Home / Kryeartikull / Direktiva te reja per standartin e gjuhes

Direktiva te reja per standartin e gjuhes

Këtë fundjavë u publikua teksti final i konferencës “Shqipja në etapën e sotme…”. Tërheqin vëmendjen edhe disa struktura tipike për ligjërimin direktiv që përdorej gjatë diktaturës. Nuk është e lehtë të interpretosh praninë e tyre.

1. Teksti i përfundimeve të konferencës (TPK) pritej me një kërshëri që erdhi e u rrit, qoftë nga qëndrimet kundërshtuese që u shprehën në prag të konferencës, qoftë nga “stili batalist” me të cilën u raportua në disa media.

Në prag të konferencës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë njoftoi se institucionalisht nuk do të merrte pjesë, kurse një grup intelektualësh me emër e vepër doli me një kumtesë publike ku u bëhej thirrje gjithë dashamirëve “të gjuhës letrare të njësuar që të mos lejojnë të cenohet e të dëmtohet kjo vlerë e lartë kulturore kombëtare”. Disa tituj gazetash, të tipit “Ta çlirojmë shqipen nga bunkeri”; “Ndryshimet në drejtshkrim – marrëzi”; “Bie standardi i 72-shit, si do ndryshojë shqipja?”; “U kthy gegnishtja” etj., të grishnin të hamendësoje se diçka e jashtëzakonshme po ndodhte në Durrës, diçka me vënie poshtë e dorëzim pa kushte, me pak fjalë një betejë e tipit “tym e flakë e bëjmë ne”.

TPK që u publikua në fundjavë tregoi se imazhi për një quasi revolucion gjuhësor, me përmbysje standardi e kthim dialekti,  kishte qenë një sendërgji mediatike, ose më saktë mungesë e theksuar profesionalizmi. TPK thoshte se pjesëmarrësit respektonin standardin, por nisur nga evoluimi i natyrshëm i shqipes në dekada, sugjeronin të rishihet periodikisht funksionimi i sistemit në të gjitha segmentet. Në vijim, dokumenti përcaktonte disa nga këto rishikime si: drejtshkrimi i ë-së, rishikimi i shkronjës së madhe; drejtshkrimi i antroponimeve të huaja dhe i toponimeve; hapja e standardit për prurje leksikore nga dialektet; thellimi i punës për njësimin dhe kodifikimin e terminologjisë; studimi i mundësisë së integrimit të paskajores gege në standard etj.

Të gjitha këto e të tjera të ngjashme janë më se legjitime të diskutohen në një tubim ekspertësh.

2. Gjithsesi, TPK e krijon një shqetësim. Jo me atë që kumton, por me mënyrën si e kumton. Kështu, bie në sy shfaqja e  dendur e strukturave lidhore pavetore të tipit: të rishikohet përdorimi i ë-së, leksiku të jetë i hapur, të thellohet puna për njësimin, të rishqyrtohet formimi i shumësit etj.  Lista mund të vente e gjatë ngaqë shumica e paragrafëve janë strukturuar në këtë trajtë.

Në një qasje të sipërfaqshme, trajtat e lidhores pavetore të sjellin ndër mend struktura të ngjashme të ligjërimit partiak e institucional gjatë diktaturës si: të merren masa të shpejta për zhvillimin e tregtisë; të thellohet puna për mbarështrimin e gjedhit; të shtohen përpjekjet për rritjen e natalitetit edhe në qytete etj.

Ligjërimi i direktivës e kishte të nevojshme të urdhëronte kryerjen e një vargu detyrash. Por këtë e bënte jo me një urdhër të mirëfilltë si: punoni për mbarështrimin e gjedhit, por kryesisht me një lidhore pavetore që përcjell urdhër të zhdrejtë. Strukturat e tipit të shtohen përpjekjet, nxjerrin në sipërfaqe të thënies veprimin që do bërë, po sfumojnë aktorët: edhe atë që flet e urdhëron, edhe ata që dëgjojnë e duhet të jetësojnë urdhrin.

Ardian Vehbiu te “Shqipja totalitare” e shikon këtë dukuri  në dy funksione. E para për të mjegulluar hierarkinë e urdhrit direktiv: sfumohet si ai që flet e urdhëron, edhe ai që dëgjon e duhet të punojë, gati-gati shkrihen në një, për të mos u shfaqur si antipode, njëri i gojës e tjetri i krahut. E dyta, strukturat e tipit të punohet etj., shërbejnë për të krijuar përshtypjen se kryerja e direktivës nuk mund të vihet në dyshim, është thuajse e vetvetishme ngaqë është në imanencën e gjërave dhe të institucioneve.

Po të kërkosh logjikën e strukturave të direktivës në TPK rrezikon të shkelësh në sinorët e ironisë. Kështu, mund të thuash se këto struktura janë përdorur për të sfumuar aktorët e ligjërimit, d.m.th ata që lëshojnë direktivën dhe ata që duhet ta zbatojnë atë. Nuk e ke vështirë të identifikosh “lëshuesit e urdhrit”, një grup gjuhëtarësh të përzgjedhur nga Qendra Albanologjike e të tubuar në Durrës. Vështirë e ke të identifikosh zbatuesit: mos vallë janë institucionet dhe fakultetet që u anashkaluan në fazën përgatitore duke ngjallur pakënaqësi e kundërshtime publike? Nëse ligjërimi direktiv presupozonte se porosia nga lart zbatohej thuajse vetiu me që atë mot ekzistonte një centralizim i fortë institucional, TPK mund ta pretendojë këtë vetëm në rrafsh shakaje, bash për mungesën e koordinimit me institutet dhe fakultetet përkatëse.

