjit. Po marr tragjedinë më të madhe, atë të Gërdecit dhe SHISH më dha zero informacion se pse ligji nuk e lejon këtë. Kush rekrutohet për vëzhguar bandën e ‘Hakmarrjes për Drejtësi’, kur flasim me ministra, apo Shullazin që flet me qeveritarët.

Pse nuk i çoni këto akuza në prokurori?

Ne jetojmë në Tiranë, ndërkohë që gjykatëses në Kukës, Gërxhaliu iu tha se do t’i presin këmbët. Apo gjykatësi tjetër i Apelit është kërcënuar me jetë nga prokurori mik i Ramës, nëse nuk mban në burg Fullanin. Kjo vetëm e vetëm për të diktuar vendimin. Ju mendoni se këta njerëz janë prej guri, jo janë si ne.

Mendoni se ky vend nuk ka shpëtim?

Po, po ka shpëtim.

Ju njiheni si njeri që disponon shumë informacion…

Informacion disponojnë edhe qytetarët.

Ju ka sfiduar kryeministri, ka thënë se do të kthejë nenin e shpifjes…

Kë nenin e dajës së tij, atë të Spiro Kolekës? Shqiptarët e kanë të qartë se nuk i qeverisin socialistët, por njerëzit e Sul Bushatit, Spiro Kolekës e shumë të tjerë që janë marrë me persekutimin e qytetarëve të pafajshëm.

A duhej të ishte opozita më bashkëpunuese në rastin e vendosjes së tritolit të familjes së ministrit të Brendshëm?

Opozita ka dënuar çdo akt kriminal dhe i ka bërë thirrje prokurorisë të gjejë autorët, por a mundet kur policia e pengon? Shullazi është arrestuar 3 herë nga PD, por e liroi Ina Rama, Edi Rama dhe Bamir Topi. Ndaj shqiptarët duhet të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Të ndalemi te një argument tjetër: me cilin krah jeni në rastin “Zhiti”?

Unë jam me Presidentin e Republikës. Të më falni, por ka një qëndrim rrugaçëror ndaj presidentit. Unë nuk them se marrëdhëniet e mia kanë qënë të mira me presidentin, por kurrë nuk ka ndodhur që Ministria e Jashtme t’i fshehë ftesën presidentit. Samitet janë alternuar edhe presidenti edhe kryeministri. Rama vendimin e parë që mori, hoqi foton e presidentit. Mendoni se Rama nëse do ta pyeste paraprakisht për z.Zhiti, do ta refuzonte presidenti? Kurrë! Unë që të dy i kam miq, por natyrisht presidentin më shumë.

Mos e vlerësoni si mik…

Jo, jo por nëse Rama vlerëson një kandidaturë për të thyer rregullin e presidentit, nuk është e drejtë. Ata janë të detyruar të konsultohen me presidentin. Sa herë që Bamir Topi nuk i ka dekretuar, unë nuk kam debatuar. Ai çfarë nuk ka shpifur për Mal Berishën, se e kam kushëri, por unë e kam mik. Nuk hyj në polemika. Kisha nuk përbën ndonjë problem nëse jep një ide për ambasadorin në Vatikan. Ajo që kisha nuk duhej të bënte, ishte se ndërhyrja publike, sepse kjo merr karakter tjetër. Por kjo është një intrigë e Edi Ramës, i një njeriu të paskrupullt që do të mbjellë vetëm sherre. Nëse do t’i thosha presidentit që ta thyente rregullin, do t’i thosha thyeje për Visar Zhitin, por kjo është intrigë e Ramës.

Lulzim Basha duhet të rikandidojë?

E vendos Lulzim Basha me kryesinë e PD-së. Unë padiskutim që lideri është lider dhe mbetet gjithmonë kandidatura më eprore, por të dyja opsionet janë të justifikuara.

Edhe ai i moskandidimit?

Po, edhe opsioni i moskandidimit, sepse duhet të dijë, të marrë bashkinë apo kryeministrin. Por le t’ia lëmë t’i vlerësojë vetë z.Basha dhe kam bindjen se ai do të marrë vendimin më të drejtë.

Agron Duka duhet të jetë për bashkinë e Durrësit?

Më çoi një SMS një qytetar i Durrësit, i cili po më paraqiste tiparet më të mira të kandidatit. Në këto zgjedhje unë nuk do të rekomandoj asnjë kandidaturë, sepse kjo është atribut i kryetarit. Unë kam dhënë dorëheqjen dhe kam konsoliduar një linjë të qartë. Këto janë probleme organizative dhe nuk merrem me këto gjëra.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button