Analizuar në rrafsh morfologjik e pragmatik, strukturat e direktivës ngjajnë si zhguaj bosh. Gjithsesi, u duhet gjetur një funksion, ndryshe të rezulton se janë lajthitje gjuhësore të bëra nga gjuhëtarët. Dhe kjo do të na kujtonte atë kovaçin e anekdotës që, prodhonte masha, por gruaja e tij i kishte gishtat gjithnjë të zhuritur.

3. Strukturat e direktivës të përdorura në TPK kërcasin e bëjnë zhurmë sidomos në rrafsh teorik. Përdorimi i tyre i bën dhunë një parimi themelor që thotë se gjuhësia është shkencë përshkruese dhe jo normative. Po qe se e pranon këtë parim vështirë t’i lejosh vetes të thuash (citoj nga TPK): “Leksiku i standardit të shqipes të jetë i hapur ndaj prurjeve nga dialektet, sidomos nga dialekti gegë dhe nga autorët e traditës letrare në këtë dialekt. Të vazhdojë puna për pasurimin e leksikut me krijime të reja sipas gjedheve fjalëformuese të shqipes, si dhe për pastërtinë ndaj huazimeve të panevojshme”.

Të thuash “të vazhdojë puna për pasurimin e leksikut…” është njësoj si t’i thuash lumit vazhdo rrugën drejt detit. Ashtu si lumi edhe gjuha nuk ka nevojë për direktiva e urdhra nga lart që të bëjë atë që e ka imamencë, të zhvillohet e të pasurohet në të gjithë përbërësit e saj, pra edhe në leksik.

Pasurimi leksikor nuk buron nga gjuhëtarët. Aq më pak mund të burojë nga vullneti i tyre. Ky pasurim i ka rrënjët në veprimtarinë e përditshme të një lumi të pafund kontribuesish duke filluar nga lëvruesit e ligjërimit televiziv e gazetaresk, duke vazhduar me përkthyesit e shkrimtarët dhe duke përfunduar me ata qindra mijëra të rinj që shkëmbejnë pikëpamje e ndjenja në hapësirën virtuale të internetit. Ky pasurim jetësohet në hapësirat e Tiranës dhe qyteteve të mëdha, ku marrëshëniet mes autoktonëve dhe të të ardhurve bëjnë që dialektet gjeografike e sociale të bashkëjetojnë e të japin e marrin natyrshëm me njëri-tjetrin.

Gjuhëtari nuk është krijues i gjuhës, as pasurues i leksikut të saj, gjuhëtari është thjesht një kujdestar i kësaj pasurie publike. Rolin prej kujdestari e kryen jo duke lëshuar urdhra e direktiva, por duke vëzhguar ligjërimet, sidomos ligjërimin aktual dhe duke zbuluar prirjet e zhvillimit të tij. Mbështetur në rezultatet e hulumtimeve të tilla dhe vetëm pasi t’i ketë evidentuar e sistemuar mirë, d.m.th, pasi të ketë hartuar fjalorë, gramatika etj., gjuhëtari kërkon ndihmën e politikave gjuhësore, thënë ndryshe bashkëpunon me institucione si Parlamenti, shkolla, media, botimet etj., për të ndikuar sado kudo tendencat e zhvillimit të gjuhës.

4. Përmenda në fillim kërshërinë publike për Konferencën e Durrësit. Duket se as media dhe as TPK nuk na e shuan këtë kureshtje. Për të perceptuar realisht konferencën duhet pritur botimi i referateve, kumtesave dhe diskutimeve që u zhvilluan në të. Gjykuar nga emrat e pjesëmarrësve, pritet që ndihmesa e saj të jetë arritje në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare.

Në këtë fazë të diskutimit, gjuhëtarët nuk kanë nevojë për politikën e ditës. Tingëlloi groteske prania e një zëvendësministri dhe e një këshilltari të Kryeministrit në seancën e fundit. Ç’punë ka politika në një takim ekspertësh? Edhe më groteske ishte përpjekja e njërit prej zyrtarëve për të bërë arbitrin mes gjuhëtarëve të pranishëm dhe atyre që bojkotuan, për të mbështetur njërën palë e për të zhvleftësuar tjetrën.

Standardi është dukuri e gjallë dhe në zhvillim. Si i tillë ka ndryshuar e do të ndryshojë. Normëzimi i këtyre ndryshimeve kërkon kohë e punë të ngulur shkencore dhe nuk mund të imponohet nga politika e ditës. Natyrisht, ka të drejtë ai linguisti që tha se “standardi është dialekt me ushtri dhe flotë”. Por këtë e kemi provuar dekada të shkuara. Çdo përpjekje për ta riprovuar do të na sillte ndër mend atë aforizmin për historinë: përsëritet, por herën e dytë si farsë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.